Elon Musk deklaroi ditën e sotme se ai thjesht do të ‘shkojë në djall’ duke hequr dorë nga mbështetja e tij për Ukrainën.
Njeriu më i pasur në botë nuk është njohur ndonjëherë për një njeri që di t’i kontrollojë fjalët apo emocionet e veta.
Postimet e tij në Twitter janë bërë shpesh virale qoftë për mirë edhe për keq.
Së fundmi, një nga këto postime u bë shkak që shumica e liderëve ukrainas ta quanin atë një tradhtar pro-rus edhe pse Musk ka qenë një ndër njerëzit esencial që e ka ndihmuar Ukrainën të vazhdojë të ketë një rrjet telekomunikacioni dhe lidhje interneti gjatë gjithë luftës me Rusinë.
Si atëherë, erdhëm deri këtu – ku Musk po kërcënon ta lë Ukrainën në “errësirë digjitale’?
Në fillim të luftës në Ukrainë, një nga gjërat e para që bëri ‘ushtria e kuqe’ ishte të sulmonte stacionet e telekomunikacionit duke ia bërë më të vështirë ukrainasve të lidhen me njëri-tjetrin gjë që është një nga gjërat më esenciale gjatë një lufte.
Menjëherë pas kësaj, Elon Musk, ishte njeriu që i erdhi në ndihmë Ukrainës duke dërguar satelitët e tij Starlink që bënë të mundur rikthimin e këtyre rrjeteve.
Sot, Musk ka deklaruar se do të ndalojë këtë shërbim të Starlink pasi e ka të pamundur të vazhdojë ta mbështesë financiarisht këtë mision.
Këtë të premte në mëngjes ai tha se do të ndiqte këshillën e diplomatit të Kievit, i cili para disa ditësh i tha Musk të ‘shkonte në djall’, pasi ky i fundit bëri postimin e tij famëkeq të vetë-quajtur ‘Plani i Paqes për Ukrainën’, ku me anë të 3 pikave, CEO i Tesla-s i sugjeroi Ukrainës, të pranonte të mos bëhej pjesë e NATO-s, të hiqte dorë nga Krimea si dhe të mbante edhe një herë zgjedhjet në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut – nën vëzhgimin e OKB-së – dhe nëse vullneti i popullit do të ishte të bashkoheshin me Rusinë atëherë le të bëhej kështu dhe t’i jepej fund një herë e përgjithmonë luftës.
Reagimet e Kremlin ndaj këtij postimi ishin pozitive, por duhet thënë se si Perëndimi edhe Ukraina nuk ishin aspak të lumtur me këto deklarata.
Menjëherë pas këtij postimi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri një sondazh të tijin në Twitter, ku i pyeste ndjekësit e tij, se ‘Cilin Elon Musk preferonin – atë pro-Ukrainës apo atë pro-Rusisë?’.
Më negative ama kanë qenë reagimet që erdhën nga shumë zyrtarë ukrainas, ku njëri prej tyre ishte diplomati, Andrij Melnyk, i cili i tha Musk të ‘shkonte në djall’ duke e ndjekur me disa sharje edhe më vulgare në adresë të tij.
Sidoqoftë, sot gjendemi përpara realitetit ku kompania SpaceX e Elon Musk ka vendosur se nuk do të paguajë më që ushtria ukrainase të përdorë sistemin e internetit Starlink.
Sipas një raporti të CNN, kompanitë e tij janë përpjekur të heqin dorë nga fatura shumë milionëshe për muaj të tërë edhe pse ende nuk dihet se cila është arsyeja e vërtetë prapa këtij vendimi radikal.
Ajo që po “refuzohet” është fatura për 20,000 terminalesh satelitore Starlink që kompania e Musk ka instaluar për të ndihmuar ushtrinë ukrainase – dhe një kërkesë nga Ukraina për rreth 9,000 të tjera.
SpaceX i Elon Musk ka thënë se nuk mund të përballojë të vazhdojë të dhurojë internet satelitor në Ukrainë dhe i ka kërkuar qeverisë amerikane të marrë përsipër faturën teksa marrëdhënia midis miliarderit dhe Kievit duke se po prishet çdo ditë e më shumë.
“Ne nuk jemi në gjendje të dhurojmë më tej terminale në Ukrainë, ose të financojmë terminalet ekzistuese për një periudhë të pacaktuar kohore,” shkroi drejtori i shitjeve të kompanisë SpaceX, në një letër të parë nga CNN.
Donacioni, shkroi Musk në Twitter, i ka kushtuar SpaceX-it rreth $80 milionë dollarë me një parashikim prej $20 milionë dollarësh të tjerë deri në fund të vitit 2022.
SpaceX parashikoi veçmas se kostot do të arrinin në afro $400 milionë dollarë gjatë 12 muajve të ardhshëm.
Burimi: GAZETA.MK