Disa vende fillojnë evakuimin e shtetasve të tyre nga Sudani

Disa shtete kanë nisur evakuimin e qytetarëve të tyre nga Sudani, pasi luftimet në kryeqytet midis ushtrisë dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) kanë hyrë në javën e dytë, transmeton Anadolu.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha në Twitter se evakuimet e para të diplomatëve dhe qytetarëve të Bashkimit Evropian (BE) kanë filluar tashmë nga kryeqyteti Khartum.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Egjiptit tha se procedurat e evakuimit të qytetarëve egjiptianë nga Sudani filluan në koordinim me autoritetet sudaneze.

Përpos kësaj, bëhet e ditur se janë duke u zhvilluar procedurat për evakuimin e shtetasve të Libanit dhe Jemenit.

Italia

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni njoftoi se u evakuuan bashkatdhetarët e saj që kërkuan të largohen nga Sudani.

Kryeministrja Meloni, në një deklaratë me shkrim gjatë natës, tha: “Pas një pritjeje njëditore me ankth, u evakuuan të gjithë qytetarët tanë që donin të largoheshin nga Sudani. Mes tyre ka të huaj. Italia nuk lë askënd pas”.

Meloni, e cila falënderoi ministrat përkatës dhe institucionet shtetërore që punojnë për realizimin e këtij evakuimi, tha: “Për më tepër, me këtë rast dëshiroj të ritheksoj thirrjen time për përfundimin e luftës në mënyrë që të fillojnë negociatat për një qeveri civile. Sudani ka nevojë për paqe”.

Në lajmet në shtypin italian thuhet se gjithsej 150 persona, 107 prej të cilëve italianë, janë evakuuar nga kryeqyteti i Sudanit në Xhibuti dhe do të sillen në Itali me avionë të Forca Ajrore Italiane.

Konflikti mes ushtrisë dhe RSF-së në Sudan

Përleshjet e armatosura filluan mes ushtrisë dhe RSF-së paraushtarake mëngjesin e 15 prillit në kryeqytetin e Sudanit Khartum dhe qytete të tjera.

Mosmarrëveshja në muajt e fundit mes ushtrisë dhe RSF-së për reformën e sigurisë ushtarake, e cila parasheh “pjesëmarrjen e plotë të RSF-së në ushtri”, ishte kthyer në një konflikt të nxehtë.

Ministria e Punëve të Jashtme sudaneze njoftoi se Kryetari i Këshillit të Sovranitetit dhe Komandanti i Ushtrisë Gjeneral Abdulfettah al-Burhan kishte vendosur të shpërndante RSF-në, e cila u përplas me ushtrinë, dhe ta shpallte atë forcë rebele kundër shtetit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga konfliktet kanë humbur jetën 413 persona dhe janë plagosur 3.551 persona.

RSF-ja njoftoi se do të zbatojë një armëpushim “humanitar” 72-orësh duke filluar nga dita e parë e Bajramit, ndërsa ushtria njoftoi se do të respektojë thirrjen për armëpushim të qarqeve ndërkombëtare në mbrëmje.





Story i mëparshëm

Sot kryesisht mot me diell, ja kur pritet të destabilizohet moti në Maqedoni

Story i radhës

Nesër në Moskë takim i ministrave të mbrojtjes dhe shefave të inteligjencës Türkiye-Rusi-Siri-Iran

Të fundit nga