Dibra, kërthiza e bjeshkatarëve shqiptarë

min lexim

Sipas shkrimtarit rilindas ortodoks shqiptar, Josif Bagerit, Dibra është kërthiza e shqiptarisë dhe ky epitetit mori pak kuptim gjatë 48 orëve të fundjavës së fundit të tetorit 2022, ku rreth 30 bjeshkatarë nga Elbasani, mes tyre avokatë, shefa policie, profesorë, biznesmenë dhe mbi të gjitha kryetari i Federatës së Sporteve alternative të Shqipërisë, Artur Guni, ishin pjesë të vizitës në malet juglindore të Dibrës së Maqedonisë së Veriut. Për shkak të tyre dhe bukurive të maleve, në këtë udhëtim kulturoro-bjeshkatar pjesëmarrës ishin edhe dy duzina bjeshkatarësh të nderuar nga Gostivari, Struga e Shkupi si dhe nga vetë Dibra e madhe. Kush dëshironte ju bashkangjit ftesës së hapur për Stogovë.

 29 tetor (e shtunë)

Elbasanlinjtë plot energji pozitive u nisën drejt Strugës orëve të para të mëngjesit të 29 tetorit, ku natyrisht nuk kishin pse të mos shijonin një kafe në lumin që do shoqëronte gjatë gjithë kohës, Drinin e Zi. Më pas u nisën drejt Dibrës, ku në hidrocentralin e Glloboçicës duheshin të takohen me vëllezërit e tyre nga Maqedonia e Veriut.

Ishte ora pak pas 11-tës, ku rreth tetë bjeshkatarë nga Maqedonia u takuan me elbasanlinjtë në pendën e Glloboçicës dhe menjëherë pas daljes u dëgjua një “selam aleikum” nga Shqipëria në drejtim të dibranëve jo aq fetarë. Mbetën të stepur, pa e kuptuar se kjo ishte një shaka “alla-shqiptare”. Artur Guni tha se jemi të gjithë shqiptarë dhe kemi përshëndetjet tona.

Pas një bisedë të shkurtër dhe çmalljeje mes Artur Gunit dhe Fitim Dikës që njihen prej 2010, udhëtimi vijoi përpjetë drejt fshatrave turke Elevcë, Dolgash, Novak e Koxhaxhik. Pak përpara Novakut, të gjithë bjeshkatarët dalin për të shijuar pamjen e gjërë që ofronte lartësia në drejtim të luginës së Drinit dhe për të shkëmbyer akoma më shumë ide mes personave të ndryshëm dhe me profesione të ndryshme, por me dëshirë të njëjtë për të njohur më tepër. Dikush thoshte se këto fshatra janë shqiptarë të turqizuar dhe duhet t’u bëhet ADN-ja, kurse ndokush tjetër se janë turq të sjellur nga Anadolli pas Betejës së Sveti Gradit mes Skëndërbeut dhe trupave osmane më 1448.

Muzeu i Ataturkut dhe Kalaja e Skëndërbeut

Për të përkrahur secili idenë e vetë, ndokush arsyetohej te shtëpia muzeale e Ataturkut në Koxhaxhik dhe ndokush tjetër te Kalaja e Skëndërbeut, që vezullonin nga larg dhe ishin po aq afër.

Vijuam tutje, kaluam Novakun dhe pak përpara se të arrijmë në Koxhaxhik, kthyem për në shtëpinë e bukur të paraardhësve të Ataturkut, ku fondacioni turk TIKA e kishte rindërtuar për mrekulli. Pasi pritëm pak ciceronin që na hapi portat e shtëpisë, të gjithë bjeshkatarët panë jetën e improvizuar të dikurshme të prindërve të Ataturkut, mes leximit të Kuranit, orendive shtëpiake përgatitjes së çajit dhe marrjes me bujqësi. Natyra përrallore poshtë shtëpisë së Ataturkut të kujtonte poemën “Bagëti e Bujqësi” të Naim Frashërit.

Më tutje, tashmë të bashkuar edhe me bjeshkatarë nga Shkupi, grupi vijoi drejt Kalasë së Sveti Gradit, ku ngjitja ishte e shkurtër por kërkonte vëmendje dhe gjetje të shtegut të braktisur. Ndokush nisi më para, ndokush mendonte se duhet të marrim djathtas e ndokush majtas, por në fund shkuam sipas atij që kishte ngjitur kalanë para pak muajsh. Është disi e pamundur që të kontrollohet një grup i madh bjeshkatarësh shqiptarë, por ngjitja shkoi për mrekulli. Guni thotë se edhe kjo cilësi shqiptare ka anë pozitive pasi është e pamundur të deshifrohesh nga armiku – secili shqiptar me strategji të vetën.

Nga maja e Kalasë së Svetigradit dukeshin deri larg fusha e Gjuricës, por kishte kuptim edhe alarmimi përmes zjarrit e topave në drejtim të kalasë tjetër të Modricit dhe më pas drejt Kalasë së Petrelës në afërsi të Tiranës. Distanca ajrore mes tyre është 30 deri 40km.

Zbritëm teposhtë dhe nisëm drejt Papranikut sllavishtfolës ku ndaluam për një kafe. Këtu Arturi i këshilloi bjeshkatarët shqiptarë të Maqedonisë për problemet që kanë me federatën dhe rrugën që çonte drejt zgjidhjes dhe bashkimit. Urojmë që bjeshkatarët të kenë marrë mësimet plot të vyeshme të tij, ku mes tjerash ishte që ky sport të popullarizohej edhe te gjinia tjetër. Si krahasim, ai mori Elbasanin, ku në fillim edhe atje stepeshin gratë, por pasi Arturi mori vetë gruan e tij nëpër male, filluan gradualisht edhe të tjerët dhe sot Elbasani ka më shumë gra sesa burra në aktivitete bjeshkatare.

Njëri që përshëndeste me “selam aleikum” tani tha “elhamdulilah” dhe nxori ilaqin çudibërës shqiptar “rakinë”. Për ata që besojnë botën tjetër ky është një provokim, por për ata që nuk besojnë botën tjetër, kjo është një shaka e rastit. Besimtarët duhet të kuptojnë të tjerët që nuk besojnë, kurse ata që nuk besojnë duhet të respektojnë atë që është e shenjtë te tipat religjioz si Zoti, librat e profetët.

Dibra e madhe

Diku afër perëndimit të diellit lamë Papranikun sllavishtfolës  me ADN shqiptare, për të shkuar drejt Dibrës së amerikanëve dhe kryesisht të boshatisur nga rinia. Ndaluam menjëherë në restorantin Rosmarinë për të shijuar drekën tradicionale dibrane të sponsorizuar nga kompania superesuksesshme “Slice”. Hëngrëm çorbë dibrane, jani me mish, jufka, qeshkek dhe në fund hallvë. Mikpritje tipike që e gjen vetëm në Dibër dhe vështirë diku tjetër ku japin groshë e sallatë. Normalisht ndokush porositi edhe diçka tjetër. Elbasanlinjtë përshëndetën të pranishmit për mikpritjen, kurse nikoqirët i përshëndetën për mirë se ardhjen.

Arturi edhe njëherë këtu mblodhi kryetarët e disa shoqatave në Maqedoninë e Veriut për t’i konsultuar rreth mosmarrëveshjeve, kurse njëri nga bjeshkatarët u shpreh:

-shoqata e parë bjeshkatare eshtë SHBE Shkupi,

-malet më të bukura dhe të panjohura i viziton SHA Nivishta dhe KBC Dibra,

-shoqata me më shumë bjeshkatarë është Dardania,

-shoqata që ka më shumë vajza është Gryka e Dërvenit,

-shoqata me të rinjtë më të zellshëm është Natyra-Saraj,

-shoqata që shkruan më mirë tekstin shqip pas aktiviteteve është Go, visit, hike & bike

-më të shpejtët në ecje janë grupi i Gazi Babës,

Etj etj

Duhet ti shikojmë të mirat e njëri-tjetrin për t’u bashkuar, të harrojmë të kaluarën që sjell dhimbjen dhe të shohim nga e ardhmja që sjell shpresë.

Kosovrasti

U larguam nga restoranti, u vendosëm nëpër hotele e motele dhe më pas u nisëm drejt banjave termale të Kosovrastit. Aty pasi paguam biletën 5 euroshe, të gjithë filluam të lahemi, përveç një doktorit që statistikonte me trupin. Ai thoshte se duhet të kalojnë tre orë pas hajes për t’u larë në banja termale. Të tjerët pa statistikë laheshin, këndonin dhe zbaviteshin në pishinën e gjërë të Kosovrastit.

Pas një kohe, disa vajza gjysmë të zhveshura elbasanlije u futen në pishinën e burrave. Aty një hoxhë shpërthen duke u thënë: “hejj, këto osht veç për borra, shkoni mi aqe te dera tjetër”, por gratë pa sherr të Elbasanit thanë se “jo s’ka gjë, neve nuk kemi turp të lahemi këtu”, kurse për ti vendosur kapakun, një rom i pranishëm aty në banjë e përmbylli “aku, aku, këto jen motrat tona”.

Nata dibrane

U larguam të larë, por me aromë sulfuri bjeshkatarët e të gjitha trevave shqiptare. Ndokush ishte i pafuqishëm dhe ra të flejë, por shumica dolën për të shijuar natën e së shtunës dibrane. Të mësuar me aheng e kërcime, elbasanlinjtë mbetën të pakënaqur nga kafiteritë dibrane. Nuk kishte muzikë live dhe atmosferë nate. Qyteti kishte nuancë të boshatisurish dhe nuk e kishte pamjen e qendrës së veriut shqiptar, kjo ndikuar edhe nga ndarja territoriale e 1912.

Mbetur të pakënaqur nga kafiteritë dibrane, grupi i huaj niset drejt kazinove dhe shijojnë fatin. Dibra ka malet, ujërat termalë, por më shumë investime janë përqendruar në kazino sesa në agjensi turistike. Dibra do mbijetojë financiarisht me atë rrugë që zgjedh të promovojë.

30 tetor (e diel)

Mëngjesin e së dielës së fundit të tetorit 2022, bjeshkatarët mblidhen në Sheshin Skëndërbeg,  që bllokojnë rrugën me veturat luksoze 4×4. Kamarierët dibranë shërbejnë plot dëshirë bjeshkatarët e rinj, kjo të ndihmuar edhe nga njohja e mentalitetit të tyre. Dibranët janë rritur me TVSH dhe më pas me Top-Channel e Klan prej kur ekzistojnë.

Për të qenë më dibranë, biznesmeni super humanist, Miçe Duka, dhuroi disa qeleshe dibrane për bjeshkatarët që të dalin fotot më tradicionale pranë heroit kombëtar Skëndërbeut dhe më pas drejt heroit të Luftës së Parë Botërore Elez Isufi. Pas fotove, grupi bëhet gati për t’u nisur drejt Broshticës. Njëri nga elbasanlinjtë theksonte se origjina e tij është nga fisi Isufi i Lumës, pikërisht bashkëfamiljar i Elez Isufit. Asnjë bjeshkatar nuk ndaloi për foto te partizanët që çliruan vendin nga nazifashistët gjermanë. Kjo tregon se pavarësisht se mbi gjysmëshekulli është promovuar për heroizmin e partizanëve, populli nuk bindet në meritat e tyre. Sikur të kujton faktin se pas vdekjes gjithçka qartësohet dhe drejtësia triumfon. Asgjë nuk arrihet me zor.

Broshticë

Vijuam tutje drejt Broshticës me rrugë gjarpërore, por me asfalt të mirë. Aty na pritnin bjeshkatarë të rinj të kryesuar nga Fitim Hoxha dhe bjeshkatarë nga Hani i Elezit të Kosovës të kryesuar nga Bedri Bushi. Ky i fundit meriton të shpallet ngjitësi i marshutës, “Player of the match”, i cili respektoi Dibrën për tu nisur nga Hani i Elezit, vetëm për të parë malet e saj. Ishim rreth 70 bjeshkatarë, nga të gjithë trojet shqiptare, kurse Arturi gjatë ngjitjes e zbritjes po bisedonte me secilin veç e veç dhe sëbashku.

Ngjitja ishte e lezetshme dhe me vullnet të lirë. Ndokush off-road dhe me fuoristrada ku shpërthente muzika shqiptare plot hare bjeshkatarësh, kurse ndokush tjetër me ngjitje në këmbë. Aty-këtu vërehej mosdisponimi i disa fillestarëve dhe disa bjeshkatarëve me përvojë që kërkonin nga udhëheqësi të ketë pushime dhe diciplinë, por në fakt që të gjithë e ngjitën majën e Stogovës. Më i vjetri dhe më me përvojë ishte Zdravko T., i cili duhet të dëgjohet nga çdo i ri entuziast i maleve.

Pas një udhëtimi pak orësh, grupi arrin në majë. Aty shkrepen fotot dhe Arturi edhe njëherë bën bashkë të gjithë bjeshkatarët ashtu siç i ka hije një udhëheqësi shqiptar që të bëjë bashkë të gjithë shqiptarët. U shkrep fotoja e përbashkët. Kjo të kujtoi bashkimin e Nëntë Maleve të Dibrës kundër Hajredin Pashës, që arritën ta mposhtin në Fushë Gjuricë, që dukej mjaft qartë nga maja e Stogovës (2218m). Pamja nga maja e Stogovës më së miri të kujton shprehjen latine Omnis natura Deo loquitur.

Koha ishte e mahnitshme, shikimi shkonte përtej maleve të Dibrës deri te gadishulli i Linit në Liqenin e Ohrit, gadishull që ju fal Shqipërisë, në këmbim që toka në perëndim të Drinit të Zi mes Strugës e Dibrës ti falej Jugosllavisë për t’u ndërtuar rruga mes këtyre dy qyteteve në LPB. Bjeshkataria nuk është (vetëm) statistikë për të njohur lartësitë e të gjitha majave, as sport se kush arrijë i pari dhe kush zgjedh ngjitjen më të vështirë, por edhe sport që përfshin lëndët tjera si historinë, botanikën dhe respektimin e natyrës. Të dish se aty ku ec çfarë ngjarje historike kanë ndodhur dhe aty ku shkel barin, të dish se çfarë shërim ka në të.

Fundi

Një kritike që vendos Sejjid Husein Nasr për alpinistët është se ngjtija e malit nëpër shtigjet më të vështira dhe ngjitja prepotente e sa më shumë majave duket e ngjashme si zaptuesit e maleve.

“Njerëzit nuk u ngjiten më maleve shpirtërore ose së paku e bëjnë shumë rrallë. Tani duan të pushtojnë të gjitha majat e maleve. Ata dëshirojnë ta privojnë malin nga e tërë madhështia e tij duke e mposhtur – mundësisht përmes linjës më të vështirë të ngjitjes,” shkruan Nasr në librin e tij “Njeriu dhe Natyra”.

Pasi grupi kreu fotografinë e përbashkët, grupi u nda në pesë cepat e trojeve ku flitet shqip. Disa shkuan drejt Elbasanit, disa drejt Hanit të Elezit të Kosovës, disat drejt Gostivarit, disa drejt Shkupit e ndokush mbeti në Dibër. Në fund, kryetari i Nivishtës, Bardhyl Miftari u dhuroi Elbasanlinjve librat mbi veprimtarinë e shkrimtarit rilindas Josif Bagerit, i cili njihet për shprehjen e tij të famshme se “Dibra është kërthiza e Shqipërisë”.

Story i mëparshëm

Ish-kryeministri pakistanez, Khan njofton vazhdimin e marshimit drejt kryeqytetit nga ku u sulmua

Story i radhës

La Repubblica: Moska ndez konfliktin në Kosovë, shpërthimi edhe më afër Italisë

Të fundit nga