Njohësi i sigurisë Gurakuç Kuçi ka reaguar ndaj raportit të fundit për lirinë e mediave, duke theksuar se Serbia ka shënuar regres të ndjeshëm, ndërsa Kosova ka përparuar në renditje.
Sipas Kuçit, mediat serbe po përpiqen ta zhvendosin vëmendjen nga rënia e Serbisë duke e fokusuar debatin te Kosova, përmes narrativës se gjoja po censurohet shtypi serb. Ai thekson se kjo nuk qëndron, pasi në Kosovë funksionojnë disa media në gjuhën serbe dhe nuk ka ndalime për mediat digjitale nga Serbia.
Kuçi argumenton se problemi me gazetat serbe lidhet me çështje logjistike dhe të tregut, jo me censurë politike, duke shtuar se shtypi i shkruar është në rënie në gjithë rajonin.
Në përfundim, ai vlerëson se kjo narrativë synon të mbulojë përkeqësimin e lirisë së mediave në Serbi dhe kërkon që debati të rikthehet te problemet reale brenda saj.
Shkrimi i Kuçit:
Regresi i lirisë së medias në Serbi dhe instrumentalizimi i çështjes së shtypit serb në Kosovë
Kur faktet e dëmtojnë Serbinë, propaganda sulmon Kosovën
Serbia ka shënuar regres në Indeksin e Lirisë së Mediave, duke u renditur në vendin e 104-të, nga vendi i 96-të ku ishte vitin e kaluar. Në të njëjtën kohë, Kosova ka shënuar përparim prej 15 vendesh. Kjo rënie e Serbisë dhe ngritje e Kosovës, si duket, ka shkaktuar shqetësim politik brenda Serbisë dhe në rrjetin e saj mediatik.
Menjëherë pas publikimit të indeksit, disa media serbe nisën ta zhvendosin vëmendjen nga regresi i Serbisë te Kosova. Në vend se të merren me arsyet pse Serbia po bie në renditjet ndërkombëtare të lirisë së medias, ato kanë kërkuar një temë që lidhet me mediat, por që mund të përdoret kundër Kosovës.
Ripaketimi i narrativës për gazetat serbe
Kjo është një teknikë e njohur narrative: autoritarizimi i Serbisë tentohet të mbulohet me viktimizimin e serbëve në Kosovë. Sipas disa mediave serbe, në Kosovë tash e tri vite po ndalohet hyrja e gazetave nga Serbia. Kjo çështje është kthyer në narrativë politike, ku një problem i importit fizik dhe i distribucionit të shtypit paraqitet si censurë e Kosovës ndaj informimit në gjuhën serbe.
Fakti që kjo narrativë po përdoret për ta mbuluar regresin e Serbisë shihet edhe nga krahasimi me vitin e kaluar. Atëherë, narrativa ishte ndërtuar kryesisht rreth “të drejtës së serbëve për informim”. Këtë vit, e njëjta temë është ripaketuar dhe ashpërsuar: tani paraqitet si censurë nga Kosova ndaj shtypit serb dhe si “bashkëfajësi” e bashkësisë ndërkombëtare.
Pra, ndërsa mediat serbe heshtin për regresin e lirisë së medias në Serbi, ato e zhvendosin debatin te Kosova. Qëllimi është i qartë: të largohet vëmendja nga problemi real, që është përkeqësimi demokratik dhe mediatik në Serbi.
Pse kjo nuk është censurë, por zhvendosje e debatit
Duhet kujtuar se në Kosovë veprojnë disa media në gjuhën serbe. Numri minimal i dokumentueshëm i tyre është rreth 10 deri në 15, duke përfshirë portale, radio dhe televizione lokale. Për më tepër, me financim publik nga Republika e Kosovës funksionon edhe RTK2, kanal i veçantë në gjuhën serbe. Edhe në RTK1 ka hapësirë të caktuar për lajme dhe materiale në gjuhën serbe.
Asnjë portal apo media digjitale nga Serbia nuk është e sanksionuar në Kosovë. Përveç kësaj, gjuha serbe është gjuhë zyrtare në nivel kombëtar në Kosovë. Me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, qytetarëve serbë u garantohet qasje në shërbime dhe informim në gjuhën e tyre, dhe kjo zbatohet në institucione, dokumente publike dhe komunikim zyrtar.
Për shkak të digjitalizimit të shpejtë, shtypi i shkruar ka rënë ndjeshëm në gjithë rajonin. Në Kosovë ka vite që nuk ka media të shkruara ditore me peshë reale në treg. Edhe në Serbi, sipas Media Ownership Monitor, tregu i shtypit ka përjetuar rënie të madhe ndër vite, ndërsa shtypi i shkruar është segmenti mediatik që vazhdimisht po humb audiencë. Sipas të dhënave të IPSOS-it, audienca e shtypit ditor në Serbi është përgjysmuar ndërmjet viteve 2016 dhe 2022.
Reuters Institute, në Digital News Report 2025 për Serbinë, gjithashtu thekson se shtypi po humb lexues dhe të ardhura. Sipas këtij raporti, mediat e shtypura në Serbi përbëjnë vetëm 5% të të ardhurave nga reklamat, ndërsa mediat online arrijnë mbi 27%.
Edhe IREX/VIBE 2024 për Serbinë konstaton se, në përputhje me trendet globale, popullariteti i mediave të shtypura në Serbi vazhdon të bjerë. Konkurrenca nga mediat online dhe qasja në informacion falas janë sfidat kryesore për botimet e shtypura.
Prandaj, shtypi serb nuk mund të paraqitet thjesht si viktimë e Kosovës. Gazetat në gjuhën serbe që vijnë nga Serbia janë prekur si mall fizik, në kuadër të masave dhe pengesave që lidhen me furnizimin, importin dhe distribucionin. Nuk ka dëshmi se Kosova ka ndaluar shtypin serb për shkak të gjuhës apo përmbajtjes editoriale. Kjo është dallimi thelbësor mes një problemi tregtar/logjistik dhe një pretendimi për censurë politike.
Debati duhet kthyer te regresi i Serbisë
Thënë përmbledhtazi, përballë rënies së lirisë së mediave në Serbi dhe përmirësimit të Kosovës në indeksin ndërkombëtar, mediat serbe po përpiqen ta zhvendosin debatin nga Serbia te Kosova. Në vend se të merren me presionin ndaj gazetarëve, propagandën, dezinformimin dhe kapjen e hapësirës mediatike në Serbi, ato prodhojnë narrativë viktimizimi për serbët në Kosovë.
Kjo nuk është analizë e sinqertë për lirinë e medias. Është përpjekje për ta mbuluar autoritarizimin mediatik të Serbisë me një temë të ricikluar kundër Kosovës. Për këtë arsye, debati duhet kthyer aty ku duhet: te regresi i Serbisë, te kontrolli politik mbi mediat dhe te përdorimi i mediave serbe si instrument për ta sulmuar Kosovën edhe kur faktet ndërkombëtare flasin ndryshe.
Burimi: botasot.info


