Presidenti Bajram Begaj ka përcjellë një mesazh me rastin e Ditës së Evropës, duke vlerësuar projektin e Bashkimit Europian si një projekt të ndërtuar mbi paqen, sigurinë, demokracinë, begatinë, solidaritetin dhe lirinë.
Në mesazhin e tij, Begaj theksoi se kjo ditë është edhe një moment për të nderuar të gjithë ata që kontribuuan për ndërtimin dhe bërjen realitet të projektit europian.
Presidenti u ndal edhe te rrugëtimi europian i Shqipërisë, duke theksuar se vendi është më pranë se kurrë anëtarësimit në familjen europiane.
“Sot ne festojmë Ditën e Evropës dhe nderojmë të gjithë ata që ndërtuan dhe bënë realitet projektin e Bashkimit Evropian, i cili ka në zemër paqen, sigurinë, demokracinë, begatinë, solidaritetin dhe lirinë.
Shqipëria është sot më afër se kurrë për të qenë pjesë e familjes evropiane, e gatshme për t’i shtuar projektit evropian energjinë dhe vlerat e saj!”, shkruan Presidenti.
Burimi: botasot.info


