bllokada amerikane rendon tregtine e iranit mbi 1 mije kamione mbeten te bllokuar ne kufi 6b05ef45950b1

Bllokada amerikane rëndon tregtinë e Iranit, mbi 1 mijë kamionë mbeten të bllokuar në kufi

November 24, 2026
min lexim

Një situatë e rënduar është krijuar në rrugët tokësore që lidhin Azinë me Iranin, ku qindra kamionë transportues kanë mbetur të bllokuar në një kolonë që shtrihet për rreth 40 kilometra. Pritjet kanë zgjatur prej disa ditësh, ndërsa shkak për këtë situatë është bërë devijimi i transportit të mallrave pas bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, në kolonën e krijuar pranë pikës kufitare Yalama, mes Kazakistanit dhe Uzbekistanit, ndodhen afërsisht 1.200 kamionë që transportojnë mallra nga Kina drejt Iranit. Kjo pikë kufitare konsiderohet një nga korridoret e rëndësishme të furnizimit të vendit.

Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të bllokuar portet iraniane ka ndryshuar ndjeshëm mënyrën e furnizimit të Iranit. Për shkak të kufizimeve në transportin detar, mallrat tashmë po orientohen drejt korridoreve tokësore, duke kaluar nëpër Kazakistan, Uzbekistan, Pakistan, Turkmenistan dhe Turqi.

Megjithatë, infrastruktura dhe kapacitetet kufitare duket se nuk po arrijnë të përballojnë fluksin e madh të transportit.

Amir Roshanbakhsh, përfaqësues i Organizatës për Zhvillimin e Tregtisë në Iran, ka bërë të ditur për gazetën “The Telegraph” se numri i kamionëve në një pikë të vetme kufitare është rritur ndjeshëm, nga rreth 200 në 1.200.

Përveç vonesave, kjo situatë ka sjellë edhe një rritje të konsiderueshme të kostove të transportit. Sipas zyrtarëve iranianë, dërgimi i një kontejneri që më parë kushtonte rreth 2.740 euro përmes transportit detar, tashmë arrin në afro 10.960 euro kur realizohet përmes rrugëve tokësore.

Probleme të mëdha po evidentohen edhe në transportin e produkteve që kërkojnë kushte të veçanta ruajtjeje. Ushqimet e freskëta janë ndër mallrat më të rrezikuara nga udhëtimet e gjata, ndërsa një pjesë e produkteve kanë mbetur në Kinë për shkak të kufizimeve të vendosura nga autoritetet doganore të Kazakistanit dhe Turkmenistanit.

Ndërkohë, raportimet sugjerojnë se Uashingtoni po ushtron presion ndaj shteteve fqinje të Iranit, me synimin për të kufizuar më tej qarkullimin e mallrave drejt këtij vendi.

Vështirësi të ngjashme janë raportuar edhe në kufirin mes Iranit dhe Turqisë. Në pikën kufitare të Bazarganit, drejtuesit e kamionëve thuhet se po përballen me pritje që zgjasin deri në disa javë.

Kriza e transportit po zhvillohet në një periudhë kur ekonomia iraniane po përballet me presion të shtuar. Të martën, monedha kombëtare e Iranit pësoi një tjetër rënie të ndjeshme në tregun e zi, pas paralajmërimit të Shteteve të Bashkuara për masa të reja ndëshkuese.

Një ditë më parë, Departamenti amerikan i Thesarit bëri të ditur se kishte vendosur sanksione ndaj më shumë se dy duzinë subjekteve të lidhura me këmbimin valutor në Iran, kompanive të dyshuara si struktura mbuluese, si dhe personave që dyshohet se janë të përfshirë në një rrjet financiar informal të njohur si “bankimi në hije”.

Sipas autoriteteve amerikane, ky rrjet dyshohet se funksiononte nën mbikëqyrjen e Bankës Qendrore të Iranit.

Nga ana tjetër, guvernatori i Bankës Qendrore iraniane, Abdolnaser Hemmati, është përpjekur të minimizojë ndikimin e masave të reja. Ai deklaroi se SHBA-ja duket se ka shteruar objektivat e saj dhe tashmë po synon edhe një platformë legjitime.

Burimi:TV21

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

perfundon ne sherr me thika konflikti ne fier 17 vjecari plagos punonjesin e fast food it 6b05ef41cf90a
Lajmi i mëparshëm

Përfundon në ‘sherr’ me thika konflikti në Fier, 17-vjeçari plagos punonjësin e fast-food-it

okb ngre alarmin infektimet me hiv mund te rriten ne vitin 2027 shkurtimet e fondeve rrezikojne te zhbejne progresin global 6b05ef78767ea
Lajmi i radhës

OKB ngre alarmin: Infektimet me HIV mund të rriten në vitin 2027, shkurtimet e fondeve rrezikojnë të zhbëjnë progresin global

Të fundit nga

ShkoLartë