Deputeti: Kriza Ukrainës – rrezikon destabilizim në veri/ Strukturat ilegale dhe agjenturat ruse e serbe, shumë aktive

February 2, 2022
min lexim

Situata në Kosovë po vazhdon të jetë përplotë me ngjarje, të cilat po e preokupojnë opinonin publik.

Përveç situatës politike që është e ndërlikuar, edhe ajo pandemike po e vështirëson edhe më shumë.

Në lidhje me këtë në një intervistë për “Bota sot”, flet deputeti nga radhët e LVV-së, Agon Batusha duke prekur secilën temë thuaja, që vendi momentalisht po e kalon.

Deputeti thotë se që nga qeverisja Kurti, vendi ka arritur të miratoj një seri ligjesh dhe shumë të tjera po presin të miratohen. Duke shtuar që dy situatat më të vështira mbeten pandemia dhe kriza energjetike, por menaxhimi i tyre po bëhet në mënyrë profesionale dhe shpejtë do t`i tejkalojmë edhe këto dy shqetësime.

Batusha e sheh të pashmangshme krizën energjetike, mirëpo thotë se do të punohet mjaft shumë që të mos i bie e gjithë barra qytetarëve, ndërsa protestën e sheh demokratike dhe aspak pengesë, mirëpo sugjeron që të jepen alternativa se si të dilet nga kjo situatë.

I pyetur për thirrjet për rrëzimin e qeverisë Kurti, deputeti i sheh vetëm arsye të forta që Qeveria ta vazhdojë punën e saj dhe se qeverisja e drejtë e jona ka dëshmuar edhe proges në luftimin e korrupsionit.

Një temë me rëndësi mbetet padyshim edhe liberalizimi i vizave. Pasi ai është pjesë e Komisionit për Integrime, Batusha thotë se Kosova i ka kryer të gjitha detyrat e saja në raport me Komisionin Evropian vetëm se ky liberalizim po varet nga politika e BE-së.

Ndërsa, për krizën që po mbretëron në mes të Ukrainës dhe Rusisë, deputeti thotë se Serbia mbetet rrezik i vazhdueshëm, mirëpo situata është duke u kontrolluar në mënyrë të vazhdueshme dhe se institucionet e vendit janë duke i marrë masat e duhura.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike pas zgjedhjeve lokale?

Agon Batusha: Pas zgjedhjeve lokale është intensifikuar puna e Kuvendit dhe Komisioneve Parlamentare. Kemi arrit të miratojmë një sërë ligjesh, ndërsa rreth 30 projektligje kanë mbetur në pritje të votave të deputetëve. Kriza energjetike dhe vala e re e COVID-19 apo Omicroni bëri që opozita të riaktivizohet dhe të ketë debate, të cilat shpeshherë janë të paarsyeshme dhe nuk japin zgjidhje të problemeve. Fundja, kjo është politika e subjekteve opozitare të cilat po tentojnë të bllokojnë çdo përparim të qeverisë së z. Kurti dhe madje pamë që për herë të parë në Kuvendin e Kosovës me votat kundër të LDK-së, nuk u miratu një marrëveshje ndërkombëtare që qëllim kishte reformën e sistemit pensional. Nga mungesa e kauzave, tentojnë të tregojnë forcën bllokuese aty ku qytetarët kanë më së shumti nevojë. Gjithsesi, mazhoranca mbetet stabile dhe e motivuar për të vazhduar përpara me programin qeverisës dhe atë legjislativ, për të mbajtur premtimet tona dhe për të përmirsuar jetën e qytetarëve tanë.

“Bota sot”: Si e komentoni punën e qeverisë Kurti deri më tash?

Batusha: Qeveria Kurti ka 10 muaj që është duke punuar dhe deri sot rezultatet janë shumë më pozitive krahasuar me cilëndo qeverisje të mëparshme. Qeveria Kurti arriti të mbaj premtimin për vaksinim të 60 % të popullsisë, miratim dhe shprëndarje të pakos së rimëkëmbjes ekonomike, programet për shtesat, për lehonat dhe shtesat për fëmijët, lufta ndaj krimit të organizuar, mbrojtja e sovranitetit të shtetit, investimet në ushtrinë e Kosovës, arsimi i lartë pa pagesë, pastaj rritja rekorde e të hyrave doganore, rritje 9.9% e ekonomisë, rritje për 12% e buxhetit të shtetit dhe shumë punë e suksese të tjera, bëjnë që kjo Qeveri dhe kjo mazhorancë të ketë vlerësim pozitiv për punën e tyre. Patjetër, që sfidat më të mëdha gjatë vitit që lam pas dhe fillimit të këtij viti mbetet pandemia dhe kriza energjetike, por menaxhimi i tyre po bëhet në mënyrë profesionale dhe shpejtë do t`i tejkalojmë edhe këto dy shqetësime. Viti 2022 do të jetë vit që do të shihet më së miri puna e qeverisë Kurti dhe ndryshimet pozitive do të preken apo do të ndikojnë pozitivisht në jetën e qytetarëve.

“Bota sot”: Kosova këto ditë po ballafaqohet me mungesë të energjisë elektrike. Opozita vazhdimisht po deklarohet që qeveria Kurti ka pasur mundësi të merr masa paraprake. Cili është qëndrimi i juaj në lidhje me këtë temë.

Batusha: Kriza energjetike mund të ishte vonuar, por assesi nuk mund të ishte shmangur. Në krizë energjetike janë pothuajse gjitha vendet e Evropës, madje edhe fqinjët tanë si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut apo Serbia. Gjitha kanë marrë hapa të ndryshëm, madje më heret se Kosova, por prap kanë përfunduar në krizë. Dallimi është që shtetet fqinjë që nga shtatorit e tetori kanë ngritur çmimin e rrymës për gjithë konsumatorët dhe tani kanë në dispozicion më shumë mjete për të mbuluar ngritjen e çmimit të prodhimit të energjisë elektrike. Gjithsesi, për ne si mazhorancë dhe si Qeveri e Republikës, ngritja e çmimit të energjisë të propozuar nga ZRRE, e kuptojmë si hapin e fundit pas shterrimit të të gjitha mundësive tjera. Natyrisht që ne do të kontribojmë me propozimet tona se si dhe sa të bëhët tarifat për konsumatorët me qëllim që të mos i shtohet shumë barra financiare qytetarëve.

Kjo krizë ka dëshmuar edhe një herë që investimet në termocentralet e Kosovës, por edhe në variantet tjera të përfitimit të energjisë, janë të domosdoshme dhe urgjente. Ndërsa kanë rishfaqur korrupsionin, keqpërdorimet dhe keqmenaxhimin që ka ndodhur tash e sa kohë.

“Bota sot”: Për shtrenjtim të energjisë elektrike është mbajtur një protestë dhe po paralajmërohen të vazhdojnë. Cilët janë hapat e Qeverisë në këtë drejtim?

Batusha: Është e drejtë fundamentale demokratike, e drejta për të protesuar apo demostruar. Por, në raste të tilla duhet edhe të ofrohen alternative tjera se si të dalim nga kjo krizë. ZRrE-ja është duke pritur sugjerimet nga të gjitha palët dhe në fund do të marrë vendimin përfundimtar. Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Republikës, nuk mund të ndërhyjnë në procesin që ka nisur ZRrE-ja sepse është organ i pavarur. Në të kundërtën bëjmë shkelje të Kushtetutës së Republikës. Unë besoj, që Qeveria e z. Kurti, do të lehtësoj barrën financiare të qytetarëve përmes subvencionimit të rrymës së importuar. Në të njëjtën kohë të fillojnë investimet për shtim të kapaciteteve tona prodhuese të energjisë.

“Bota sot”: Nuk po mungojnë thirrjet nga opozita për revoltë popullore për rrëzimin e Qeverisë. Si e vlerësoni këtë, kur e tërë Europa po kalon çaste të vështira për shkak të kërcënimit rus me luftë apo pushtim të Ukrainës, të cilën perëndimi po përpiqet ta shmangë?

Batusha: Pikërisht thirrjet e tilla pa ndonjë arsye të fortë, bëhen qesharake dhe shpërfaqin inatet personale ndaj z. Kurti. Situata nuk është stabile në Evropë për shkak të konfliktit mes Rusisë me Ukrainës, rrjedhimisht krizën që ky konflikt e ka prodhuar, atë të furnizimit me gaz, që ka sjellë krizën energjetike në mbarë Evropën. Pra, kur kanë kaluar vetëm 10 muaj që nga zgjedhja e Qeverisë së z. Kurti, ku është shënuar progres i pashoqë në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, ku kemi ndërmarrë një sërë reformash në gjithë sektorët qeveritar dhe kur pritet që pandemia të largohet e të rifillojmë jetën normale, disa individ brenda opozitës parlamentare kanë zgjedhur të bëjë thirrje për revoltë, por quditërisht nuk kanë guximin të dalni në ballë të këtyre organizimeve. Për më shumë që asnjë opsion apo propozim nuk kanë dhënë. Me qëndrimet e disa subjekteve opozitare Kosova do të kishte falimentuar deri më sot.

I patjetërsueshëm është fakti që qytetarëve duhet t`u jepet mundësia për t`u shprehur dhe për t`u dëgjuar nga institucionet. Këtë po e bëjmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë.

“Bota sot”: Ju jeni pjesë e Komisionit për Integrime, sa larg është Kosova nga liberalizimi i vizave?

Batusha: Kosova ka kryer të gjitha detyrat e saja në raport me Komisionin Evropian. Pra, të gjitha kriteret i kemi plotësuar dhe për këtë ka vendim të Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian. Problemi është tek vendimmarrje politike e BE-së që bëhet nga shtetet anëtare në Këshillin e BE-së. Këtu kemi një ose dy shtete hezituese, të cilat kanë bërë kërkesa shtesë si formë kriteresh, gjë që i kemi adresuar si Kuvend dhe Qeveri dhe tani presim hapin e radhës nga Franca, si shtet që ka Presidencën e BE-së. Pra, komplikimi është tek BE-ja dhe jo tek Kosova.

“Bota sot”: Gjithashtu javë më parë Kuvendi votoi për rezolutën kundër referendumit serb në Kosovë. A ishte kjo “goditje” për Serbinë?

Batusha: Më shumë se “goditje” ndaj Serbisë, është fuqizim i shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës. E kam thënë dhe po e përsërisë, nuk duhet të bëjmë politika apo të marrim vendime kundër dikujt, si formë hakmarrje apo inati, por vendimet duhet t`i marrim për hirë të vetëvetes, të shtetit tonë dhe mbi të gjitha për qytetarët tanë.

Mbrojtja dhe fuqizimi i sovranitetit dhe integritetit territorial është detyrë fundamentale Kushtetuese e secilës qeveri dhe secilit politikan. Por, ja që kanë munguar hapa konkret nga qeveritë e mëparshme, andaj hapat tonë të vegjël e normal, na duken të mëdhenjë dhe të jashtëzakonshëm.

“Bota sot”: Si e shihni krizën e Ukrainës, a ka rrezik për një skenar të Serbisë në veri, dhe çfarë po bëjnë institucionet për ta parandaluar atë?

Batusha: Rreziku nga Serbia është i vazhdueshëm. Skenari i Ukrainës dhe tendencat ruse për destabilizim të kontinentit evropian me qëllim të forcimit të pozicionit të saj është real. Rreziku që aleatët e saj apo satelitët si Beograi zyrtar dhe përmes territorit të Serbisë të tentoja ta destabilizojë rajonin është një tjetër skenar i mundshëm. Kjo patjetër shton rrezikun e destabilizimit të komunave me shumicë serbe, komuna këto ku strukturat ilegale dhe agjenturat ruse e serbe janë shumë aktive. Doktrina ushtarake “Garasimov” e praktikuar nga Rusia është për momentin doktrina dhe taktika me problematike që mund të vihet në jetë edhe në Kosovë e Bosnje ashtu sikurse u praktikua në Krime dhe Donbas, e rrjedhimisht në Ukrainë. Faktori ndërkombëtarë është i informuar dhe i vëmendshëm ndaj këtyre situatave që mund të paraqiten nga Serbia, por edhe qeveria dhe institucionet e sigurisë janë të gjitha të vëmendshme dhe në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ani pse për momentin nuk ka ndonjë rrezik. KFOR-i po ashtu ka përgjegjësinë e tij në sigurinë e Republikës sonë. Ne jemi të përkushtuar për paqe në rajon, stabilitet e demokraci të brendshme, por jemi koshient për të gjitha lëvizjet që po bëhen e mund të bëhen nga Serbia.

“Bota sot”: Kosova ka përparuar për 17 vende në Indeksin e Transparency International për sa i përket (luftës ndaj) korrupsionit. A ishte kjo përgjigja e duhur për të gjitha akuzat që qeveria Kurti nuk po e lufton korrupsionin?

Batusha: Avancimi i Kosovës për 17 vende është vetëm një shenjë e përparimit tonë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, sidomos brenda institucioneve shtetërore. Puna jonë vetëm sa ka filluar sepse këtë vit do të shtyjmë përpara edhe ndryshimet ligjore për vettingun në drejtësi dhe polici, e po ashtu edhe me ligjin për formimin e Byrosë për hulumtimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Shkatërrimi i grupeve kriminale si në lojërat e fatit, fajdet, shprëndarjen dhe transportin e lëndëve narkotike, armëve ilegale, medimakementeve ilegale dhe shumë fushave të tjera, janë vetëm disa nga sukseset e kësaj Qeverie, por që janë vetëm hapat fillestar në vendosjen e rendit dhe ligjit në mbarë territorin e shtetit tonë. Nuk mund të ketë demokraci dhe as shtet të zhvilluar, pa luftim e shkatërrim të grupeve kriminale që operojnë në Kosovë.

“Bota sot”: Ndërsa, pandemia mbetet një temë shumë e ndjeshme për mbarë vendin, si po e menaxhon Qeveria këtë situatë?

Batusha: Ne erdhëm në qeverisje, me zero kontrata për vaksinat dhe zero doza të vaksinave për qytetarët tanë. Ndërsa, në fushatë kemi premtuar që deri në fund të vitit 2021, 60% e popullsisë së Kosovës do të vaksinohet. Këtë ia arritëm, falë punës e përkushtimit të ish-ministrit z. Vitia, të kryeministirt z. Kurti dhe gjithë bashkëpuntorëve, por mbi gjitha falë zellit të qytetarëve tanë dhe punës së palodhshme e me vetëmohim të stafit shëndetësorë. Po, masat kanë qenë të vështira për ekonominë vendore, sidomos bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat jemi munduar t`i mbështesim me pako të rimëkëmbjes ekonomike. Kosova në mediat ndërkombëtare dhe në raportet e organizatave ndërkombëtare për shumë muaj ka qëndruar në maje të listave për menaxhim të mirë të pandemisë. Dy valët që përjetuam të pandemisë atë të versionit Delta dhe tash Omicron, kanë zgjatur më së paku krahasur me shumicën e shteteve të Evropës dhe infektimet në raport me totalin e popullsisë kanë mbetur të ulta, natyrisht që kjo është meritë e menaxhimit të mirë të situatës pandemike.

“Bota sot”: A mendoni që masat e reja anticovid ishin të nevojshme, pasi në vazhdimësi ka kritika për shtrëngim të tyre, dhe veçmas masa për dozën e tretë të vaksinës për hyrjen e shtetasve të huaj?

Batusha: Masat janë të përkohshme dhe sipas të gjitha parashikimeve shumë shpejt do të lehtësohen deri në heqjen e tyre totale. Që të ndodhë kjo sa më shpejtë duhet që t`i respektojmë masat aktuale, që numri i të infektuarve brenda ditës të bie. Të gjithë që kanë dy vaksina e që duan të hyjnë në shtetin tonë, mund të paraqesin një test që dëshmon që janë negativ. E përsëris që janë të përkohshme, të vendosura nga ekspertët e fushës së shëndetësisë dhe që Qeveria po i zbaton me qëllimin më të mirë, që të lirohemi sa më shpejtë nga kjo pandemi e rrjedhimisht nga të gjitha masat që ekzistojnë.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Detaje nga operacioni në Elbasan. Kush përfundoi në pranga?

Story i radhës

Kallëzim për të intimiduar angazhimin publik – Paditë SLAPP

Të fundit nga

Merkel: Çështja Brexit, një poshtërim ndaj BE

Në librin e saj “Freedom”, ish-kancelarja gjermane shkruan se çfarë mund të kishte bërë më shumë për të ndalur Britaninë Në librin e saj “Freedom”, ish-kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e ka
ShkoLartë