Besimi: “Rregulli i artë” – investimet kapitale më të larta për 187 milionë euro se deficiti në vitin 2024

Buxheti për vitin 2024 është përshtatur sipas “rregullit të artë” në financat publike – “nëse merrni hua, duhet të jetë vetëm për investime”. Investimet kapitale janë projektuar në vlerë prej rreth 45 miliardë denarë, ose 11.5 miliardë denarë (187 milionë euro), më të larta se deficiti buxhetor. Nga ana tjetër, deficiti buxhetor në buxhetin e vitit 2024 është ulur me gati një të tretën krahasuar me projeksionet për këtë vit. Projeksionet afatmesme janë që deficiti buxhetor të bjerë nën kriteret e Mastrihtit, thekson ministri i Financave, Fatmir Besimi në kolumnën e fundit dedikuar buxhetit për vitin e ardhshëm.

Deficiti buxhetor është projektuar në 3.4% të PBB-së (ku vetëm gjysma është deficiti primar, respektivisht 1.7% e PBB-së, ndërsa pjesa tjetër e deficitit destinohet për pagesën e interesit mbi borxhin e akumuluar nga e kaluara deri në periudhën e tanishme). Ky nivel korrespondon me projeksionet afatmesme në Strategjinë fiskale deri në vitin 2028, me ç’rast deficiti buxhetor parashikohet që në vitet 2025 dhe 2026 të ulet në 3% ose në përputhje me kriteret e Mastrihtit, ndërsa në vitet 2027 dhe 2028 ai duhet të bjerë nën 3%, respektivisht 2.8% dhe 2.5%.

“Zhvillimi dhe qëndrueshmëria – këto janë dy fjalët kyçe që përshkruajnë buxhetin e vitit 2024. Buxheti i vitit 2024 është zhvilluar, për shkak të ciklit të fuqishëm të investimeve në infrastrukturë që do të vijojë vitin e ardhshëm. Buxheti është i qëndrueshëm, sepse pavarësisht komponentit të lartë infrastrukturor, vazhdojmë me konsolidimin fiskal”, theksoi Besimi.

Janë planifikuar investime sinjifikative në fushën e infrastrukturës rrugore, që kanë të bëjnë me projektimin dhe ndërtimin e Korridorit 8, gjegjësisht zgjerimin e autostradës Tetovë-Gostivar, ndërtimin e autostradës së re Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë, ndërtimin e pjesës Gostivari-Bukojçan dhe ndërtimin e Korridorit 10 d, ndërtimin e pjesës Prilep-Manastir dhe studimin e fizibilitetit për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren. Planifikohet që të vazhdohet me ndërtimin e pjesës lindore të Korridorit 8, në pjesën Rankovc-Kriva Pallankë dhe deri në kufirin me Bullgarinë, si dhe në pjesën perëndimore, në pjesën Kërçovë-Bukojçan. Parashihen mjete edhe për autostradën Shkup-Bllacë.

Vazhdon ndërtimi dhe rehabilitimi i pjesës lindore të linjës hekurudhore të Korridorit 8, si dhe ndërtimi i kalimit të përbashkët kufitar hekurudhor me Serbinë. Në buxhet janë projektuar mjete edhe për projekte të konsiderueshme kapitale në pjesën e infrastrukturës komunale dhe menaxhimit të mbetjeve, efikasitetit energjetik, rregullimit të zonave zhvillimore teknologjike dhe industriale, sektorit shëndetësor dhe arsimor, mbrojtjes së fëmijëve dhe sportit, sektorit bujqësor, si dhe për vendosjen e Sistemit të Integruar të Informacioneve dhe Sistemit të Menaxhimit të Informacioneve të Ndihmës Shtetërore si pjesë e konceptit të Financave SMART.

Story i mëparshëm

Formacionet zyrtare Roma – Udinese

Story i radhës

Bandat kriminale vrasin ish-ushtari i UÇK-së në Francë, familjarët japin detaje

Të fundit nga