brukseli kosoves bashkepunim per krijimin e institucioneve 6a2738d5ba248

Brukseli Kosovës: Bashkëpunim për krijimin e institucioneve

June 8, 2026
min lexim

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thanë, se zgjedhjet demokratike dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë krijojnë mundësinë për t’i dhënë fund bllokadës politike. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, tha se tani u takon liderëve politikë “që të veprojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar funksionalizimin e institucioneve”.

“Zgjedhjet demokratike dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë hapin rrugën për të kthyer faqen pas më shumë se një viti ngërç politik. Liderët politikë duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për të siguruar formimin e shpejtë të qeverisë”, shkroi Kallas në platformën X, në reagimin e parë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u mbajtën të dielën (07.06.2026) në Kosovë.

Edhe komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, uroi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhje, duke e theksuar njëkohësisht: “nevojën për bashkëpunim mes forcave politike”.

“Që Kosova të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së, forcat politike duhet tani të bashkohen dhe të gjejnë kompromis për të ndërtuar stabilitet institucional”, shkroi Marta Kos në X. Sipas saj, ajo mezi pret ta vizitojë Kosovën për të “intensifikuar punën rreth integrimit evropian dhe vazhdimin e mbështetjes përmes Planit të Rritjes të BE-së”.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare u mbajtën të dielën në Kosovë me një pjesëmarrje prej rreth 37%, shumë më të ulët sesa në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të shkuar. Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, doli partia e parë me 42.92% të votave.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti,në adresimin e parë para simpatizantëve të tij, rezultatin prej rreth 43% të partisë së tij, pa përfshirë votat e diasporës, e cilësoi rezultat fitoreje për qeverinë, siç tha “Kurti 4”.

Ai paralajmëroi se do të bashkëpunojë me partitë e tjera për të zgjidhur çështjen e presidentit, problematikë kjo për të cilën, në mungesë të konsensusit politik, vendi u detyrua të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Tone të moderuara të partive opozitare

“Javët në vijim do të takojmë, do të bashkëpunojmë me të gjitha partitë, sepse para së gjithash e mbi të gjitha e kemi interesin publik, vullnetin dhe Republikën sovrane, së cilës i shërbejmë me devotshmëri. Llogaritni në ne jo vetëm në punën që bëjmë, por edhe në bashkëpunimin që bëjmë”, u shpreh Kurti. Ndërkohë, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, partia e të cilit u rendit e dyta në zgjedhje, tha se “për krijimin e institucioneve duhet të ketë një marrëveshje politike qysh tani”, duke thënë se ai “nuk është përjashtues” dhe se nuk ka vija të kuqe ndaj asnjë partie.

“Asnjëherë gjatë rrugëtimit tim politik nuk kam vendosur vija të kuqe, nuk kam vendosur as në këto zgjedhje dhe besoj që nuk është e mirë që të kemi vija të kuqe, jemi gjithmonë të hapur për biseda, e kam dhënë preferencën time se më e shëndetshme për vendin është krijimi i qeverisë prej partive që kemi qenë në opozitë, por kjo varet prej numrave, megjithatë nuk kam qenë përjashtues”, u shpreh Hamza.

Nga ana tjetër, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, partia e të cilit u rendit e treta, lidhur me bashkëpunimin eventual me Vetëvendosjen e Kurtit për formimin e institucioneve të reja, tha se “emri i Vjosa Osmanit për presidente do të jetë pikënisja e çdo bisedimi për presidentin”.

“Nuk kemi ndërmend të bëjmë kompromise me gjërat për të cilat kemi kërkuar mbështetje qytetare. Jemi të interesuar për stabilitet institucional. Ne kemi qenë të gatshëm për bisedime me të gjitha partitë shqiptare, përveç Listës Serbe. Dhe jemi të vetëdijshëm se çështja e presidentit do të jetë çështja e parë që do të diskutohet. Ne kemi kandidaten tonë, Vjosa Osmani, dhe ajo do të jetë pikënisja e çdo bisedimi”, tha Abdixhiku.

Ndërkohë, vetë Vjosa Osmani, e cila ishte prijëse e listës për deputete të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se “Lëvizja Vetëvendosje s’ka arsye për ta refuzuar emrin e saj për një mandat tjetër si presidente”. / DW

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

renie shiu ne manastir vershohen disa rruge 6a27224f708fd
Lajmi i mëparshëm

Rënie shiu në Manastir, vërshohen disa rrugë

do jeni gjithmone vend nen shenjestren e iranit ish agjenti i cia s teherani shfrytezon problemet e brendshme per te krijuar percarje 6a2739518ef5e
Lajmi i radhës

“Do jeni gjithmonë vend nën shënjestrën e Iranit”, ish-agjenti i CIA-s: Teherani shfrytëzon problemet e brendshme për të krijuar përçarje

Të fundit nga

Rënie shiu në Manastir, vërshohen disa rrugë

Sasitë e mëdha të shiut që ranë në Manastir këtë pasdite shkaktuan probleme në funksionimin normal të pjesëve të qytetit, informoi Komuna e Manastirit dhe konfirmoi se ekipet nga NP “Niskogradba” Manastir
ShkoLartë