​Dënohen nxënësit në mungesë librash në Mitrovicë, probleme me furnizim

September 13, 2023
min lexim

Një bujë është bërë në qytetin e Mitrovicës me një postim të veçantë në rrjetet sociale nga Drejtoresha e Arsimit në këtë Komunë, Drita Kadriu.

Ajo, në llogarinë e saj personale në Facebook, ka shkruar para pak ditësh, “Mësimdhënës, mos i dënoni nxënësit të qëndrojnë në një këmbë për mungesë tekstesh”, duke ju drejtuar në këtë mënyrë mësuesve dhe arsimtarëve “të ashpër”, që mos t’i dënojnë nxënësit të cilët nuk kanë arritur ende t’i blejnë librat.

Drejtoresha Kadriu, gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, ka bërë të ditur se janë shënuar disa raste nëpër shkolla të ndryshme të Komunës së Mitrovicës, ku mësimdhënësit kanë dënuar nxënësit e tyre për mungesë të teksteve shkollore, duke i detyruar ata të qëndrojnë në një këmbë, ose edhe në forma tjera.

Ajo nuk ka dashur të përmend emra, për shkak të siç u shpreh, etikës, integritetit dhe dinjitetit të personave në fjalë, por tha se ka biseduar me mësimdhënësit në fjalë dhe ata janë të gatshëm të përmirësohen çdo ditë.

Kadriu: Mësuesi ka shumë role brenda klasës, jo vetëm mësimdhënien

“Po sigurisht po, përderisa unë e kam shprehur atë qëndrim në Facebook, ka pasur raste të tilla, por që janë evituar dhe eliminuar… Unë nuk do ta bëjë publike për shkak të etikës, integritetit dhe dinjitetit të personave në fjalë, dhe më lejoni t’ju them se mësimdhënësit e rinj kanë nevojë më shumë për përgatitje profesionale për t’i realizuar misionet e tyre në klasë. Mësuesi ka shumë role brenda klasës, jo vetëm mësimdhënien, por ka edhe edukimin, edhe për fëmijë të varfër, edhe për ata me gjendje të ndryshme sociale, andaj ne do t’u ofrohemi të gjithë mësimdhënësve të rinj, sipas nevojave që ata kanë, t’i përgatisim më mirë dhe më shumë për punën e tyre në klasë… Për mua është temë e mbyllur kjo, sepse kemi biseduar me drejtorë, janë disa raste… Kemi biseduar, dhe mësimdhënësit e rinj janë të gatshëm të përmirësohen çdo ditë”, tha ajo.

Ndërkaq ka treguar edhe për problemet që prindërit po hasin në furnizimin me tekste shkollore. Ajo pohoi se ka raste kur prindërit nuk aplikojnë fare.

Kadriu: Ka prindër që nuk aplikojnë fare

“Vijnë prindërit, kanë kërkesa të ndryshme, nevoja të ndryshme. Ka prindër që nuk kanë mundësi të aplikojnë fare për tekste shkollore, nuk kanë shkathtësi të buta, shkollat ju kanë ofruar ndihmë aq sa munden. Ka prindër të komuniteteve të cilët nuk aplikojnë fare… Ka prindër të cilët na janë lajmëruar se fëmija i tyre ka kaluar në moshën gjashtë vjeçare dhe sistemi nuk e pranon ose ka kaluar në moshën 11-vjeçare dhe është në klasën e pestë dhe sistemi nuk e pranon”, ka thënë Kadriu.

Melihate Meha, drejtoreshë e shkollës fillore “Andon Zako Cajupi” në Mitrovicë, tha se numri i nxënësve të cilët ende nuk i kanë siguruar tekstet shkollore është i lartë.

Sipas saj, faktori kryesor për këtë situatë është gjendja e rëndë ekonomike që mbretëron tek shumë familje në rajonin e Mitrovicës.

Meha: Numër goxha i madh i nxënësve është pa libra

“Kemi nxënës i cili i ka pjesërisht disa libra, tjetri i ka të tjerat, kështu që një numër goxha i madh është pa libra. Krejt kjo është si shkak i gjendjes ekonomike të një prindi, sepse edhe çmimi është i lartë, nuk e dimë qysh të veprojmë, ne nuk mund ta përjashtojmë një fëmijë prej shkollës, mirëpo do të mundohemi të gjejmë metoda”, theksoi Meha.

Në anën tjetër, Diana Pllana, nxënëse e klasës së nëntë në shkollën “Çajupi” në Mitrovicë, thotë se shumë shoqe dhe shokë të saj nuk kanë arritur t’i blejnë librat për shkak të mundësive financiare.

Pllana: Shumicën e librave i kam marrë nga gjenerata e kaluar

Unë i kam blerë librat, shumicën e kam marrë edhe nga gjenerata e kaluar, mirëpo shumica e shoqeve dhe shokëve të mi nuk kanë pasur mundësi t’i blejnë librat”, tha ajo.

Erionit Kelmendi, po ashtu nxënës i klasës së nëntë në këtë shkollë, tregoi se nuk është pajisur me të gjitha librat.

Madje, shtoi ai, ka shkuar një ditë më parë për t’i blerë vetëm disa libra për të cilat ka shumë nevojë, por nuk ka arritur, pasi që shitësi i ka thënë se nuk mund t’i ndajë ato.

Kelmendi: Kam shkuar dje në librari, por nuk m’i shitën veç tre libra

Me gjysmën e librave po, me gjysmën jo. Nuk jam i pajisur me të gjitha librat… Kam shku dje në librari, por nuk m’i ka shitë tre libra të cilat mua më duhen… sepse nuk mundemi me i nda më tha”, tha ai.

Edhe Anila Pllana, nxënëse e klasës së gjashtë, tha se nuk po mund t’i përcjellë mësimet dhe të jetë aktive në orë, pasi që nuk i ka siguruar ende librat.

Pllana: Prindërit më kanë thënë se qeveria ende nuk i ka ekzekutuar mjetet për libra

“Jo, nuk i kam librat. Prindërit më kanë thënë se qeveria ende nuk i ka ekzekutuar mjetet për libra… Nuk po mund t’i përcjellë mësimet, të komentojë dhe të jem aktive në orë”, tha Pllana.

Ndryshe, gjatë përpunimit të të dhënave para tre ditësh, në 33 shkolla të Komunës së Mitrovicës, ku vijojnë mësimin mbi 14 mijë e 500 nxënës, ka dalë se rreth 6 mijë nxënës nuk i kanë tekstet shkollore.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Bujae Osmani publikon fotografi duke ngrënë sanduiç në aeroport të Vjenës

Story i radhës

Besimi: Në tremujorin e fundit të vitit pritet përshpejtimi i realizimit të shpenzimeve kapitale

Të fundit nga

ShkoLartë