Ekskluzive/ Shaip Kamberi flet për “Bota sot”: Çështja e Luginës patjetër duhet të jetë pjesë e Marrëveshjes finale Kosovë-Serbi

min lexim

Pas një sage të gjatë të proceseve zgjedhore, Shaip Kamberi ditë më parë u zgjodh deputet në Kuvendin e Serbisë. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Kamberi thotë se fitorja e tij ishte e mundimshme, pasi ishte një betejë ndërmjet të pabarabartëve, dy partive shtetërore dhe koalicionit të shqiptarëve.

Sipas tij, gjithë ky proces është karakterizuar me zvarritje, ndërhyrje për të demotivuar zgjedhësit shqiptar, por ndodhi e kundërta.

Ai thotë se do të vazhdojë të jetë zëri përfaqësues i shqiptarëve në Luginë të Preshevës, të cilët po i nënshtrohen diskriminimit shtetëror për dekada me radhë.

Kamberi ka potencuar se pasivizimi i adresave në Medvegjë është metodë e legalizimit të spastrimit etnik në këtë komunë dhe se për ta rikthyer mbrapa këtë proces të mbrapshtë, nevojitet angazhim i drejtpërdrejtë i Prishtinës dhe i Tiranës dhe mekanizmave ndërkombëtare.

Deputeti shqiptar thotë se dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e shohin si mundësinë e fundit për tu avancuar të drejtat e shqiptarëve në Luginë.

Bota sot”: Z. Kamberi, ju para pak ditësh u zgjodhët deputet në Kuvendin e Serbisë, pas herës së pestë të votimeve, ri përsëritjes së katërfishtë zgjedhore në Tërnoc të Madh, a mund të na thoni se cilat ishin pengesat dhe si i tejkaluat ato?

Sh. Kamberi: Tash, përfundimisht mund të them se ishte një fitore e mundimshme e arritur me angazhimin e madh të secilit aktivist tonit, partnerëve të koalicionit e mbi të gjitha me këmbëngulësinë e votuesve të njësisë numër gjashtë në Tërnoc. Një betejë mes të pabarabartëve, dy partive shtetërore dhe koalicionit tonë, u kurorëzua me fitoren e të vegjëlve, falë vullnetit, bindjes dhe aktivitetit të secilit prej nesh.

“Bota sot”: Mendoni se këto pengesa ishin të qëllimshme nga ana e pushtetit serb?

Sh. Kamberi: Patjetër, ne ishim në luftë të drejtpërdrejtë me SPS-në e Ivica Daçiqit. Besoj se i gjithë ky proces është karakterizuar me zvarritje, ndërhyrje për të demotivuar zgjedhësit shqiptarë dhe të gjithë ne që të lodhemi. Por, ndodhi e kundërta, pas çdo herë përsëritjeje këmbëngulësia e njerëzve tanë rritej, deri sa herën e katërt të përsëritjes nuk lejuam fare të hapin vendvotimin për shkak të provokimeve që erdhën nga komisionarë nga brendia e Serbisë, ndërsa herën e pestë këmbëngulësia e përbashkët më në fund u kurorëzua me fitore.

“Bota sot”: Tani që u rizgjodhët në postin e deputetit, a mund të na thoni se në çfarë mënyre do të vazhdoni të jeni zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës?

Sh. Kamberi: Unë e kam obligim që të vazhdoj të jemi zëri përfaqësues i shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe të shtroj të gjitha problematikat me të cilat ata ballafaqohen. Këto janë të shumta dhe shumë dimensionale, të cilat i ka sjellë diskriminimi sistematik. Lufta për të drejta, barazi, demokraci e liri duhet të vazhdohet deri në ngadhënjim.

“Bota sot”: Me çfarë problemesh ballafaqohen shqiptarët e Luginës dhe si do t`i zgjidhni ato?

Sh. Kamberi: Shqiptarët po i nënshtrohen diskriminimit shtetëror për dekada me radhë. Përkundër se kanë tre marrëveshje të nënshkruara me Beogradin zyrtar, pozita e shqiptarëve nuk është përmirësuar, sepse asnjëherë, edhe pse i ka nënshkruar, Beogradi nuk ka treguar vullnet për t’i zbatuar ato marrëveshje. Integrimi i barabartë në institucione publike, zhvillimi ekonomik, njohja e diplomave dhe procesi i pasivizimit do të jenë disa nga temat që do të mundohem t’i trajtoj.

“Bota sot”: Pasivizimi i adresave është një nga problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët, kryesisht në Medvegjë, si do ta zgjidhni këtë problematikë?

Sh. Kamberi: Pasivizimi i adresave në Medvegjë është metodë e legalizimit të pastrimit etnik në këtë komunë që ka filluar gjatë luftës në Kosovë. Për ta rikthyer mbrapa këtë proces të mbrapshtë, nevojitet angazhim i drejtpërdrejtë i Prishtinës dhe Tiranës e veçanërisht mekanizmave ndërkombëtare. Nuk duhet toleruar, në një shtet pretendent për anëtarësim në BE, metoda që kanë për qëllim ndryshimin artificial të strukturës etnike.

“Bota sot”: Si e komentoni vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet e identifikimit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Sh. Kamberi: Ne në vazhdimësi kërkojmë respektimin e parimit të reciprocitetit, prandaj edhe në këtë rast, sado që njerëzve mund t’i shkaktojë telashe praktike, nuk mund të deklarohemi kundër këtij vendimi. Shpresoj që kjo masë të përshpejtojë arritjen sa më të shpejtë të marrëveshjes finale për targat e automjeteve dhe njohjen reciproke të dokumenteve.

“Bota sot”: A duhet që çështja e Luginës të përfshihet në dialog ndërmjet dy vendeve. Kujtojmë se zyrtarë të BE-së si z. Lajçak kanë thënë se çështja e Luginës nuk është kërkuar asnjëherë që të diskutohet në dialog, çka do të ndodhë në të ardhmen?

SH. Kamberi: Po, patjetër, ne e shohim dialogun Kosovë/Serbi, si mundësinë e fundit për tu avancuar të drejtat e shqiptarëve.

“Bota sot”: Projekti “Ballkani i hapur”, po vazhdon të avancoj pa Kosovën, cili është mendimi juaj lidhur me këtë?

Sh. Kamberi: Shtetet janë të lira që mes vete të ndërtojnë raporte bashkëpunimi në shumë sfera. Megjithatë për të qenë i suksesshëm ky projekt në të duhet të përfshihen të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, ai të mos jetë zëvendësim i integrimit në BE dhe Kosova, nëse vendos të marrë pjesë duhet të ketë statusin e barabartë me shtetet e tjera pjesëmarrëse.

“Bota sot”: Si e shihni fundin e dialogut Kosovë-Serbi dhe a mund të hyj çështja e Luginës në marrëveshjen përfundimtare?

Sh. Kamberi: Çështja e Luginës duhet patjetër të jetë pjesë e Marrëveshjes eventuale finale mes Kosovës e Serbisë. Trajtimi i pakicave duhet bërë në mënyrë të njëjtë duke respektuar parimin e reciprocitetit në të drejta. Unë nuk besoj në një marrëveshje eventuale mes dy shteteve, e cila të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk i trajton në mënyrën e duhur.

“Bota sot”: A e ka injoruar gjatë dhe shumë, qeveria e Shqipërisë, e veçanërisht kjo e Ramës, çështjen e shqiptarëve në Kosovën Lindore?

Sh. Kamberi: Nuk do të thosha se është injoruar, sepse ishte qeveria e z. Rama, respektivisht ministri Çeku që ishte kumbarë i dy marrëveshjeve të rëndësishme mes subjekteve politike shqiptare. Më 2020, për zgjedhjet parlamentare dhe koalicionin lokal në Bujanovc. Kjo u bë falë një përkushtimi të asaj qeverie. Megjithatë mendoj se qeveria në Tiranë ka akoma mundësi të tjera për të ndihmuar drejtpërdrejtë shqiptarët e Luginës. Si hap fillestar do të ishte i rëndësishëm operacionalizimi i Fondit për Luginën e Preshevës që duhet ndërtuar bashkë me qeverinë në Prishtinë. Qeveria në Tiranë ka ndihmuar në pajisjen e shkollave tona fillore me tekste adekuate, që është bërë në bashkëpunim me Këshillin kombëtarë dhe Ministrinë e arsimit në Beograd. Megjithatë, mbeten edhe shumë mundësi tjera për të ndihmuar Luginën e Preshevës.

“Bota sot”: A ta krijon përshtypjen, Rama nganjëherë se edhe zgjidhjen e Kosovës e sheh si zgjidhje të një pakice shqiptare, të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, dhe sikur hamendëson të bëhet një Shqipëri, por pa veriun e Kosovës?

Sh. Kamberi: Në deklarimet e tija publike kryeministri Rama e ka bërë të qartë qëndrimin e tij për Kosovën, e këtë e ka thënë publikisht edhe në Beograd. Prandaj, nuk besoj se z. Rama do të angazhohet për cilëndo zgjidhje për Kosovën për të cilën Kosova nuk do të pajtohet.

“Bota sot”: Si e vlerësoni kontributin e Kosovës dhe Shqipërisë për Luginën, a duhet të bëhet edhe më tepër?

Sh. Kamberi: Duhet bërë shumë më tepër. E para të ndërtohet një Fond i përbashkët për Luginën, të ndërtohen programe shtetërore për të ndihmuar nevojat e shqiptarëve dhe të përdoren të gjitha proceset politike në të cilat participojnë edhe Kosova edhe Shqipëria për tu avancuar të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

I dyshuari për të shtënat në SHBA akuzohet për vrasje

Story i radhës

LSI drejt fundosjes? Klosi paralajmëron lëvizjen që do bëjë Ilir Meta

Të fundit nga