“Çalimi” i kryetarit Rama / Dorëheqjet e policëve serbë të urdhëruara!

min lexim

Situata në vendin tonë po vazhdon me zhvillimi të papritura, që po sjellin tensione.

Duke filluar nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë e deri tek ngjarjet e brendshme politike në vend.

E në lidhje me këto situata si dhe problemet që ka kryeqyteti në një intervistë për “Bota sot”, ka folur sekretari i LVV-së për Komunën të Prishtinës, Egzon Azemi.

Ai për gazetën fillimisht preku temën e dorëheqjes së punonjësve serbë e që sipas tij është e drejtë individuale e secilit, mirëpo sipas tij në këtë rast urdhri ka ardhur nga Vuçiqi.

Gjithashtu Azemi e sheh legjitim vendimin e kryeministrit Kurti në lidhje me targat duke shtuar që Qeveria është në shërbim të qytetarëve për atë arsye çdo vendim e merr për të mirë të qytetarëve.

Ndërsa, në lidhje me punën që po bëhet në kryeqytet, Azemi thotë që nuk është duke u punuar aq sa është premtuar.

Sipas tij, kryetari Rama po heshtë në disa çështje që nuk duhet.

Sekretari nuk mbet pa u pyetur në lidhje për rastin Dehari, e që tha se reformat rrënjësore duhet të ndodhin në sistemin e drejtësisë, që janë rruga e vetme që ky rast të zbardhet plotësisht.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e komentoni situatën aktuale në vendin tonë pas dorëheqjeve të punonjësve serbë nga institucionet e Kosovës?

Egzon Azemi: Dorëheqja është fillimisht e drejtë individuale e secilit. Por, këto dorëheqje kolektive dihet tashmë se janë të urdhëruar nga Vuçiqi dhe Serbia. Megjithatë e rëndësishme është që funksionaliteti i institucioneve atje vazhdon, dhe të gjitha komunitetet tjera që gjenden në ato komuna po vazhdojnë punën.

“Bota sot”: Vendimi i kryeministrit për fillimin e zbatimit të vendimit për riregjistrimin e targave ngjalli reagime të shumta, duke filluar nga faktori politik vendor, por edhe ai ndërkombëtar, si e keni parë ju këtë situatë?

Azemi: Qeveria e shtyu njëherë afatin e zbatimit të kësaj marrëveshje, herën e dytë filloi me masa më të lehta, si qortimi e gjoba, dhe pastaj do të ndodhë edhe konfiskimi. Ky është veprim krejtësisht legjitim, të cilin e ndërmerr secili vend sovran. Andaj mendoj se Qeveria po vepron në mënyrë të duhur.

“Bota sot”: Çfarë duhet të bëj Qeveria e Kosovës në këtë rast, cila do të ishte përgjigjja më e mirë për këto reagime?

Azemi: Qeveria e Kosovës duhet t’i dëgjoj qytetarët dhe mendoj se po e bënë këtë mjaft mirë. Jo rastësisht LVV-ja mori mbi 51% të votave. Qytetarët duan zbatim të ligjit pa dallim, dhe kjo po ndodhë më shumë se kurrë!

“Bota sot”: Po ashtu kemi pasur një paralajmërim nga SHBA-ja që ka thënë se ministrat nuk duhet të udhëtojnë për shkak të situatës aktuale, a mendoni se pritet të ketë tensione edhe më të mëdha në një të ardhme të afërt?

Azemi: Në këtë pyetje më mirë do të përgjigjeshin ekspertet e sigurisë. Por, jam i bindur se profesionaliteti i Policisë së Kosovës dhe faktorëve tjerë të sigurisë do arrijnë ta menaxhojnë me sukses çdo situatë.

“Bota sot”: Si duhet të jetë epilogu i dialogut me Serbinë?

Azemi: Fillimisht duhet njohje reciproke. Pra, njohja në qendër, dhe dialogu mund ta vazhdoj pastaj edhe për çështje tjera. Mendoj se në këtë pikë duhet të jemi të pakompromis si qytetar apo si politikan. Këtu s’ka rëndësi a jemi pozitë apo opozitë. Interesi i vendit është më madhor se gjithçka tjetër.

“Bota sot”: T’i kthehemi kryeqytetit, ju si sekretar organizativ i LVV-në Prishtinë, si e vlerësoni punën e udhëheqjes aktuale komunale?

Azemi: Personalisht mendoj se në disa drejtori ka tendenca që disa gjëra pozitive të shtyhen para. Por, koka e ekzekutivit pra kryetari Rama, po hesht në disa çështje madhore. Mos marrja e përgjegjësive për çështje si tentimet për ndërtime në Lakrishtë, rritja e çmimores se parkingut pa asnjë konsultim, 12 milionë për konsulencë në këtë kohë krize ekonomike, nuk po tingëllojnë si një nisje e duhur e vitit të parë qeverisës.

“Bota sot”: A mendoni që po punon aq sa ka premtuar kryetari Rama?

Azemi: Mbase ka kohë ta dëshmoj të kundërtën, por fillimi s’është i mbarë. Ka premtuar se ndërmarrjet publike nuk do qeverisen nga njerëz partiak, por vetëm muajin e kaluar 3 anëtarë të LDK-së, u emëruan kryeshefa në ndërmarrje publike. Ka premtuar shumë ndryshime në 100 ditët e para, e ende shumicën nuk i ka realizuar as pas 365 ditëve.

“Bota sot”: Ju si LVV, në vazhdimësi organizoni takime me qytetarët, cilat janë disa nga problemet që përmendin?

Azemi: Uzurpimet e pronave, veprimet selektive të inspektoratit komunal, punësimet nepotiste brenda institucioneve komunale, mungesa e diskutimeve publike për çështje të rëndësishme etj.

“Bota sot”: Së fundmi ka qenë edhe përvjetori i vrasjes së Deharit. A mendoni që do të ketë zbardhje të këtij rasti?

Azemi: Së fundmi nga Ministria e Drejtësisë janë marrë disa masa kryesisht ndaj personelit të shërbimit korrektues. Reformat rrënjësore që duhet të ndodhin në sistemin e drejtësisë janë rruga e vetme që ky rast të zbardhet plotësisht. Uroj që sa më parë të zbardhet ky rast i rënd për familjen Dehari edhe për të gjithë vendin. Dhe gjithë ata që kanë gisht në këtë rast, të dalin para drejtësisë.

Story i mëparshëm

Numri i pacientëve rritet çdo ditë, psikiatrja: Çfarë e rëndon shëndetin mendor të shqiptarëve

Story i radhës

Aprovohet kërkesa e mbrojtjes së Thaçit: I shtyhet shqyrtimi i paraburgimit deri më 19 dhjetor

Të fundit nga