Në orët e vona të së mërkurës, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se janë zhdukur mostrat e ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Njoftim që të rrëqeth mishin dhe gjakun, ndonëse jo aq befasues kur dihet vet historiku i dramës së Astritit të ndjerë. Një akt të tillë ministrja Haxhiu e ka cilësuar akt të rëndë dhe kriminal.
Ky është skandal i organizuar nga ata që kryen këtë krim dhe po mundohen me i fsheh gjurmët. Mënyra e vdekjes së Astritit ende është mister edhe pas gjashtë vitesh, disa thonë se u vra e disa besojnë fortë se Astrit Dehari u vetëvra.
Dyshimet janë të forta se është vra. Në fotot e publikuara nga qelia ku ndërroi jetë Astriti, ndër të tjera u gjenden edhe foto të të ndjerit me lëndimet në kokë, dorë, krahë e në pjesën e parakrahut.
Si ka mundësi që një njeri që vret veten të ketë lëndime në kokë e kraharor. Edhe pa qenë fare ekspert lirisht mund të konstatojmë se Astriti është rrahur, është kacafytur me vrasësit. Dëshmi tjetër është edhe peshqiri i gjakosur, e plot të tjera dëshmi brenda qelisë ku ndërroi jetë Astriti.
Fakt tjetër është edhe vdekja në mënyrë misterioze e shokut të burgut të Astriti, për këtë ka folur edhe nëna e Astriti. Xhemile Dehari, nëna e dy aktivistëve të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbnor e Astrit Deharit, është shprehur me habi për dy vdekje të tjera, që ndërlidhen me hetimin e rasteve të vdekjeve të dy djemve të saj.
Naser Makolli, ishte shoku i Astriti që vdiq në mënyrë misterioze, dhe për këtë nuk u bë shumë bujë, edhe pse është një element shumë me rendësi për hetime.
Zhdukja e mostrave është në vazhdën e përpjekjeve për fshehjen e çdo gjurme nga ata që e vranë Astritin. Ata nuk ishin njerëz dosido, kanë bërë dhe do bëjnë çdo gjë që mos të zbulohet kurrë krimi. Veprimet, intrigat dhe të gjitha çfarë ka ndodhur që nga vdekja e Astritit janë dëshmi se s’ka bërë vetëvrasje, në do kishte vdekur nga natyra, po do kishte vrarë veten, pse duhet të vidhen mostrat? Dhe jo vetëm kaq, një mal me krime për të mbuluar krimin.
Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO