​Evidentohen 175 fëmijë lëmoshë kërkues këtë vit në Kosovë

Autoritetet në vend kanë arritur që për tetë muaj të identifikojnë 175 fëmijë që kërkojnë lëmoshë. Organizatat që kujdesen për të drejtat e fëmijëve kërkojnë nga institucionet angazhim më të madh për të larguar fëmijët nga rruga, por autoritetet kërkojnë nga qytetarët që të mos i japin para fëmijëve.

Policia e Kosovës, përmes një përgjigje me shkrim, konfirmoi numrin e saktë të fëmijëve lëmoshë kërkues por, sipas statistikave, këtë vit janë identifikuar më pak në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Policia gjate realizimit te detyrave të saja, në periudhën kohore janar-gusht 2022 janë identifikuar 175 fëmijë kërkues lëmoshe. Në periudhën kohore janar-gusht 2021 janë identifikuar 191 fëmijë kërkues lëmoshe”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Bukureza Surdulli nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), deklaroi për KosovaPress se fëmijët që qëndrojnë rrugë duke kërkuar lëmoshë ballafaqohen edhe me rreziqe të tjera.

Surdolli: Fëmijët që kërkojnë lëmoshë përballen me rreziqe

Fëmijët që gjenden në rrugë, fëmijët lëmoshë kërkues ose fëmijët në punë, përballemi me një sërë rreziqesh të cilat mund të jenë, të keqtrajtimi, abuzimi fizik, abuzimi seksual, ngacmimet. Mandej janë foshnjat të cilat janë në rrugë në temperatura të ulëta, shpesh kemi parë fëmijë që gjenden në situatë rruge edhe në orët e vona të natës afër klubeve të natës, edhe ky fakt tregon që këta fëmijë nuk kanë siguri, edhe mund të jenë viktima ose diçka edhe më të tmerrshme siç janë edhe abuzimet seksuale ose ngacmimet fizike”, tha ajo.

Premtim Fazliu, koordinator në Drejtorinë e Mirëqenies Sociale të Komunës së Prishtinë, tha se numri i lëmosh kërkuesve në kryeqytet ndryshon nga viti në vit. Ai tha se gjatë muajve të verës në Prishtinë hasen një numër më i madh i fëmijëve lypsa.

Fazliu: Muajt e verës ka më shumë fëmijë në rrugët e Prishtinës

Varion 60 deri në 100 (fëmijë), kryesisht në sezonën e verës ka frekuentim më të madh të fëmijëve të cilët janë në situatë rruge, dhe kjo është për pasojë e ardhjes së mërgimtareve nga bamirësia e tyre, japin më shumë lëmoshë… Prishtina duke qenë edhe si kryeqendër e Kosovës, kryesisht ka më shumë. Por, kjo nuk nënkupton se të gjithë fëmijët të cilët i hasim në qytet janë banor të Prishtinës, kryesisht janë të komunave fqinje të Prishtinës duke mos përjashtuar edhe shtetet regjionale rreth Kosovës, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë”, ka deklaruar Fazliu për KosovaPress.

Fazliu deklaroi për KosovaPress se të gjithë fëmijët identifikohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, por edhe me partnerët e tjerë joqeveritarë. Megjithatë, ai tha se thirrja që përsëritet është ndaj qytetarëve që të mos japin lëmoshë, pasi sipas tij lëmosha i stimulon fëmijët që të dalin edhe më tutje në rrugë.

Fazliu: Qytetarët nuk duhet të japin lëmoshë

Ne kemi lansuar edhe fushata të ndryshme që kanë të bëjnë edhe me identifikimin e fëmijëve në situatë rruge, kësisoj janë identifikuar, dhe të njëjtit ose janë trajtuar ose janë referuar në qendrat respektive… Kemi bërë thirrje nëpërmjet informimit të drejtë të qytetarëve të mos japin lëmoshë, sepse lëmosha përveç se i stimulon daljen edhe më tutje në rrugë dhe sheshet e Prishtinës. Po ashtu edhe i kanos dhe bëhen potencial edhe i dhunës, trafikimit dhe aksidenteve të tjera rrugore, kësisoj planifikojmë që këto fushata të zgjerohen duke bërë thirrje dhe informatë të duhur për qytetarët që të ndalohet dhënia e lëmoshës në formë të rrugës dhe në këtë mënyrë parandalohet si dukuri negative në kryeqytet”, ka shtuar Fazliu.

Mirëpo, Surdulli u shpreh se nëse shteti i thotë dikujt të mos ndihmojë, atëherë duhet vetë ai që të kujdeset për fëmijët dhe familjet të cilët janë në situatë të rëndë financiare.

Ajo shtoi se në vend ka mungesë të shërbimeve sociale që ju ofrohen këtyre fëmijëve.

Surdolli: Shteti duhet të kujdeset për fëmijët

Kemi parë vazhdimisht për thirrje për të mos dhënë lëmoshë , lëmoshë kërkuesve për shkak se kjo i bënë ata të varfër dhe ata dalin në rrugë jo për vetën e tyre, mirëpo ne konsiderojmë se nëse bëhet thirrje për mos dhënie të lëmoshës atëherë duhet që shteti, ministria, komunat të investojnë në familje… Në Kosovë për fat të keq nuk ka shërbime sociale që iu ofrohen këtyre fëmijëve janë shumë të mangëta. Qendra për Punë Sociale zakonisht bëjnë evidentimin e fëmijëve në situatë rruge, mirëpo nuk ka shërbime që ofrohen ndaj tyre… Megjithatë përveç evidentimit nuk ka hapa që merren më tutje”, tha ajo.

Një qendër ditore për fëmijë në Prishtinë është e vetmja mundësi strehimi për fëmijët në situatë rruge, por mungojnë mundësitë e strehimit 24 orëshe.

Fëmijët gjatë ditës mund të shkojnë në qendër të marrin ushqimin dhe të bëjnë aktivitete të ndryshme. Por, përpos Prishtinës, komunat e tjera nuk kanë qendra ditore të tilla.

Surdolli: E vetmja gjë pozitive në komunën e Prishtinës është qendra ditore 

E vetmja gjë pozitive në komunën e Prishtinës është kjo qendra ditore që e ka hapur organizata anëtare… është qendër ditore në të cilën ofrohen shërbime ditore për fëmijët në situatë rruge që janë kundër fëmijët lëmoshë kërkues… Ky është një shembull që mundet me u aplikuar edhe në komunat e tjera… Mirëpo në asnjë komunë tjetër nuk është një qendër ditore e lëre më rezidenciale, nuk kemi qendra që janë 24 orëshe që janë për fëmijët që nuk kanë strehim”, tha ajo.

Surdolli gjithashtu kritikoi komunat të cilat nuk i mbështesin organizatat e ndryshme që ofrojnë shërbime cilësore sociale.

Ajo tha se institucionet lokale as nuk kanë të dhëna për numrin e fëmijëve që nuk ndjekin mësimin në mënyrë që të reagohet dhe të parandalojnë që të njëjtit fëmijë të përfundojnë në rrugë.

Surdolli: Komunat nuk mbështesin ofruesit e shërbimeve sociale

Por shumë prej komunave nuk kanë evidenca dhe nuk e përcjellin se fëmijët shkojnë në shkollë, pse e kanë lënë shkollën. Nëse ka pasur humbje të mësimit atëherë do të zhvillohen aktivitetet ekstra përmes organizatave të ndryshme joqeveritare përmes ofruesve të shërbimeve sociale të ofrohen këshillimit, të shërbimeve psikologjike të cilat për fat të keq mungojnë në vendin tonë. Qendrat për Punë Sociale nuk kanë kapacitete që të ofrojnë të gjitha shërbimet me situatë rruge, mirëpo komuna nuk mbështes as edhe një ofrues të shërbimeve sociale nga organizata joqeveritare të ofrojnë shërbime cilësore, kështu që ne e shohim se komunat janë ato të cilat duhet të bëjnë zgjidhje dhe të rrisin buxhetin për mirëqenie sociale, të rrisim buxhetin për ofrim të shërbimeve sociale në mënyrë që të ofrohen shërbimet edukative sociale dhe shëndetësore për fëmijët që janë në situatë rruge”, tha Surdolli.

Fazliu nga Komuna e Prishtinës, tha se së shpejti do të shkojnë për vizitë studimore në Danimarkë, për të parë se si janë modalitetet atje për trajtimin e fëmijëve në situatë rruge. Sipas tij në këtë formë, do të ambientojnë me kushtet e Kosovës dhe potencialisht të ri dizajnojnë qendra për fëmijët në situatë rruge.

Në lidhje me mbështetjen, ai u shpreh se në Prishtinë janë rreth 1500 familje që janë pjesë e skemës së ndihmës sociale.

Fazliu: Kemi rreth 1500 familje që janë pjesë e skemës së ndihmës sociale

“Aktualisht në Prishtinë janë rreth 1500 familje që janë pjesë e skemës së ndihmës sociale. Për dallim prej viteve të tjera fatmirësisht numri i familjeve që janë përfituesit e skemës së ndihmës sociale është nga 1500 deri 1600 familje”, tha ai.

KosovaPress ka tentuar të marrë një qëndrim rreth këtij fenomeni edhe te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, por nuk kanë kthyer përgjigje.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Kosova dhe Qipro do të përballen në mes vete nesër

Story i radhës

Plas sherri mes basketbollisteve të Malit

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish