Hakan Calhanoglu është heroi i Interit në Ligën e Kampionëve, pasi nxori nga repertori një gol mjaft të bukur për t’u dhënë zikaltërve fitoren 1:0 ndaj Barcelonës, pikërisht në një moment mjaft të komplikuar, pas dy humbjesh radhazi në kampionat.
Pas ndeshjes turku u shfaq shumë i lumtur për golin dhe tha se fitorja shkon për trajnerin Inzaghi, i cili ka pas vetes të gjithë skuadrën.
“Kemi folur shumë për këtë periudhë të keqe që po kalonim dhe e dinim që jemi të fortë, por duhej ta tregonim në fushë. Sonte dhamë maksimumin, duke pasur edhe ndihmën e tifozëve, dhe ia dolëm të marrim tre pikët.
Jam shumë I lumtur për golin dhe sidomos për fitoren.
Ky sukses shkon për trajnerin Inzaghi, pasi jemi gjithmonë me të. Ai kishte nevojë për një dorë nga ne dhe është bukur kur shikon një skuadër të tërë që vrapon në fushë edhe për ty. Në pjesën e parë të kampionatit kemi gabuar qasje, por nëse luajmë si këtë ndeshje, e dimë që mund të mposhtim këdo”, u shpreh Calhanoglu.