Edi Rama flet nga SHBA, tregon çfarë u diskutua në takimin me Sekretarin Blinken

February 16, 2022
min lexim

Zëri i Amerikës: Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndodhet këto ditë në Shtetet e Bashkuara ku sot, para rreth një ore, u takua në Uashington me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken. Kryeministrin Rama e kemi sot të ftuar në studio. Zoti Rama mirëseerdhët!

Edi Rama: Mirë se ju gjeta. Faleminderit!

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, para se të fillojmë intervistën le të ndjekim për pak momente një kronikë të shkurtër nga takimi juaj pak çaste më parë me Sekretarin Blinken…

…Zoti Kryeministër, sapo dëgjuam komentet tuaja përpara fillimit të takimit, komentet për publikun. Por, çfarë u diskutua në takim? Cili ishte synimi i tij?

Edi Rama: Diskutuam lidhur me bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit, lidhur me marrëdhëniet bilaterale, pa diskutim lidhur me rajonin, me ecurinë e reformave në Shqipëri. Dhe në tërësi besoj që prekëm të gjitha temat që janë të rëndësishme për këtë marrëdhënie, përfshirë edhe temën e të qenit bashkë në aleancën e NATO-s.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, në dhjetëditëshin e e fundit ranë dakort të bashkohen në Këshillin e Sigurimit në atë që quhet “bashkë-penë-mbajtje”. Për çfarë bashkëpunimi bëhet fjalë dhe çfarë roli pritet të luajë Shqipëria në Këshillin e Sigurimit?

Edi Rama: Ky është një proces i njohur në traditën e Këshillit të Sigurimit, ku dy vende bëhen bashkë për të adresuar një apo disa dosje të caktuara. Dhe Shtetet e Bashkuara na e propozuan ne këtë bashkim. Ne e pranuam me shumë, patjetër, kënaqësi dhe përgjegjësi. Dhe natyrisht kjo na jep mundësinë që në Këshillin e Sigurimit të luajmë një rol të veçantë.

Zëri i Amerikës: A pritet që Shqipëria të paraqesë së shpejti një rezolutë për çështjen e Ukrainës?

Edi Rama: Kjo nuk është një çështje e Shqipërisë. Është një çështje tanimë e të gjithë botës, e Kombeve të Bashkuara, e Këshillit të Sigurimit. Dhe patjetër që në këtë proces, siç thashë, ne do të jemi krah për krah me Shtetet e Bashkuara dhe sigurisht që jemi krejt realistë – vendimmarrja i takon Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Ndonëse m’u duk se sot gjendja në konfliktin, në krizën midis Rusisë dhe Ukrainës është çtensionuar disi, megjithatë a ka qytetarë shqiptarë në Ukrainë dhe a janë larguar ata deri më sot, sipas informacioneve që keni ju?

Edi Rama: Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka marrë të gjitha masat e nevojshme, ashtu siç e ka konsideruar të arsyeshme. Dhe ndërkohë ne kemi disa qytetarë shqiptarë, pjesë e misionit të monitorimit të OSBE-së, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë atje.

Zëri i Amerikës: Departamenti i Shtetit bëri mbrëmë publike angazhimet e udhëheqësve të vendeve të ndryshme që morën pjesë në samitin e parë për demokracinë. Angazhime që lidhen me, dhe po citoj këtu, reformat dhe nismat për të mbrojtur demokracinë, për të luftuar korrupsionin dhe autoritarizmin. Në videomesazhin tuaj të dërguar në atë samit, ndër të tjera ju angazhoheni për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet. Ju jeni në pushtet tashmë prej nëntë vjetësh, në mandatin e tretë të qeverisë tuaj. Korrupsioni në Shqipëri vazhdon të jetë i pranishëm në të gjitha nivelet e qeverisjes. Përse administrata juaj nuk ka qenë më e suksesshme në luftën ndaj këtij fenomeni, ndaj korrupsionit?

Edi Rama: Prania e korrupsionit në sistemin tonë është e padiskutueshme, e padyshueshme, e pavënë në pikëpyetje. Por lufta kundër korrupsionit që ne kemi organizuar është pa diskutim një luftë e cila e ka atakuar korrupsionin në mënyrën e duhur. Dhe nga njëra anë ne jemi angazhuar duke marrë përsipër të udhëheqim reformën në drejtësi. Nga ana tjetër ne jemi angazhuar për të marrë përsipër të transformojmë të gjithë sistemin e shërbimeve. Dhe sot faktikisht, po të bëjmë një krahasim shumë të thjeshtë midis kohës së shpenzuar nga qytetarët shqiptarë dhe pamundësisë për të marrë shërbimet në kohën e duhur dhe cilësinë e duhur disa vite më parë, në krahasim me sot as nuk ka të krahasuar. Lufta kundër korrupsionit është modernizim, është shtetndërtim. Është krijim sistemesh të cilat garantojnë shërbimin në kohën e duhur, garantojnë të gjitha proceset e zbatimit të vendimmarrjeve në kohën e duhur dhe eliminojnë korrupsionin si alternativë. Pra, është një luftë që kërkon kohën e vet dhe durimin e vet.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, gjatë dhjetë viteve të fundit, sipas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, e kam fjalën për Transparency International, Shqipëria ka bërë pak përparim. Pra dhjetë vjet ndoshta mund të ishin të mjaftueshme për të bërë më shumë. Është ngritur vetëm me dy pikë. Pothuajse një qëndrim në vend numëro do thoja. Përse është kaq e vështirë në Shqipëri?

Edi Rama: Kjo është çështje metodologjish. Kjo është çështje indeksimesh që bëhen bazuar në metodologji të ndryshme. Dhe për hir të së vërtetës unë kam mësuar bashkë me eksperiencën, të mos i marr të mirëqena deri në fund të gjitha këto lloj indeksesh që publikohen.

Zëri i Amerikës: Këto pasqyrojnë realitetin, apo jo? Ju vetë sapo e pranuat.

Edi Rama: Jo, unë nuk pranova këtë. Unë pranova që as mund të vihet në dyshim që korrupsioni është një problem dhe është një sfidë. Nuk diskutohet kjo, sepse ne nuk kemi ende një shtet modern, të mirëorganizuar në të gjithë elementët e vet. Dhe për sa kohë mungon kjo, për aq kohë sistemet janë të penetrueshme nga forca e korrupsionit. Por, ajo që po thosha është që këto unë të gjitha i marr me rezervë. Boll të shikojmë çfarë ndodhi me raportin “Doing business”, një raport i cili u pezullua edhe nga vetë financuesi i tij i drejtpërdrejtë, Banka Botërore, sepse rezultoi një raport i influencuar nga korrupsioni. Kështu që nuk dua të vë asnjë hije dyshimi tek askush, por thjesht dua të them që unë nuk i marr këto raporte si të mirëqena 100%. Sigurisht ato janë indikative, sigurisht ato kanë vlerën e tyre. Ne i studiojmë të gjitha. Por, ne i referohemi fakteve konkrete dhe jo llafeve të bazuara pastaj në metodologjira që janë, sipas meje, të dala kohe dhe mode.

Zëri i Amerikës: Si i përgjigjeni ju vlerësimit, ose konstatimit, se barra e përgjegjësisë është më e madhe, flas për luftën ndaj korrupsionit, mbi ata që qeverisin? Aq më tepër duke patur parasysh faktin se partia juaj sot kontrollon të gjitha levat e pushtetit, qoftë atë qendror, qoftë atë lokal.

Edi Rama: Pa diskutim që barra e përgjegjësisë është me ata që qeverisin, nuk është me ata që qeverisen. Kjo nuk diskutohet. Nuk vihet në dyshim.

Zëri i Amerikës: Në kuptimin që pritet më shumë prej qeverisë për ta luftuar korrupsionin.

Edi Rama: Pa dyshim që gjithmonë pritet më shumë prej qeverisë për çdo gjë, kudo dhe vazhdimisht. Dhe kjo është krejtësisht e natyrshme dhe nuk ka se si të jetë ndryshe.

Zëri i Amerikës: Le t’ju bëj një pyetje më konkrete. Në Shqipëri këto ditë po kryhen dy hetime paralele. Një nga parlamenti, komisioni hetimor parlamentar, e kam fjalën për incineratorët, dhe një tjetër nga SPAK-u. Pa dyshim këto do bëjnë punën e tyre. Por pyetja ime ka të bëjë (me) përse në Shqipëri disa veprime që dyshohen tashmë që janë bërë në shkelje me ligjet për dhënien e kontratave nuk paraprihen, nuk parandalohen, nuk kapen përpara nga vetë strukturat. Në qoftë se kjo, ose ajo tjetër ministri në Shqipëri janë marrë me këtë kontratë, si shpjegohet që në asnjë hallkë nuk është vënë re një lloj shkelje, por kanë kaluar gjërat madje me shpejtësi marramendëse, derisa janë dhënë kontratat për të cilat sot mendohet që është nga aferat më të mëdha korruptive në vendin tuaj.

Edi Rama: Unë nuk hyj tek ata që e mendojnë këtë. Kështu që unë nuk kam si përgjigjem për këtë mendim. Unë besoj që janë dy gjëra krejt të ndara njëra me tjetrën. Një proces që është kurorëzuar me vepra që janë në shërbim të vendit, në shërbim të komuniteteve, në shërbim të shëndetit dhe të mjedisit. Dhe paralelisht me të, veprime të dyshuara individësh të caktuar që mbeten në suazën e përgjegjësisë individuale. Për të tjerat, besoj që jemi në kushtet shumë komode, kur prokuroria speciale po heton. Dhe i takon prokurorisë speciale të evidentojë faktet bazuar në hetim dhe në prova. Jo bazuar në llafe edhe në spekullime. Kështu që nuk shoh këtu asnjë lloj shqetësimi për të vërtetën, sepse përderisa kjo po hetohet, e vërteta do dalë deri në fund. Dhe në ndërkohë, si ditën e parë edhe sot, unë mbetem i mendimit që ato janë vepra të dobishme, në funksion të vendit, mjedisit, të komuniteteve.

Zëri i Amerikës: Dobia e tyre është tjetër gjë.

Edi Rama: Dobia e tyre është thelbi.

Zëri i Amerikës: Pa diskutim, por ne po diskutojmë për shkeljet që mund të jenë bërë.

Edi Rama: Shkeljet do t’i verifikojë prokuroria. Thashë, është një rast fatlum, kur gjithçka thuhet kalon faktikisht në filtrin e një organi të specializuar dhe nuk kemi të bëjmë me një rast kur flitet e flitet dhe në fund fare balta shpërndahet pa hesap ndërkohë faji nuk shihet.

Zëri i Amerikës: A jeni i shqetësuar se mund të dalin ministra dhe ish ministra të tjerë në këtë aferë?

Edi Rama: Unë nuk jam i shqetësuar absolutisht se mund të dalin ministra apo ish ministra apo kushdo qoftë tjetër, sepse për këtë e kemi bërë reformën në drejtësi. Unë e kam thënë se reforma në drejtësi bëhet për një drejtësi të drejtë, as të majtë as të djathtë. Nga ana tjetër përgjegjësia për rolin e çfarëdo qoftë në jetën publike është një përgjegjësi individuale. Këtë e kam besuar atëherë e besoj edhe sot. Nëse ka njerëz që “kanë ngjyer gishtin apo dorën” në një proces, i cili është bërë për t’i shërbyer vendit, për t’i shërbyer komuniteteve, për një Shqipëri më të pastër dhe për komunitete më të shëndetshme sigurisht që ata duhet të marrin ndëshkimin e merituar, sepse e kanë bërë këtë pas shpinës së një force qeverisëse që është këtu për shqiptarët dhe nuk është këtu për xhepat e vet.

Zëri i Amerikës: Pak më shumë se një vit më parë u fol për krijimin e një akademie të transparencës, një bashkëpunim me SHBA-të. Ku qëndron ky projekt? A po ecën përpara apo?

Edi Rama: Për këtë duhet të pyesni përfaqësuesit e administratës amerikane, jo mua. Këtu i keni. Afër.

Zëri i Amerikës: Kjo akademi po bëhet për Shqipërinë. Ata po ndihmojnë.

Edi Rama: Ata po na ndihmojnë për ta krijuar, por s’po e krijojnë.

Zëri i Amerikës: Domethënë, projekti për momentin quhet i pezulluar?

Edi Rama: Jo i pezulluar, por është një proces diskutimi që po zgjat. Të shohim dhe shpresojmë që do të konkludohet me sukses. E rëndësishme është që pala amerikane të bëjë diçka serioze dhe konkrete dhe jo një tjetër projekt nga ato projektet, ku thuhet se lekët i jepen Shqipërisë dhe ndërkohë lekët përdoren për të paguar ekspertët që vijnë nga këtu ose nga vende të tjera dhe paguhen në mënyrë mbresëlënëse për të dhënë receta të gatshme që shpeshherë nuk funksionojnë.

Zëri i Amerikës: Para se të largoheni nga SHBA-të ju do të keni një takim me USAID-in. A do të jetë kjo çështje në diskutim?

Edi Rama: Patjetër.

Zëri i Amerikës: Të enjten e kaluar parlamenti votoi për ngritjen e dy komisioneve të posaçme: atë për reformën zgjedhore dhe atë për reformën territoriale. Zakonisht kur ngrihen komisione të tilla ka një lloj bashkëpëlqimi mes forcave kryesore politike në parlament. Reforma e fundit territoriale në Shqipëri është bërë jo shumë vonë, në vitin 2014 pa pjesëmarrjen e opozitës, e cila e bojkotoi në atë kohë. Çfarë mendoni ju se duhet korigjuar tani?

Edi Rama: Mendoj që duhet të ketë më pak njësi vendore.

Zëri i Amerikës: Opozita pretendon që duhet të ketë më shumë. A mos këto dy qëndrime paragjykojnë edhe fundin e saj jo të suksesshëm?

Edi Rama: Jo. Komisioni është aty për t’i diskutuar të gjitha këto dhe për të bërë më të mirën për vendin. Nuk është aty për të nxjerrë kunjin me njëri tjetrin. Besoj që të paktën nga ana jonë do të vlejë për të ballafaquar argumentat, për të dëgjuar njëri tjetrin dhe për të dalë në konkluzione që i shërbejnë vendit.

Zëri i Amerikës: A jeni i hapur, për të hyrë me mendje të hapur në diskutim që edhe mund të shtohen.

Edi Rama: Jam gjithmonë me mendje të hapur.

Zëri i Amerikës: Për reformën zgjedhore, që është komisioni tjetër i sapokrijuar – Në Shqipëri, sa herë mbarojnë zgjedhjet, gjithmonë thuhet se do të mblidhemi dhe do ta përmirësojmë procesin zgjedhor dhe gjithmonë shtyhen, lihen për momentin e fundit dhe ndryshimet ligjore bëhen me urgjencë, që duhen ribërë përsëri. A pritet të ndryshojë diçka këtë herë, të bëhen më institucionale dhe më të stabilizuar?

Edi Rama: Mendoj që ne mund të bëjmë çdo ndryshim, por në thelb, reforma zgjedhore nuk të jep fitoren e zgjedhjeve në tavolinë. Zgjedhjet fitohen në popull, zgjedhjet fitohen duke marrë votat e njerëzve. E bëjmë edhe një reformë tjetër, nuk është problem. Jemi edhe këtu me mendje të hapur, por kjo nuk do të zgjidhi problemin real që kërkojnë pas çdo zgjedhje të humbur komision të ri.

Zëri i Amerikës: Shqipëria ndodhet në prag të zgjedhjeve të pjesshme vendore në fillim të marsit. Cilat janë pritshmëritë tuaja për këto 6 bashki, ku do të bëhen zgjedhjet?

Edi Rama: Ne kemi respektuar një proces që është tejet i vonuar pas një shkelje permanente të Kushtetutës nga ana e Presidentit, i cili mori peng këto komunitete për arsyet e mosarsyes së tij. Tani jemi në një fazë përfundimtare me 6 kandidatë, të cilët ofrojnë për komunitetet vlerat dhe aftësitë e tyre. Janë zgjedhje vendore, nuk janë zgjedhje politike. Ne jemi për bashkim, jo për ndarje. Ne jemi për të parë problemet e komuniteteve dhe për të vazhduar t’i trajtojmë ato me gjithë vëmendjen dhe dinjitetin e duhur. Përballë kemi dy forca që janë në një nxjerrje kunji me njëra tjetrën, “Kush jam unë e kush je ti”, dhe që të dyja janë pa legjitimitetin moral për të qenë aty ku janë, për shkak të dy frymëzuesve, udhëheqësve, drejtuesve të tyre, që janë pengje të të shkuarës që të dy. Por u takon qytetarëve që të bëjnë zgjedhjen e tyre dhe ne do të respektojmë zgjedhjen e tyre,. Për ne kjo nuk është një betejë “për jetë a vdekje” në kuptimin simbolik. Është një ofertë për komunitetet: kush do të dojë që të ecë përpara me gjithë sinergjinë që krijon një drejtim i njëjtë i bashkisë me atë të qeverisë, t’i japë votën kandidatëve tanë. Kush do të dojë të votojë për të bërë politikë me jetën e vet të përditshme dhe për t’i shërbyer një pengu apo një tjetri, do të votojë kështu dhe do ta paguajë duke lënë qytetin dhe bashkinë pa një kujdestar, që merret përditë me pastrimin, me ndriçimin, me kopshtet, çerdhet me mjedisin, me jetën komunitare, dhe nuk merret me një luftë politikë politike përçarëse dhe nuk i shërben absolutisht qytetarëve dhe askujt.

Zëri i Amerikës: Opozita po kalon disa momente përplasjesh brenda vetes së tyre. Por cili është ndikimi i gjendjes në të cilën është opozita sot mbi qeverisjen e administratës tuaj? Në pamje të parë duket e lehtë: Ata kanë probleme, për mua është më e lehtë, por nuk duhet të jetë kështu. Si po ndikon kjo mbi qeverisjen tuaj?

Edi Rama: Ne nuk kemi patur opozitë prej vitesh nuk është diçka e re për sa i përket qeverisjes. Opozita që kemi patur ka qenë një opozitë muskujsh dhe jo një opozitë mendjesh. Por ajo që po ndodh nuk është e lehtë por është shumë dramatike. Është një përçarje e madhe, që reflektohet në një ndarje të madhe edhe në popull edhe tek njerëzit, duke shkatërruar premisat e një opozitarizmi modern dhe konstruktiv, europian, alternativë fituese, por edhe duke dëmtuar vendin, nuk diskutohet. Jam shumë dakord me ju për këtë. Por ne nuk mund të ndryshojmë gjësendi në atë dinamikë. Është një pengmarrje spektakolare e opozitës nga dy personazhe që janë tragjiko-komikë në përpjekjen e tyre. Njëri është shpallur non grata nga SHBA-të, që është fundi i botës për një lider të çfarëdolloj organizate në një vend si Shqipëria. Dhe tjetri është një humbës serial që flet sikur ka zbuluar Amerikën, por në fakt është thjesht dhe vetëm peng i vetvetes. Kështu që janë dy udhëheqës, dy drejtues, dy personazhe pa asnjë legjitimitet.

Zëri i Amerikës: A ekziston rreziku që kjo gjendje të ndikojë mbi qeverinë tuaj, në mënyrë që të bëheni më arrogant, më autoritar?

Edi Rama: E thashë që ne nuk kemi patur opozitë gjatë gjithë kësaj periudhe. Të paktën unë qysh se jam në krye të qeverisë nuk mbaj një ditë me një opozitë racionale dhe të arsyeshme. Mbase mbaj mend vetëm një natë me opozitë racionale dhe të arsyeshme, por asnjë ditë. Kjo është arsyeja pse ne po përpiqemi të rrisim kapacitetin tonë të komunikimit dhe dëgjimit me njerëzit dhe të hapim rrugë të reja për të ndërvepruar me qytetarët pa dallim partish, pa dallim bindjesh, pa dallim krahinash, pa dallim vendndodhje brenda dhe jashtë Shqipërisë. Për këtë arsye jemi edhe në procesin e këshillimit kombëtar, ku kërkojmë që të gjithë qytetarët të japin opinionin e tyre për disa vendimmarrje të qeverisë për të cilat ne kemi dilemat tona. Do të ishte mirë që kjo të ndodhte me opozitën, por opozita është vetëm për përçarje, vetëm për ndarje, vetëm për eksplozione emocionale jashtë rrugës së arsyes, ndërkohë që politika kërkon në radhë të parë arsyen.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama! Ju faleminderit!/VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Shefi i Pentagonit në Bruksel për bisedime të rëndësishme në NATO

Story i radhës

Analisti: Vizita e Ramës në SHBA ka një anomali, absurde nëse nuk është diskutuar kjo temë

Të fundit nga

Zbardhen prapaskenat

Një lajm i bujshëm po qarkullon ditët e fundit në mediat italiane për një tjetër mbrojtës që Juventusi mund t’i rrëmbejë Milanit. Këtë herë bëhet fjalë për Fikajo Tomorin i cili mund
ShkoLartë