Max Allegri këmbëngul se ai nuk do të kishte ndryshuar qasjen e Juventusit dhe beson se skuadra e tij luajti mirë në Ligën e Kampionëve, por Villarreali, sipas tij, vendosi nëntë lojtarë në mbrojtje në fitoren e tyre 3-0.
“Bianconerët” u eliminuan nga Liga e Kampionëve në raundin e 1/16-të për të tretin vit radhazi.
“Unë do të luaja në të njëjtën mënyrë, pasi djemtë bënë mirë për 65 minuta. Në një moment të caktuar, Villarreali i vendosi të gjithë në mbrojtje dhe vetëm një incident mund ta thyente atë bllokim”, tha Allegri për “Amazon Prime Italia”.
“Ne duhet ta pranojmë këtë humbje, është e shëmtuar, por nuk mund të ankohem për djemtë, pasi ata luajtën mirë”, shtoi ai.
“Nuk u zemërova me askënd. E përgëzoj Emeryn, pasi ai kishte qasjen e duhur, ishte një nga lojërat e tij të zakonshme. Le të vazhdojmë tutje, polemika nuk do të ndihmojë askënd. Ky është futbolli, ndonjëherë shkon në favorin tuaj, ndonjëherë kundër jush, thjesht duhet ta pranoni atë”, tha në fund trajneri italian.