Çfarë fshihet pas premtimit të Putinit, se Rusia do t’i japë Serbisë gaz me çmim më të lirë

Deliri, në të cilin shpërtheu presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ditën e dielë në 29 maj pas bisedës telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, është tipik i çinovnikëve bizantinë, që duan të mbulojnë se sa u ka kushtuar për të marrë dhuratën nga patriarku. Premtimi i presidentit Putin, se Rusia do t’i japë Serbisë në tre vitet e ardhëshme gaz me çmim tre herë më të lirë se çmimi i tregut, u kthye në Beograd në një festë zyrtare filoruse. E gjithë nomeklatura e lartë serbe u lëshua në hosanara dhe ditirambe për presidentin “fenomenal” Vuçiç, siç e quajti me servilizëm ballkanik kryeministrja e tij, e cila në ekran publik shprehu habinë se “as unë nuk e di se si ia arriti presidenti Vuçiç kësaj”.

Përtej kësaj skene vulgare të një fshati ballkanik, ku ende njësoj si në mesjetë besojnë se udhëheqësit bëjnë magjira dhe mrekullira, askush nuk bën pyetjen e thjeshtë përse padroni i madh, presidenti i Rusisë Putin u tregua kaq gjeneroz me presidentin e vogël të Serbisë së vogël. Përse presidenti Putin, i cili i preu këto ditë furnizimet me gaz rus Finlandës, Polonisë, Danimarkës, Hollandës dhe Bullgarisë, bën përjashtim për Serbinë dhe ia premton pothuaj falas gazin rus në kontratën e re trevjeçare me “Gazpromin”?

Gabimi i parë politik dhe diplomatik, që po bëhet në analizat e publikuara për këtë veprim rus, është se e lidhin dorëlëshueshmërinë e presidentit rus ndaj Serbisë me çeshtjen e sanksioneve, sikur presidenti Putin po i jep këtë çmim të ulët për ta bërë Serbinë të vazhdojë të mos bashkohet me sanksionet antiruse të BE. Nuk ka shpjegim më naiv. As logjika më minimale nuk mund të pranojë se sanksionet e mundëshme të Serbisë ndaj Rusisë do ta dëmtonin Rusinë aq shumë, sa që Kremlini u detyrua ta joshë me gazin me çmim të lirë. Rusia nuk pyet për paketën e pestë apo të gjashtë të sanksioneve të reja të BE kundër saj, e jo më t’i hyjë në sy një pickim pleshti i ndonjë bashkimi të Serbisë me sanksionet europiane kundër Rusisë. Kjo është kaq e vërtetë, sa që edhe kryeministrja serbe Bërnabiç u detyrua ta pranonte në 29 maj se “sanksionet nuk kanë të bëjnë me marrëveshjen e gazit”.Duhet bërë e qartë së pari, që Rusia duke i ofruar Serbisë gaz me çmim tre herë më të ulët se çmimi i tregut, i jep asaj çmimin politik të gazit apo me saktë çmimin e besnikërisë së udhëheqjes së Serbisë ndaj Kremlinit. Në komunikatën e shkurtër të presidencës ruse për bisedën telefonike të Putinit me Vuçiçin në 29 maj theksohet se “të dy liderët konfirmuan angazhimin e tyre për të vazhduar forcimin e partneritetit strategjik midis Rusisë dhe Serbisë”. Ky është çelsi i parë që shpjegon përmbajtjen e dorëlëshueshmërisë së presidentit rus me gazin për Serbinë. Është çmimi i aleancës strategjike dhe i vartësisë strategjike të Serbisë nga Rusia, të cilën Vuçiç e ka sanksionuar në gjithë vijën e tij zyrtare filoruse, që ka ndjekur gjatë dhjetë viteve të tij në pushtet si kryeministër dhe president i Serbisë.

Ndërsa BE rrin dhe diskuton si seksin e engjëjve se me cilën karrike do të rrijë Serbia, Moska e din prej shumë kohësh se është karrikja ruse, ku është ulur presidenti Vuçiç dhe Serbia. Nuk besoj se ka mbetur ndonjë naiv në qarqet diplomatike të BE, që mendon se presidenti i vockël Vuçiç po ia hedh padronit të madh Putin dhe po ia merr gazin tre herë më lirë se bota. Gazeta e mirëinformuar ruse “Kommersant” shkruante në 29 maj se “pas asaj që Moska në një përmasë të rëndësishme plotësoi kërkesat e Beogradit për gazin, tani me siguri ajo pret nga Beogradi shpërblimin e merituar”. Pikërisht këtë thelb të vasalitetit në marrëdhëniet Rusi-Serbi presidenti serb nuk e zbulon në asnjë nga paraqitjet e tij delirante për arritjen e premtimit të Kremlinit për gazin e lirë rus.

As presidenti Vuçiç dhe asnjë nga enturazhi i tij ministror nuk i kanë shpjeguar opinionit publik serb se çfarë i dhanë ata presidentit rus Putin, që ai i daroviti me gazin e lirë rus. Është hera e dytë, që e bën Putini këtë. Edhe në muajin nëntor të vitit të kaluar, pra pa u nisur agresioni ushtarak rus në Ukrainë, kur Vuçiç u takua me presidentin rus në Soçi, Putini i dhuroi gaz rus me çmim të lirë deri në 31 maj të vitit 2022, kur mbaronte kontrata e Serbisë me kompaninë shtetërore ruse të gazit “Gazprom”. Tani është hera e dytë, që Putini i jep Serbisë dhuratë gaz të lirë rus. Kur presidenti serb në nëntor të vitit të kaluar mori nga presidenti rus dhuratën gjashtëmujore të gazit të lirë, gazeta ruse “Pravda” shkruante se Moska pret që të marrë një bazë ushtarake ruse në Serbi.

Tani Putini kaloi nga dhurata gjashtëmujore e gazit të lirë në dhuratën trevjeçare të gazit të lirë për Serbinë, gjë që krijon bindjen se Moska duhet të ketë siguruar një lëshim të madh strategjik nga Serbia. A është kjo baza ushtarake ruse në Serbi, të cilën e përmendëte “Pravda” para disa muajsh, apo ndonjë gjë tjetër më e madhe , pritet që koha ta zbulojë. E sigurt është që ky është çmim politik dhe çmim gjeopolitik i varësisë strategjike të Serbisë nga Rusia. Ndaj me shpejtësi pas bisedës telefonike Putin-Vuçiç po shkon në Beograd në 7 qershor ministri i jashtëm rus dhe nje nga skifterët e politikës agresive ruse, Sergej Lavrov.

Çelsi i dytë për të shpjeguar dorëlëshueshmërinë e presidentit rus ndaj presidentit serb për gazin e lirë është e vërteta e madhe, që harrohet nga njëherë, se e gjithë industria serbe e naftës dhe e gazit përfshirë edhe depozitat më të mëdha të gazit në Serbi, janë prona të Rusisë. Infrastruktura energjitike e Serbisë zotërohet dhe kontrollohet nga rusët. Në këtë raport pronësie rezulton se presidenti Putin në fakt po i jep gaz rus me çmim të lirë kompanive ruse në Serbi, të cilat furnizojnë dhe kontrollojnë gjithë ekonominë serbe. Kështu që Moska i jep instrumentin e kontrollit dhe të shpërndarjes së gazit të lirë rus pikërisht kompanive ruse, të cilat forcojnë ndikimin energjitik, ekonomik dhe politik në Beograd.

Çelsi i tretë për të kuptuar qendrimin strategjik dhe diplomatik të presidentit rus është hija e një intrige të fshehtë energjitike dhe gjeopolitike midis Rusisë dhe BE. Në një farë mënyre Moska kompenson BE për favoret, që BE u krijoi kompanive ruse të gazit dhe të naftës në Serbi pas nisjes së agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe ndërmarrjes së sanksionve të reja të BE kundër Rusisë. Në 8 prill 2022 BE vendosi përjashtimin e Serbisë nga sanksionet e saj ndaj importeve të naftës ruse. Në fakt nga ky akt i paprecedent i BE, e cila shkelte sanksionet e vendosura prej saj, përfitonte Serbia, por përfituesi më i madh real ishte Rusia, sepse nafta që importon Serbia është e kompanive ruse dhe kompanitë, që e menexhonin naftën në Serbi, ishin ruse. Tani Rusia i ofron BE mundësinë që të krijojë një kanal sifonimi të gazit të lirë rus, që në Serbi merr etiketë serbe, dhe mund të eksportohet në vende të treta.

Në Kremlin e kanë kuptuar drejt se dobësia e BE për Serbinë në fakt është dobësi e BE për Rusinë. Nuk është e rastit që në kulmin e luftës agresive ruse në Ukrainë BE doli me sinjale të qarta në adresë të Moskës se nuk ka ndërmend t’u japë statusin e shtetit kandidat të BE për shtetet ish-republika sovjetike, Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, të cilat Kremlini i rivendikon si zona të influencës së tij.

Propozimet e habitëshme të BE për “komunitete politike dhe gjeopolitike europiane”, ku të futen edhe shtetet ballkanike, edhe shtetet ish-sovjetike të “Partneritetit Lindor” të BE, u shfaqën si alternativa në vend të zgjerimit të BE. Është alternativa e bllokimit të çdo aspirate të shteteve si Ukraina, e cila bëri në muajin mars të këtij viti kërkesë zyrtare për anëtarësim në BE dhe po pret samitin e qershorit të BE për të marrë statusin e shtetit kandidat, por nuk ka shanset minimale që BE t’ia japë. Bllokada e zgjerimit të BE ndaj shteteve si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, përputhet me ekzigjencat gjeopolitike të Rusisë, e cila nuk mund të mos e vlerësojë lëshimin strategjik të BE ndaj saj.

Çmimi i lirë i gazit rus për besnikërinë dhe për satelitizmin serb ndaj Kremlinit duhet të shërbejë për të zgjuar të vonuarit dhe hileqarët në diplomacinë e BE. BE ka manifestuar një mungesë skandaloze serioziteti në qendrimin e saj strategik ndaj Serbisë. BE ka tetë vjet që gëlltit sfidën e Serbisë, e cila refuzon të bashkohet me sanksionet e BE kundër Rusisë qysh në agresionin e parë rus kundër Ukrainës në vitin 2014 e deri në agresionin e dytë rus të vitit 2022. Presidenti Vuçiç u lavdërua para disa ditësh se Serbia nuk është bashkuar me 23 deklarata të BE kundër Rusisë. Në filim të majit Serbia në OSBE u bashkua me shtetet ish-sovjetike të “Unionit të Shteteve të Pavarura” të drejtuar nga Rusia, për të nëshkruar një deklaratë antiperëndimore të hartuar nga Moska për luftën e dytë boterore.

BE bën sikur nuk e dëgjon që presidenti serb Vuçiç ka që nga 24 shkurti 2022 që nuk ka dënuar kurrë vetë personalisht agresionin ushtarak rus në Ukrainë, por çdo ditë sulmon 19 vendet demokratike të NATO-s për ndërhyrjen e tyre humanitare në Serbi në vitin 1999. BE bën sikur nuk e dëgjon që presidenti serb në maj deklaroi se krimineli ndërkombëtar i luftës Millosheviç është i pafajshëm. BE bën sikur nuk e sheh që në kulmin e agresionit ushtarak rus në Ukrainë Serbia po armatoset deri në dhëmbë me raketa ruse dhe kineze.

Nuk u ndienë BE dhe zëdhënësit e saj as tani për gazin e lirë rus, që Putini i ofroi Serbisë, megjithëse akti serb përbën një shkelje flagrante të regjimit të sanksioneve të BE nga një shtet kandidat i BE si Serbia. Gazeta ruse “Moskovskij komsomolec” shkruante me kënaqësi në 30 maj se “shpallja nga Serbia e marrëveshjes së gazit me Rusinë, e irritoi Perëndimin. Beogradi injoroi sanksionet e vendosura nga BE”. Komprometimi filorus, me të cilin presidenti Vuçiç sfidoi BE-në, duket i çoi me leje zëdhënësit e BE, të cilët nuk janë bërë të gjallë deri tani.

Serbia është aleati strategjik i Rusisë dhe ky është një realitet që nuk e ndryshon dot as diplomacia indulgjente filoserbe e BE dhe as iluzionet e BE se presidenti Vuçiç përveç karrikës ruse do të mbajë afër edhe karriken europiane. Presidenti rus Putin po e ndihmon BE-në që të hapë sytë dhe ndaj po i hedh dorashkën e legalizimit të nënshtrimit të Serbisë nga Rusia. Serbia as ka qenë dhe as do të jetë me BE. Sepse edhe nëse në të ardhmen ndonjë udhëheqësi tjetër serb mund t’i shkojë ndërmend një gjë e tillë, Rusia e ka gati bigën për veshët e tij.

Ka një element interesant në çeshtjen e tanishme të furnizimeve të gazit të lirë rus për Serbinë. Agjencia amerikane e lajmeve “Asoshiejted Press” shkruante në 29 maj se “nuk është e qartë se si do ta marrë Serbia gazin rus, nëse BE vendos të mbyllë furnizimet e gazit rus që kalon nëpër vendet anëtare”. Kur BE vendosi në muajin mars të këtij viti ndalimin e furnizimeve të naftës ruse për Serbinë, presidenti Vuçiç deklaroi se Serbia planifikon ta sjellë naftën ruse nga porti i Durrësit në Shqipëri.

Nuk ka informacion nëse Beogradi, në eventualitetin, që përmend “Asoshiejted Press”, planifikon që edhe gazin rus ta sjellë nga Durrësi. Nuk është për t’u habitur nëse ndodh. Me delirin e “Ballkanit të hapur” mund të justifikohet çdo lloj marrëzie për hatër të Serbisë. Mos harroni se edhe në vitin 1945 ishte Serbia që na çoi te Rusia. Pra është rrugë e njohur/ Gazeta DITA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​Stoltenberg: NATO e gatshme të diskutojë shqetësimet e Turqisë

Story i radhës

​Kosova sot ballafaqohet me Qipron

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish