Familja e ish-futbollistit iranian urdhërohet të largohet nga fluturimi duke u ndaluar largimin nga vendi

Autoritetet iraniane të aviacionit urdhëruan uljen e një fluturimi me destinacion Dubain dhe detyruan të largohet nga fluturimi familja e ish-futbollistit Ali Daei, i cili ka qenë mbështetës i protestave në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Fluturimi W563 i kompanisë ‘Mahan Air’, i cili u ngrit nga Aeroporti Ndërkombëtar Imam Khomeini i Teheranit dhe ishte i destinuar për në Dubai, në mesin e pasagjerëve kishte edhe gruan dhe vajzën e ish-futbollistit Daei.

Daei, ish-kapiten i futbollit iranian, i cili deri kohët e fundit ka mbajtur rekordin e golashënuesit më të mirë ndërkombëtar të të gjitha kohërave, ka qenë jashtëzakonisht i zëshëm në mbështetjen e tij për protestat e vazhdueshme në Iran.

Më herët, Daei konfirmoi se gruaja dhe vajza e tij po fluturonin për në Dubai, por fluturimi me të cilin po udhëtonin u detyrua të ulet në ishullin Kish në provincën jugore Hormozgan.

“Ata e detyruan familjen time të dal nga avioni, por nuk i arrestuan”, tha Daei, duke shtuar se nuk e din “arsyen e sjelljes së tillë”.

Futbollisti legjendar këmbënguli që gruaja dhe vajza e tij “kanë hipur legalisht në avion” në kryeqytetin iranian dhe se planifikonin të vizitojnë Dubain “për disa ditë” dhe të kthehen në Iran.

Mediat shtetërore, ISNA dhe Tasnim, duke cituar “burime të informuara”, tha se gruaja e ish-futbollistit ishte ndaluar të largohet nga vendi nga autoritetet gjyqësore për shkak të “aktiviteteve të saj në thirrjen për greva”.

Raportet në agjencitë ISNA dhe Tasnim thanë se gruaja e ish-futbollistit Daei “ka marrë ilegalisht një leje të daljes” dhe se është larguar nga vendi pa informuar zyrtarët e sigurisë apo autoritetet gjyqësore.

Derisa Daei tha se fluturimi u kthye nga Dubai para se të ulej në Kish, media shtetërore tha se fluturimi akoma nuk ishte larguar nga hapësira ajrore e vendit.

Raportet gjithashtu insistuan se destinacioni përfundimtar i gruas dhe vajzës së ish-futbollistit ishte SHBA-ja, megjithëse Daei tha se familja e tij dëshironte të kalojë disa ditë në Dubai dhe të kthehet në Iran.

Incidenti vjen mes protestave disamujore në Iran të shkaktuara nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini në shtator gjatë kohës që ishte në paraburgim nga policia e vendit.

Daei, i cili gëzon shumë ndjekës në Iran si futbollisti më i suksesshëm i vendit, muajve të fundit ka qenë i hapur në mbështetjen e tij për protestat.

Ai dhe gruaja e tij janë akuzuar nga autoritetet se kanë nxitur trazira duke dhënë mbështetje për grevat e fundit anti-qeveritare që u thirrën nga grupe anonime.

Daei, një sipërmarrës dhe pronar restorantesh, muajin e kaluar njofto ise të gjitha bizneset e tij do të mbeten të mbyllura gjatë një greve mbarëkombëtare treditore, e ndjekur nga raporte të pa konfirmuara se disa nga bizneset e tij në Teheran ishin mbyllur nga autoritetet.

Një tjetër ish-futbollist, Ali Karimi, i cili raportohet se tani ndodhet në Kanada, është shfaqur si një figurë kyçe në protestat e vazhdueshme.





Story i mëparshëm

Osmani: Kemi çfarë të ofrojmë në OSBE, nuk jemi zgjedhur përkohësisht

Story i radhës

Rigon publikon videoklipin e hitit “Lamtumirë”

Të fundit nga