Në Agjencinë Antikorrupsion vazhdojnë të shkojnë informacione për pasurinë e zyrtarëve publik, të cilat i nënshtrohen verifikimit dhe hetimit. Por, pavarësisht këtyre përpjekjeve që nga krijimi i kësaj Agjencia, ata ia kanë hedhur paq drejtësisë. Janë numër i vogël rastesh që kanë mundur të ndëshkohen nga institucionet tjera të drejtësisë.
Ndërkohë, është rritur përgjegjshmëria e atyre zyrtarëve që duhet ta publikojnë pasurinë e tyre, sipas afateve ligjore. Këtë vit, për herë t parë numri i atyre që se kanë kryer këtë detyrim ka rënë në 14 veta, por shumica prej tyre përbëjnë raste, që mbase mund të arsyetohen, si probleme shëndetësore, udhëtime të gjata zyrtare dhe provave jashtë vendit në kohën e mbylljes së afatit ligjor etj. Po ashtu ka rënë edhe numri i zyrtarëve që e kanë deklaruar pasurinë pas afatit ligjor, nga 96 një vit më parë, në 50.
Ndërkohë, Agjencia po vazhdon sipas shortit t’ua bëjë hetimin e plotë të pasurisë së zyrtarëve, sipas përcaktimit me short.
Sipas Yll Buleshkajt, drejtorit të Agjencisë Antikorrupsion, është dyfishuar numri i rasteve të raportuara në Prokurori për shkelje ligjore nga zyrtarët publikë për mosdeklarim të pasurisë apo për deklarim të rrejshëm. Madje sipas tij, vetëm në gjashtëmujorin e parë, të këtij viti numri i rasteve të raportuara në prokurori arrin në afër 140.
Për këto dhe çështje të tjera, lexojeni intervistën me drejtorin e Agjencisë Anti Korrupsion Yll Buleshkajn.
Si po ecën procesi i deklarimit të pasuri nga zyrtarët e lartë këtë vit? Çfarë vështirësish vërehen?
Yll Buleshkaj: Procesi i deklarimit të rregull vjetor të pasurisë, tani më ka përfunduar dhe është realizuar në pajtim me Ligjin për Deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë, dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave. Procesi i deklarimit nuk ka shënuar ndonjë vështirësi që vlen të theksohet, ndërsa përgjigja në dorëzim të raporteve vjetore ka qenë më e mira në vitet e fundit.
Pas përpunimit të të dhënave të pranuara, më 14 qershor, Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publik për vitin 2021 në web-faqen e AKK-së. Me këtë veprim është përmbyllur faza e parë e obligimeve ligjore të AKK-së në bërjen transparente të informatave në lidhje me pasurinë e zyrtarëve të lartë publik. Ndërsa, faza e dytë e veprimeve tona (AKK) për deklarimin e rregullt vjetor ka nisur më 15 qershor, me hedhjen e shortit për kontrollin e plotë të pasurisë, ku janë përzgjedhur 20% të zyrtarëve që kanë qenë subjekte të deklarimit vjetor të pasurisë, dhe të njëjtit do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga AKK-ja.
Dëshiroj të sqaroj se për të evituar lëshimet eventuale gjatë procesimit të të dhënave, Agjencia Kundër Korrupsionit përmes personave kontaktues, një javë para publikimit të formularëve ka kërkuar nga subjektet deklaruese t’i verifikojnë edhe një herë regjistrat e deklarimit të pasurisë, nëse eventualisht mund të kenë ndodhur lëshime teknike nga AKK-ja dhe pasi kemi pranuar përmirësimet nga ta, kemi bërë publikimin e tyre.
Nga numri i përgjithshëm i zyrtarëve të lartë publik që kanë pasur për obligim ta deklarojnë pasurinë, 4684 zyrtarë të lartë publikë kanë bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit të rregullt ligjor, 50 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë pas afatit të rregullt ligjor, ndërsa 14 prej tyre nuk e kanë deklaruar pasurinë fare. Krahasuar me vitin e kaluar, pra 2021, nga numri i përgjithshëm, prej 4721 zyrtarëve, 96 zyrtarë të lartë publik nuk e kanë deklaruar pasurinë brenda afatit të rregullt ligjor.
A ka pas hezitime për deklarim të pasurisë?
Buleshkaj: Deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë është obligim ligjor. Nuk do të kisha thënë se ka pasur hezitime, por ka pasur pasiguri në lidhje me atë se çka dhe si duhet plotësuar formularin e raportimit. Në mënyrë që të lehtësohet procesi i deklarimit, AKK-ja edhe këtë vit ka mundësuar që përveç mundësisë së paraqitjes fizike të zyrtarëve për ta bërë deklarimin e pasurisë, formularët kanë mundur të dorëzohen edhe përmes postës elektronike. Rrjedhimisht, edhe ka pasur raste që formularët janë dorëzuar edhe e-mail adresa të stafit, e disa nga ta e kanë plotësuar dhe ndryshuar formularin disa herë, madje ka raste që pavarësisht thirrjes që formularët të dërgohen të nënshkruar dhe skanuar, jo në të gjitha rastet ky rregull është respektuar nga zyrtarët publikë. Është e natyrshme që zyrtarët publikë, posaçërisht ata që kanë deklaruar pasurinë për herë të parë kanë pasur nevojë. Në AKK përveç se janë pranuar një numër i konsiderueshëm i formularëve të pa nënshkruar, plotësimi i formularëve gjithashtu në disa raste nuk është bërë sipas kërkesës ligjore, pastaj rreth 1000 subjekte deklaruese e kanë bërë deklarimin e pasurisë gjatë dy ditëve të fundit të afatit, e duket që nga ngutia mund të ketë pasur lëshime dhe gabime.
Sidoqoftë, në mbarëvajtje sa më të mirë të deklarimit të pasurisë, nga fillimi deri në fund të muajit mars, vazhdimisht e kemi përsëritur se deklarimi i pasurisë duhet të bëhet me kohë dhe saktë, ndërsa në formularin e deklarimit të pasurisë duhet të bëhet deklarimi edhe i dhuratave dhe çfarëdo dobie tjetër materiale ose e detyrimeve financiare të realizuara brenda apo jashtë vendit, dhe në të njëjtën kohë janë njoftuar se zyrtarët që nuk e kryejnë obligimin e tyre ligjor në mënyrë të saktë dhe me kohë, do e detyrojnë AKK-në të veprojë në pajtim me nenin 430 të Kodit Penal të Kosovës.
Nga ata që nuk e kanë deklaruar pasurinë, çfarë arsye kanë deklaruar?
Buleshkaj: Deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë nuk e kanë bërë 14 zyrtarë të lartë publik. Arsyetimet e zyrtarëve të lartë janë të ndryshme. Nga të dhënat që posedojmë ka raste të zyrtarëve që janë në paraburgim, raste që janë arsyetuar se e kanë keqkuptuar afatin e deklarimit, raste që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe nuk mendojnë që duhet deklaruar pasurinë, raste që kanë paraqitur arsye shëndetësore, raste ku zyrtarët nuk kanë qenë në Kosovë gjatë afateve për deklarim për arsye të punës ose private, raste ku zyrtarët nuk kanë pranuar njoftimin nga zyrtari përgjegjës, përcjellja e formularëve në adresa të gabuara elektronike dhe arsyetime të ngjashme.
Në lidhje me deklarimin e pasurisë, i cili aktualisht bëhet në mënyrë manuale, dua të shtoj edhe një detaj që i kam dhënë prioritet ta realizojmë sa më shpejtë, në kuadër të avancimit të mekanizmave për deklarimin e pasurisë, kemi shpejtuar dinamikën e realizimit të projektit për deklarimin elektronik të pasurisë që do të krijojë një standard të ri të llogaridhënies dhe transparencës për deklarimin e pasurisë të cilin jemi duke e realizuar me UNDP-në. Realizmi i këtij projekti do të krijonte një standard të ri dhe më të avancuar të deklarimit të pasurisë, sikurse për AKK-në, gjithashtu edhe për subjektet deklaruese.
Cilat masa do të merren ndaj atyre që nuk deklarojnë pasurinë?
Buleshkaj: Pas përfundimit të afatit ligjor për deklarimin e rregullt të pasurisë, Agjencia, përpilon listat përfundimtare, duke përfshirë edhe listën e atyre që nuk e kanë kryer deklarimin dhe vendos kontakte me këto subjekte deklaruese, për të marrë informata se pse nuk e kanë bërë deklarimin dhe varësisht nga arsyetimet e pranuara, AKK-ja ndërmerr veprime konform legjislacionit në fuqi vetëm pas mbledhjes dhe sigurimit të informatave për zyrtarët e lartë, pra vetëm bazuar në dëshmitë dhe informatat e siguruara. Ligji është shumë i qartë, parasheh edhe gjobë edhe dënim me burg për ata, të cilët nuk e bëjnë ose janë vonuar me deklarimin e pasurisë.
Sa mund të jenë gjobat ndaj atyre që nuk e deklarojnë pasurinë?
Buleshkaj: Të gjithë zyrtarët publik, të cilët nuk e deklarojnë pasurinë brenda afateve ligjore, dhe të njëjtit nuk paraqesin arsye të mjaftueshme dhe të pranueshme për mos-deklarimin e pasurisë, trajtohen sipas Nenit 430-të të Kodit Penal të Kosovës, ku është përcaktuar se mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare përbën vepër penale.
Gjobat, shqiptohen varësisht nga rastet e trajtuara dhe lëvizin në disa mijëra euro. Nga informatat që kemi ne, dhe nga praktikat e deritanishme gjykatat nuk kanë aplikuar gjoba maksimale për raste të tilla, për shkak se kanë marrë parasysh me gjasë, masat lehtësuese.
Marr parasysh pavarësinë e institucioneve siç janë gjykatat dhe prokuroria nuk do të dëshiroja të komentoj shumë vendimet e gjyqësorit në lidhje me lartësinë e gjobave.
Duke u bazuar në vitet e kaluara, a kanë ndërmarrë diçka organet e drejtësisë ndaj atyre që nuk e deklarojnë pasurinë?
Buleshkaj: Në vitin e kaluar, sipas statistikave që i kemi, janë diku rreth 140 raste, të cilat janë dërguar në Prokurori nga AKK-ja, për shkelje të tilla apo edhe të ngjashme, vetëm në gjysmën e parë të këtij viti është afër numrit të vitit të kaluar.
Kush janë ministrat dhe prokurorët për të cilët Agjencia ka ngritur kallëzime penale?
Buleshkaj: Rastet për të cilat AKK-ja ka dorëzuar kallëzime penale, disa tanimë kanë qenë publik dhe nuk do të kisha dëshiruar të përmend emra. Por, ajo që dua të theksoj është se në mesin e rasteve të trajtuara, përveç pozitave të ministrave dhe prokurorëve, AKK-ja ka trajtuar dhe vazhdon të trajtojë edhe pozita të tjera të nivelit të lartë publik, përveç ministrave dhe prokurorëve ku përfshihen udhëheqës të institucioneve të pavarura, kryetarë të komunave, bordeve të ndërmarrjeve publike, zyrtar të misioneve diplomatike si dhe pozita të tjera të ngjashme.
Sa mund të ndihmojë Agjencia dhe të dhënat e saj, që të hetohen dhe konfiskohen pasuritë e pajustifikueshme?
Buleshkaj: Mund të ndihmojë shumë, në fakt të ofrojë mjaftueshëm informata për deklarimin jo të saktë të pasurisë ose deklarim të rremë.
Në lidhje me procesin e hetimeve për deklarimin e pasurisë, AKK-ja zhvillon hetimet administrative nga informatat e pranuara sipas detyrës zyrtare dhe informata të pranuara nga personat fizik apo juridik dhe për të arritur te konstatimet përfundimtare, Agjencia zhvillon procedurën e verifikimit të informatave, të cilat më pas i nënshtrohen hetimit paraprak në rastin e dyshimit ku Agjencia kërkon, mbledh, hulumton dhe analizon dokumentacionin dhe informacionet tjera relevante për rastin dhe kërkon informacione nga personat e përfshirë në rast. Gjatë fazës së mbledhjes së të dhënave, përveç zyrtarëve të cilët janë subjekt i trajtimit AKK-ja bashkëpunon edhe me institucionet tjera relevante siç janë Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve, Administrata Tatimore e Kosovës, njësitë përkatëse të regjistrimit të pronave të paluajtshme dhe institucionet tjera relevante.
Dhe, nëse pas përfundimit të procedurave hetimore paraprake konstatohet se ka të dhëna të mjaftueshme apo/dhe dyshim të arsyeshëm se rasti mund të përbëjë vepër penale, Agjencia ia përcjellë rastin prokurorisë kompetente për procedim të mëtutjeshëm.
Nëse krijohet Bordi për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, a do të ngushtohet roli juaj?
Buleshkaj: Agjencia Kundër Korrupsionit, aktualisht e ushtron mandatin e saj ligjor të bazuar në ligjin në legjislacionin përkatës, pra me mandat të qartë të ushtrimit të kompetencave të saj si është për AKK-së, Ligjin për deklarimin e pasurisë, Ligjin për Parandalimin e Konflikti të interesit dhe Ligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve.
Por, aktualisht Agjencia Kundër Korrupsionit, është në fazën e plotësimeve dhe ndryshimeve ligjore që natyrshëm përfshijnë edhe ndryshimin e fushëveprimit dhe mandatit të AKK-së, sikurse në raport me organizmin gjithashtu edhe në raport me fushëveprimin e saj, Ligji për Agjencinë kundër korrupsionit dhe Ligji për Deklarimin dhe Prejardhjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik. Besoj që secili ligj për më tepër legjislacioni kundër korrupsionit, do të duhej t’i nënshtrohet një vlerësimi ex-post, për të vlerësuar nëse i njëjti ligj ka arritur qëllimet e tij gjatë zbatimit në praktikë dhe pastaj të identifikohen edhe lëshimet dhe sfidat, të cilat e kanë shoqëruar ligjin dhe të njëjtat do të mund të shërbenin në plotësimin dhe ndryshimin e atij ligji. Kjo është shumë e nevojshme, sepse ne mësojmë çdo ditë se nga puna jonë, sfidat me të cilat përballemi gjatë punës ditore dhe nevojat për plotësime dhe ndryshime na paraqesin rezultatin se ku kanë qenë mangësitë dhe çka duhet të ndryshojmë.
Bashkërisht, të gjitha institucionet duhet të punojmë që të ndërtojmë një kornizë ligjore që është adekuate për t’i arritur qëllimet tona, si shoqëri, dhe si shtet për ta parandaluar dhe luftuar korrupsionin në forma të ndryshme.
Pse Agjencia nuk mund të shkojë, të hetojë më tej, se sa të pranojë deklarimin e pasurisë? Janë disa fakte dhe informacione, të provuara edhe nga mediat, edhe nga mënyra e jetesës etj, që tregojnë se nuk ka përputhje me deklarimin?
Buleshkaj: Fushë veprimtaria e Agjencisë me rastin e hetimeve është përcaktuar me legjislacion dhe ashtu siç e theksova edhe më lart, gjithë fushëveprimi i Agjencisë në raport me deklarimin e pasurisë është i bazuar në mandatin ligjor, të cilin e ka aktualisht. Është e vërtetë se ne pranojmë informata nga shumë burime, përfshirë këtu edhe mediat dhe të gjitha informatat trajtohen brenda afateve kohore, siç është përcaktuar me legjislacionin në fuqi.
Ka plot politikan që deklarojnë rrejshëm pasurinë, pasi atë e menaxhojnë dhe e kanë në emër të personave të tretë. Pa dyshim, që juve ju dërgohen informacione me këso indikacione. Kur mund të ketë nisje të hetimeve bazuar në informacionet e jashtme?
Buleshkaj: Për secilin nga rastet e raportuara për deklarimin e rrejshëm të pasurisë, gjitha hetimet në Agjencinë Kundër Korrupsionit trajtohen brenda procedurave ligjore. Siç e theksova edhe me lartë, në lidhje me procesin e hetimeve për deklarimin e rremë të pasurisë, Agjencia zhvillon procedurën e verifikimit të informatave,. të cilat më pas i nënshtrohen hetimit paraprak në rastin e dyshimit ku Agjencia kërkon, mbledh, hulumton dhe analizon dokumentacionin dhe informacionet tjera relevante për rastin dhe kërkon informacione nga personat e përfshirë në rast, varësisht nga informatat e pranuara dhe faktet e siguruara, ndërmerr veprime sipas legjislacionit në fuqi dhe kompetencave që ka.
Sa ka presion nga politika, që deklarimi i pasurisë nga zyrtarët të pranohet si i tillë?
Buleshkaj: Nga perspektiva e Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, nga marrja e detyrës e deri më sot nuk ka pasur tentativa serioze për ndikim. Korniza ligjore mjaftueshëm na siguron pavarësinë nga ndikimet e jashtme, ndërsa stafi punon me integritet të lartë.
Dëshiroj ta ri-theksoj një detaj, se Agjencia Kundër korrupsionit e zhvillon procesin e hetimeve të bazuar në legjislacionin në fuqi dhe se zhvillimi i hetimeve dhe kontrollit të pasurisë realizohet pa asnjë ndërhyrje ose presion nga jashtë. Para ligjit jemi të gjithë të barabartë.