Usain Bolt, ish-sprinteri xhamajkan, fitues i 8 medaljeve të arta olimpike, rekordmen i botës në 100 metra (9”58) dhe 200 metra (19”19) është padyshim një nga ikonat e sportit. Ai renditet përkrah legjendave të sportit si Mouhammad Ali, Michael Phelps, Roger Federer, Michael Jordan, Pele etj.
Bolt ishte i aftë të fitojë medaljen e artë në 100 e 200 metra në tri Olimpiada radhazi: Pekin 2008, Londër 2012 dhe Rio 2016. Në moshën 36-vjeçare, si shprehet se rekordet e tij janë të vështira për t’u thyer në të ardhmen.
“Mendoj se do të duhet ende edhe shumë kohë para se dikush të thyejë rekordet e mia, sidomos atë të 100 metrave. Mendoj se kam parë disa atletë të talentuar në pistë që mund t’i afrohen, por që janë ende larg rekordeve të mia. Të shohim se çfarë do të ndodhë, në jetë gjithçka është e mundur”, tha Usain Bolt.
“E sigurt është që rekordet nuk do të thyhen së shpejti. Le të themi se edhe për 5 vitet e ardhshme do të jem ende rekordmeni i botës në këto dy disiplina. Do të më pëlqente që këto rekorde të qëndronin sa më gjatë, kur edhe fëmijët e mi të rriten, për t’u treguar se jam ende i pathyeshëm”, u shpreh sprinteri xhamajkan.