Shefi i Pentagonit në Bruksel për bisedime të rëndësishme në NATO

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, mbërriti në Bruksel për të zhvilluar bisedime me udhëheqësit e NATO-s dhe ministrat e mbrojtjes së vendeve aleate, ndërsa dhjetëra mijëra forca ruse kanë rrethuar Ukrainën nga veriu, jugu dhe lindja.

Gjatë mbledhjeve të mërkurën dhe të enjten, Sekretari Austin dhe homologët e tij do të diskutojnë si të parandalojnë një sulm rus kundër Ukrainës, ndërsa po shtojnë kapacitetet mbrojtëse të aleancës në krahun lindor të saj.

“Ky është vërtet një moment vendimtar për NATO-n; një moment të tillë nuk e kemi parë ndoshta nga krijimi i NATO-s në vitin 1949”, thotë Bradley Bowman, drejtor në Qendrën për Fuqinë Ushtarake dhe Politike në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive. “Këtu ka rëndësi roli udhëheqës i NATO-s”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Mesazhi kryesor nga NATO-ja dhe nga Shtetet e Bashkuara do të jetë për mbrojtjen e rendin ndërkombëtar të bazuar tek rregullat, duke denoncuar “përpjekjet revoltuese për të goditur sundimin e shtetit ligjor” dhe “për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve”, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes.

“Nuk mund të lejojmë asnjë kundërshtar që të ripërcaktojë kufijtë nëpërmjet forcës dhe pa u përballur me pasoja domethënëse”, shtoi zyrtari.

Sekretari Austin do të udhëtojë në vazhdim në dy vende anëtare të NATO-s, në Poloni dhe Lituani, dy vende fqinje të Rusisë që po ndjekin zhvillimet përreth Ukrainës me shqetësim në rritje.

Në Poloni, Sekretari Austin do të takohet të premten me Presidentin Andrzej Duda, përpara se të vizitojë forcat amerikane. Shtetet e Bashkuara së shpejti do të kenë rreth 9 mijë forca në Poloni, pasi Presidenti Joe Biden urdhëroi më herët këtë muaj dislokimin atje të rreth 5 mijë forcave shtesë, për shkak të shqetësimeve nga lëvizjet më të fundit të Rusisë.

Në Lituani, Sekretari Austin do të takohet me Presidentin Gitanas Nauseda dhe do të ketë një takim të përbashkët me ministrat e mbrojtjes të Lituanisë, Estonisë dhe Letonisë./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Vrau kinematografen gjatë xhirimeve, Alec Baldwin paditet nga familjarët

Story i radhës

Edi Rama flet nga SHBA, tregon çfarë u diskutua në takimin me Sekretarin Blinken

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish