Si pasojë e reshjeve, janë dëmtuar dy ura, njëra në Smallushë dhe tjetra në Gadime të Epërme të Lipjanit, po ashtu dëmtime në infrastrukturën publike dhe ekonomitë familjare.
Banorët e fshatit Gadime e Epërme shprehin shqetësimin e tyre për shembjen e urës, pasi që sipas tyre qarkullimi është bllokuar nga reshjet e shumta, dhe ata janë të detyruar të përdorin rrugë alternative që janë më të gjata dhe më të rrezikshme.
Rafat Isufi, banor i fshatit Gadime e Epërme, thekson për KosovaPress se situata është shqetësuese dhe se banorët po përballen me vështirësi të mëdha në qarkullim
Çahet ura, bllokohen dy fshatra, thekson Isufi
“Ishte shumë e rëndësishme, e ka bllokuar të gjithë anën shkaku i reshjeve të shumta… Kjo rrugë dërgon edhe në fshatin Vrellë dhe Plitkoviq, domethënë dy fshatra i ka bllokuar. Ka edhe rrugë alternative, por këtë e kemi shfrytëzuar më së shumti… E kemi lajmëruar rastin më herët, por nuk ka qenë e pa, a ka mundësi me rregulluar apo diçka… Ka filluar me u prish edhe më herët, por nuk ka marrë askush masë me rregulluar diçka… Kanë filluar me rregulluar shtratin e lumit, por e kanë lënë në gjysmë, e kanë dalë puna”, theksoi Isufi.
Për shembjen e urës, edhe Rrezart Rexhepi tregon për KosovaPress tani kanë vështorësi për qarkullim.
Rexhepi: Kemi vështirësi për qarkullim
“Kjo urë nuk është shumë e sigurt. Nëse e keni parë, mund të bëhet dëme edhe mos të ketë lëvizje. Këtë lagje këtu hiq… kanë reaguar dy a tre herë, nashtë marrin masa, por nuk e di… ka pas ankesa kur ka qenë një vërshim tjetër, po dëmë nuk ka pas. Tash është bërë dëmi… po u neglizhua sepse këtu ka pas kamiona edhe të gurthyesve që kanë ardhur shumë. Kjo është dashur me u forcuar më herët, po nashtë e kanë prit momentin deri tani… rrugë tjetër ka, po jo rrugë e duhur”, theksoi Rexhepi.
Komuna e Lipjanit njofton qytetarët se, si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, gjendja me vërshime është rënduar në territorin e komunës.
“Si pasojë e reshjeve, janë dëmtuar dy ura, njëra në Smallushë dhe tjetra në Gadime të Epërme, po ashtu dëmtime në infrastrukturën publike dhe ekonomitë familjare”, thuhet në njoftimin e kësaj komune.
Aktualisht, vërshime janë evidentuar në shumicën e fshatrave, ndërsa gjendja më e rënduar paraqitet në këto lokalitete: Rubovc, Konjuh, Qylagë, Banullë, Akllap, Smallushë, Hallaq i Vogël, Rufc dhe Gadime.
Komuna e Lipjanit ka themeluar Shtabin Emergjent, i cili është aktiv dhe në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet relevante.
Burimi: botasot.info


