Edi Rama ia lë në derë BE-së “kopilin shqiptar”!

April 21, 2022
min lexim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”,publikuar në mediat tona më 20 prill, shprehet se rajoni i Ballkanit Perëndimor është “i pambrojtur” nga ndikimi rus, ndaj ekziston rreziku për destabilitet. Pa e përjashtuar rrezikun në rritje të ndikimit rus, së pari nga “syleshësia” apo “mbyllja e vullnetshme e syve” nga shërbimet secrete të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, përsëri kuptohet lehtë se Rama, në mënyrë figurative, fryu në këtë gazetë, me të gjitha bulçitë e tij një tullumbace, që shtetarët apo “burokratët” vendimarrës në Bruksel, Berlin, Paris, Amsterdam…, e dinë mirë se e ka “blerë” nëpër tregjet e tyre mediatike.

Edi Rama pandeh apo bën sikur nuk e kupton se BE na ka lënë jashtë saj deri tani jo se nuk na do e dëshiron në gjirin e saj! Apo, se edhe në Bruksel apo Berlin, kryeministri i Shqipërisë mund t’i mashtrojë fare lehtë, shtetarë dhe qeveritarë të lartë, me mandate verndimmarrës në emër të vendeve të tyre, ashtu si njerëzit që kanë nerva ta dëgjojnë deri në fund e duke e brohoritur, nëpër mitingje të partisë së vet, plot me partiakë të vërbër apo militantë të zellshëm deri në vetëmohim individual, familjar, kombëtar “për ideal, parti e kryetar”! Nga analizat e thella, objektive dhe mbështetur në fakte e shifra të pafryra e të pafallsifikuara, del fare lehtë mesazhi se me këto nivele të ulta të zhvillimit, pagave, pensioneve, mirëqenies, demokratizimit, shtetit ligjor; të standartit të zgjedhjeve…. si dhe me këto nivele të larta të korrupsionit, trafiqeve të drograve, kriminalitetit, emigracionit, të informalitetit, nepotizmit,…, ne si vend de facto nuk e meritojmë hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE!

Mjafton të kujtojmë dy fakte të freskët.

Sipas DASH, në raportin e përvitshëm të Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë, publikuar edhe në “Zerin e Amerikës” më 12 prill 2022,” Qeveria nuk e zbatoi në mënyrë efektive legjislacionin që parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët publikë dhe ndalon individët me dënime penale të shërbejnë si kryetarë bashkie, deputetë ose në poste qeveritare ose shtetërore. Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe zyrtarët shpesh u përfshinë në praktika korruptive pa u ndëshkuar…”

Ndërsa Raporti i FMN-së, publikuar më 20 prill 2022, bën parashikime të errëta për rritjen ekonomike të Shqipërisë për këtë vit. Parashikohet një ulje me 2.5 pikë përqindje, nga 4.5% që ishin pritshmëritë.

Me një nivel rritje prej 2% për këtë vit dhe që mund të rishikohet sërish në rënie në vazhdim, Shqipëria ka rritjen më të ulët në rajon, që mund të degradojë në stanjacion ekonomik.

Shifrat me ulje të rritjes së pritshme ekonomike me 2.5% janë edhe shumë më poshtë sesa ulja në nivel global për 2022, që pritet të jetë vetëm 0.5 %.

Bllokuesit e rritjes ekonomike të vendit janë financimi i investimeve jo produktive nga buxheti, efiçencë e ulët e investimeve për shkak të korrupsionit, që gërryen vlerën e tyre, mos lejimi i investimeve private në energji, monopolizimi i ekonomisë, si dhe pasojat e rritjes galopante të çmimeve…

Edhe kapja fort si një i pragmbytur në një lumë të thellë tek një degëz, konkretisht tek fryerja e rrezikut apo ndikimit të “gogolit rus në Ballkanin Perendimor”, është thjeshtë një sebep apo justifikim, që nuk ua mbush mendjen as “fëmijëve të kopshteve” apo as “të shurdhërve”! Dihet mirë se më shumë se BE-ja, nga ndikimi rus apo nga ndonjë agresion aventuresk i Putinit dhe Rusisë së tij, mund të na shërbeje dhe mbrojë qenia anëtarë në NATO! Kështu që na mbetet vetëm që t’ i lutemi ZOTIT në qiell që t’ u mbushë mendjen drejtuesve më të lartë të 27 vendeve të BE- së, që të mos na e shikojnë fort, me peshore farmacie apo me mikroskopë nivelin e përmbushjes së kushteve e të na pranojnë sa më shpejt, për mëshirë ndaj shumicës së popullit, siç kanë bërë më parë me Bullgarinë e Rumaninë!

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ushtarëve britanikë të kapur nga rusët në Ukrainë “po u jepet ndihma e nevojshme”

Story i radhës

Hoxton Academy diplomon inxhinierët e parë të zhvillimit softuerik

Të fundit nga

ShkoLartë