Në Komisionin parlamentar për Financa dhe Buxhet vazhdoi debati për amendamentet e Propozim-buxhetit për vitin e ardhshëm 2027, transmeton TV21. Debati për amendamentet filloi dje, kur u refuzuan rreth 30 amendamente, ndërsa as sot nuk u pranua asnjë amendament i propozuar nga opozita. Ndryshe, gjithsej janë dorëzuar 400 amendamente nga grupet parlamentare opozitare të LSDM-së, Frontit Evropian dhe së Majtës.
“Me amendamentin e propozuar kërkojmë sigurimin e mjeteve financiare në vlerë prej 740 milionë denarësh për rikonstruksionin e gypave kryesorë kolektorë dhe rikonstruksionin dhe modernizimin e stacioneve të pompimit në Ohër dhe Strugë, me qëllim përmirësimin e funksionalitetit të sistemit për largimin e ujërave të zeza dhe, në këtë mënyrë, mbrojtjen afatgjatë të Liqenit të Ohrit”, tha Daniella Nikollova nga LSDM.
“Në Buxhetin për vitin 2027 janë planifikuar 5 milionë denarë për këtë qëllim, ndërsa për vitet 2028 dhe 2029 janë projektuar edhe 35 milionë denarë shtesë. Amendamenti i propozuar, në vlerë prej rreth 12 milionë eurosh, kërkon dokumentacion të plotë projektues, dinamikë të përcaktuar dhe konstruksion financiar, dhe për këto arsye amendamenti nuk pranohet”, u shpreh zëvendësministri i Financave Nikollçe Jankullovski.
Burimi:TV21


