Deponimi dhe katalogimi i librave të Buxhovit në sistemin e Bibliotekës së Universitetit të Harvardit

January 28, 2022
min lexim

Boston, USA – Kanë kaluar më se tri dekada nga koha kur kishim vendosë themelet e shtëpisë botuese Jalifat Publishing në Houston, me vetëm një mision: avancimin e krijuesve shqiptarë e sidomos sjelljen para publikut amerikan të titujve më adekuat të përkthyer në anglishte të krijuesve shqiptarë. Ky ishte edhe insistimi i një miku tim, e lobistit shqiptar në Amerikë i cili që nga studimet universitare në Texas e tek ato postdiplomike në Harvard rrezatoi e shpërfaqi më së miri kauzën tone kombëtare, Dr. Faton Bislimi.

Si shqiptar i mërguar për më shumë se gjysmë shekulli në SHBA, asnjëherë nuk isha ndarë nga aktiviteti kombëtar, por pikë të dobët gjithnjë e kam pasë arsimimin kualitativ. Andaj, bashkë me bashkëshorten time, Diana, kishim kthyer shtëpinë tone në Houston në një lloj konvikti pa pagesë për dhjetëra e dhjetëra studentë meritorë shqiptarë nga të gjitha trojet tona etnike. Kurse, me shtëpinë tone botuese, Jalifat Publishing, i dhamë edhe një dimension tjetër përkushtimit për vendin.

U ndjeva thellësisht i nderuar, e besa edhe i privilegjuar që për dy ditë aktivitete të ngjeshura në Boston arritëm aq sa as që e kishim ëndërruar ndonjëherë. Mikpritje fisnike që na u bë në Katedralen Shën Gjergji të Kishës Autoqefale Shqiptare në SHBA dhe takimet aq të këndshme me znj. Toli e Dr. Doko, njëra presidente e Kishës, e tjetra drejtore e Bibliotekës Memoriale Fan S. Noli aty ishin shumë inspiruese. Të vizitosh këtë vend, e të shohësh karrigen e tavolinën e punës së Fan Nolit nuk mund të mos jetë një ringjallje kombëtare për secilin shqiptar. Edhe vizita tek varrezat e Nolit e Konicës ishte po aq emocionale.

Krejt kjo, për një arsyeje: sjellja dhe promovimi i librit tre-vëllimor historiografik “Kosova” nga autori dhe historiani Jusuf Buxhovi. Librat e tij jo vetëm se ia dorëzuam katedrales si dhuratë, por edhe i deponuam zyrtarisht në Bibliotekën Memoriale Fan S. Noli.

Kurse, një ditë më vonë, me 24 janar, ndodhi ajo që po të flas nga thellësia e shpirtit, e kisha një drojë frike se mund të mos ndodhte. Në këtë kohë të pakohë pandemie, në ditën e parë kur njerëzit po ktheheshin në punë pas pushimit dimëror, të priteshim nga Zëvendës Drejtoresha e Bibliotekës së Harvardit, znj. Kirk, ishte “dream come true” thonë amerikanët (ëndërr e kthyer në realitet). Deponimi zyrtar dhe katalogimi i librave të Buxhovit tanimë në sistemin e Bibliotekës së Universitetit të Harvardit, është arritje piedestale për një autor, e shumë më shumë për një komb, për historinë e Kosovës, për shqiptarët. Edhepse misioni ynë primar ishte plasimi “Kosova” e Buxhovit në Harvard, si shtëpi botuese në Houston, ne nuk jemi kursyer asnjëherë për të sjellë tek lexuesit libra me vlerë për kombin tonë, andaj, pata nderin që edhe dy librat e Adem Lushajt “Krimet Serbe ne Kosove” (Rasti i Deçanit) dhe “Resurset Malore të Deçanit dhe Turizmi” si dhe atë të Dr. Blerim Rekës “Gjeopolitikat në Ballkan” t’i plasojë në bibliotekën e Universitetit të Harvardit.

Sikur kjo të mos mjaftonte, në mbrëmjen e asaj dite të ftohtë, në ndërtesën më simbolike të akademikllëkut të Harvardit, dhe në dhomën më adekuate, pra, në Harvard Faculty Club dhe në Library Room, ne mbajtëm edhe promovimin zyrtar të “Kosovës” së Buxhovit në Harvard.

Isha i emocionuar kur aty pashë një numër jashtëzakonisht të madh pjesëmarrësish, shumë më shumë se sa që kishim pritur, ngase iu dashtë zyrtarëve të ndërtesës të sjellin karrige shtesë disa here. Ishte kjo qershia mbi torte.

Krejt këto aktivitete që i bëmë për dy ditë, assesi se do të kishin qenë të mundura pa mikun tonë dhe njeriun që për më shumë se dy dekada tani punon intensivisht për Kosovën në Amerikë, Dr. Faton Bislimin, nga Bukoviku i Gjilanit, që arriti në majat akademike të botës duke magjistruar në Harvard, e në kupolën e përvojës politike, duke shërbyer edhe në Kongresin e SHBA-ve, në Komitetin për Punë të Jashtme, qysh kur ishte vetëm se student në Texas, në fillim të viteve 2000.

Këdo që takonim, e që na mirëpriste, na tregonte për respektin dhe gjurmët e paharruara që Fatoni kishte lënë në Harvard dhe në komunitetin tonë në Boston, i cili na nderoi jo vetëm me pjesëmarrje në promovim, por edhe me një darkë bujare në ALBA restorant që konsiderohej aty si themeli i komunitetit shqiptar.

Librat e Buxhovit ishin arsyeja, por ky mision yni historik që realizuam së fundi në Boston, pas shumë e shumë promovimeve nëpër Evrope e Amerikë, ishte diçka tjetër. Ishte kulminacioni që një autor mund ta arrijë. Ishte privilegji që një botues ëndërron. E krejt kjo, i shërben Kosovës dhe kombit tonë, shumë më shumë sesa ndonjë individi në veçanti. Andaj, edhe e bëmë, andaj edhe Fatoni nuk u kursye, ngase pa të dhe lidhjet e tija kaq të forta në Harvard e Boston, “Kosova” e Buxhovit dhe vet storja e jonë si komb e popull s’do ishte sot aty ku e meriton.

Nuk ishte rrugëtim i lehtë ky. Ne kishim edhe kërcënime kur botuam në anglishte veprat e Buxhovit (të përkthyera nga Avni Spahiu, Getoar Mjeku, e Faton Bislimi), nga shqipfolës që ende janë në shërbim të sllavit e sidomos nga sllavet, duke përfshirë këtu edhe Akademinë e Serbisë e bile edhe grupe ultranacionaliste pro-serbe të Rusisë. Pos kërcënimeve, kishim edhe oferta të majme për të hequr dorë nga publikimi në anglishte. Por, nuk u zmbrapsem. Veç se u forcuam. Në këtë rrugëtim na u bashkëngjit edhe miku ynë i çmuar Milaim Abduallahu, i cili ishte edhe bartësi kryesor i sponzorimit të aktivitetit tone të fundit në Boston.

Tash, po fuqizohemi çdo ditë, në shërbim të kombit e atdheut. Këtë mision s’ka kush që e ndalë. Për mua, siç e thash, është ëndërr e kthyer në realitet. Si shqiptaro-amerikan, sot jam krenar ngase e dij që bashkë arritëm atë që s’po e arrijnë dot shtetet tona, e diplomacitë tona. Për Kosovën e shqiptarët, do ecim tutje!

Ramiz Tafilaj është shqiptaro-amerikan dhe aktivist i shquar i kauzës kombëtare në SHBA. Për punën e tij vullnetare dhe filantropiste, ai në vitin 2018 është nderuar me Çmimin Jetësor të Arritjes nga Presidenti Amerikan. Është edhe drejtor dhe pronar i shtëpisë botuese LALIFAT PUBLISHING

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Mbi 100 gjoba për shoferët që nuk iu dhanë përparësi këmbësorëve

Story i radhës

Nga 1 shkurti të lirë! Ky vend europian heq të gjitha kufizimet e Covid-19

Të fundit nga

ShkoLartë