Çfarë qëndron pas vendimit rus për t’i ndërprerë furnizimet me gaz?

April 28, 2022
min lexim

Gazpromi i Rusisë tha se do t’i ndalë furnizimet me gaz natyror për në Poloni dhe Bullgari, duke përshkallëzuar tensionet ndërmjet Kremlinit dhe Evropës për energjinë dhe pushtimin e Ukrainës. Me këtë vendim është shtuar urgjenca që të bëhen plane të reja që fillimisht të zvogëlohet dhe më pas t’i jepet fund varësisë së Evropës nga gazi dhe nafta ruse.

Më poshtë mund të mësoni gjërat kyçe lidhur me situatën me gaz në Evropë:

Çfarë bëri Rusia?

Gjiganti i energjisë ruse, Gazprom, kompani që kontrollohet nga shteti, tha se do të ndalojë furnizimet për në Poloni dhe Bullgari, sepse këto dy shtete po refuzojnë që të paguajnë me rubla për gazin rus, ashtu siç ka kërkuar presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Liderët evropianë thonë se në kontratat për gazin rus thuhet se pagesa bëhet në euro ose dollarë dhe njëra palë nuk mund ta ndryshojë çështjen e pagesës. Polonia ka ndërmarrë hapa afatgjatë për të mbrojtur veten nga ndalimi i furnizimeve ruse, teksa ka ndërtuar një terminal për import të gazit të lëngshëm që transportohet përmes anijeve dhe kishte planifikuar që në fund të këtij viti të ndërpriste furnizimet nga Gazpromi. Bullgaria, në anën tjetër, thotë se tash për tash ka mjaftueshëm gaz.

Megjithatë, ngrihet pyetja se çfarë ndikimi mund të ketë njoftimi i Gazpromit në tregjet energjetike, teksa janë rritur pasiguritë se furnizimet me gaz natyror mund të ndërpriten edhe për vendet e tjera evropiane që do të mund të shkaktonte një goditje të rëndë për ekonominë.

Kremlini ka paralajmëruar për këtë mundësi nëse shtetet nuk paguajnë me rubla për energjinë. Por, Rusia po ashtu varet nga shitjet e naftës dhe gazit për të financuar qeverinë e saj, teksa sanksionet kanë goditur sistemin financiar rus.

Sipas sistemit të ri të pagesave, Kremlini ka thënë se importuesit do të duhet të krijojnë një llogari në dollarë apo euro në bankën e tretë më të madhe ruse, Gazprombank, dhe një llogari të dytë bankare në rubla. Importuesi më pas do të paguante për furnizimet me gaz me euro apo dollarë dhe banka do t’i këmbente menjëherë paratë në rubla.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha më 27 prill se pagesa me rubla shkel sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe se kompanitë që kanë kontrata të furnizimeve “nuk duhet t’i pranojnë kërkesat ruse”.

Situata në Ballkan

Gazi rus vjen në Evropë përmes disa gazsjellësve, siç është “Rrjedha Veriore 1” dhe “Rrjedha Turke”. Me gazin rus furnizohen edhe disa prej shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Projekti i Rusisë dhe Turqisë, i quajtur “Rrjedha Turke”, dërgon gazin rus në Turqi dhe në vendet e Evropës Jugore dhe Juglindore.

Serbia është e varur plotësisht nga gazi rus, që vjen përmes Bullgarisë, që është shtet transit.

Përveç varësisë nga gazi rus, Gazpromi rus ka krijuar monopol në tregun serb, për çka Bashkimi Evropian ka paralajmëruar prej vitesh.

Bullgaria, po ashtu, plotëson 90 për qind të kërkesës së saj me furnizime me gaz nga Rusia, edhe pse kontrata afatgjate i skadon më vonë gjatë këtij viti.

Përmes “Rrjedhës Turke” me gaz rus furnizohen edhe Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia dhe Hungaria.

Gazsjellësi “Rrjedha Turke” është pjesë e ambicieve afatgjata të Rusisë për të minimizuar transportin e gazit përmes Ukrainës dhe për të ofruar alternativë për gazsjellësit “Rrjedha Veriore 1 dhe 2”.

Çfarë po kërkon Putini?

Për shkak të urdhrit të Putinit që pagesat me rubla të prekin vetëm “shtetet jomiqësore”, ky vendim mund të shihet si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve perëndimore që kanë larguar bankat ruse nga transaksionet ndërkombëtare financiare dhe kanë detyruar disa kompani perëndimore që t’i largojnë bizneset e tyre nga Rusia.

Motivet ekonomike për të kërkuar pagesa me rubla nuk janë të qarta sepse Gazpromi veçse duhet të shesë 80 për qind të fitimeve të saj të huaja për rubla, prandaj shtytja për rimëkëmbjen e monedhës kombëtare ruse do të ishte minimale. Një nga motivet e këtij vendimi mund të jetë politik: për t’i treguar publikut në Rusi se Putini mund të diktojë kushtet e eksporteve të gazit. Dhe duke kërkuar që pagesat të bëhen vetëm përmes Gazprombankës, kjo lëvizje mund të bëjë që kjo bankë të shënjestrohet nga sanksione të mëtejme.

Nëse Putini po kërkonte për një pretekst për të ndalur furnizimet me energji ruse për shtetet që mbështesin Ukrainën, ky vendim mund të shërbejë për këtë qëllim. Rusia ende po vazhdon të dërgojë gaz në Hungari – ku kryeministri populist, Vikor Orban është pajtuar me sistemin e ri të pagesave të propozuar nga Putini – përmes sistemit të njëjtë të gazsjellësit.

Simone Tagliapietra, ekspert i energjisë dhe bashkëpunëtor në organizatën Bruegel me seli në Bruksel, thotë se “duke lëvizur në këtë drejtim, Rusia po përdor fragmentimin e BE-së – është strategjia ‘përçaj dhe sundo’ – prandaj ne kemi nevojë për një përgjigje të koordinuar të BE-së”.

Si qëndron Evropa me furnizim të gazit?

Sanksionet e koordinuara të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara nuk kanë prekur pagesat për naftë dhe gaz. Ky ishte koncesioni i Shtëpisë së Bardhë për aleatët evropianë, të cilët janë më të varur nga energjia ruse, që ofron 40 për qind të gazit të Evropës dhe 25 për qind të furnizimeve me naftë. Për energjinë ruse, Evropa paguan çdo ditë 850 milionë dollarë.

Shumë persona nuk janë të lumtur që evropianët ende po blejnë energji nga Rusia, e cila mesatarisht fitoi 43 për qind të të ardhurave vjetore qeveritare nga shitjet e gazit dhe naftës në vitet 2011-2020, sipas Administratës amerikane për Informacione të Energjisë.

Vendimi i Rusisë për të zvogëluar shitjet e gazit para nisjes së luftës në Ukrainë, përveç përmes kontratave afatgjate, kontribuoi në një krizë gjatë dimrit që rriti çmimet dhe shërbeu si alarm zgjimi se varësia e Evropës nga energjia ruse e la atë të pambrojtur. Por, lufta në Ukrainë ka treguar se duhet të ketë një rivlerësim të shpejtë të politikës energjetike që është në fuqi prej dekadash, përmes së cilës, gazi i lirë nga Rusia ka mbështetur ekonominë e Evropës.

Por, ndërprerja e furnizimeve të gazit në Evropë nuk i shkon për shtati as Rusisë.

Kur bëhet fjalë për naftën, në teori, Rusia mund ta eksportojë atë diku tjetër përmes anijeve, shembull në Indi apo Kinë, shtete që kanë nevojë për energji dhe që nuk janë pjesë e sanksioneve.

Por, gazi është çështje tjetër. Sistemi i gazsjellësit nga depozitat e mëdha në Gadishullin Jamal të Rusisë, që sjell gazin në Evropë, nuk lidhet me tubacionin e gazit që shkon për në Kinë dhe Rusia ka pak infrastrukturë për të eksportuar gazin natyror përmes anijeve.

A do të mund t’i mbijetonte Evropa një ndërprerjeje të plotë të furnizimit me gaz?

Ekonomia e Evropës do të përballej me vështirësi pa gazin natyror rus, edhe pse ndikimi i një ndërprerjeje të plotë të furnizimit me gaz do të varej nga ajo se sa shumë e përdorin këtë produkt shtetet evropiane. Vlerësimet e ekonomistëve ndryshojnë shumë sa i përket humbjeve që do të mund të kishte Evropa si tërësi. Analistët në Moody thanë në një studim të publikuar së fundmi se ndërprerja e plotë e energjisë – gazit dhe naftës ruse – do ta fuste Evropën në recesion.

Importuesit më të mëdhenj të gazit rus

Dhjetë shtetet që kanë importuar më së shumti gaz rus më 2020 sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energji:

Gjermania: 42.6 miliardë metër kubikë

Italia: 29.2 miliardë metër kubikë

Bjellorusia: 18.8 miliardë metër kubikë

Turqia: 16.2 miliardë metër kubikë

Holanda: 15.7 miliardë metër kubikë

Hungaria: 11.6 miliardë metër kubikë

Kazakistani: 10.2 miliardë metër kubikë

Polonia: 9.6 miliardë metër kubikë

Kina: 9.2 miliardë metër kubikë

Japonia: 8.8 miliardë metër kubikë

Gjermania, ekonomia më e madhe në Evropë, varet shumë nga energjia ruse. Banka Qendrore gjermane ka deklaruar se një ndërprerje e plotë do të nënkuptonte humbje prej 5 pikësh të përqindjes së prodhimit ekonomik, si dhe rritje të inflacionit.

Inflacioni veçse është në nivele rekorde, duke bërë që për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, edhe çmimet e tjera, nga ato të produkteve ushqimore e deri tek ato të lëndëve të para, të përjetojnë rritje.

Organizata Bruegel ka vlerësuar se Evropa do të kishte 10 deri në 15 për qind më pak sesa kërkesa normale për ta kaluar sezonin e ngrohjes gjatë dimrit të ardhshëm, që nënkupton se Evropa do të duhej të ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për të zvogëluar përdorimin e gazit.

Çfarë po bën Evropa për të ulur varësinë nga gazi rus?

Liderët evropianë kanë thënë se ata nuk do të mund t’i përballojnë pasojat e një bojkoti të menjëhershëm. Në vend të kësaj, ata planifikojnë të zvogëlojë përdorimin e gazit rus sa më shpejt që të munden. Liderët, po ashtu, kanë porositur më shumë gaz të lëngshëm natyror, që transportohet me anije. Po ashtu, janë duke kërkuar alternativa të furnizimit, siç janë tubacionet nga vendet si Norvegjia dhe Azerbajxhani dhe, po ashtu, po punojnë në ngritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë përmes erës dhe diellit dhe po nxisin masat për ruajtjen e gazit.

Qëllimi është që të hiqet dorë nga gazi rus për dy të tretat deri në fund të vitit dhe deri më 2027, Evropa të heqë dorë plotësisht nga gazi rus. Ende nuk dihet nëse ky qëllim do të arrihet, pasi furnizimet e gazit natyror janë të kufizuara, ndërkaq terminalet e eksportit kanë mbushur kapacitetet e tyre.

Gjermania, që nuk ka një terminal të importit, po mëton që të ndërtojë dy të tillë, por një gjë e tillë mund të kërkojë vite. Italia, që merr 40 për qind të gazit të saj nga Rusia, ka arritur marrëveshje për të zëvendësuar gjysmën e kësaj sasie përmes importeve nga Algjeria, Azerbajxhani, Angola e Kongo dhe po shqyrton mundësinë që të rrisë importet edhe nga Katari. Evropa, po ashtu, është nën presion që të rimbushë depotë e saj nëntokësore në mënyrë që të ketë furnizime të mjaftueshme për dimrin e ardhshëm.

Situata është mjaft serioze dhe ka shtyrë Gjermaninë që të shpallë fazën e parë – prej tri fazash – të planit të saj të emergjencës për energji./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Risi në gjysmëfinale dhe në finale

Story i radhës

“E njohu Kosovën, thikë pas shpine”, mediat serbe shpërthejnë kundër Putinit, Vuçiç pritet t’i drejtohet kombit të tij (FOTO LAJM)

Të fundit nga

ShkoLartë