Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Anton Berisha, ka akuzuar Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti për arrogancë dhe papërfillshmëri ndaj shtetit të Kosovës.
Ai në një intervistë për gazetën “Bota sot”, thotë se Kurti po krijon situata të panevojshme konfliktuoze, duke treguar, sipas tij, papërgjegjshmëri.
Vendimin e kryeministrit Kurti për targat e veturave të komunitetit serb, Berisha e ka quajtur “kotësi”, teksa njëjtë i ka vlerësuar edhe vizita e tij jashtë vendit.
Por, ndërkohë, të mërkurën e ka mbrojtur vendimin e Qeverisë, ambasadori britanik Abot.
Berisha po ashtu e ka fajësuar edhe presidenten Vjosa Osmani, se bashkë me Kurtin në vitin 2016 ia humbën “trenin” Kosovës për liberalizimin e vizave.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Z. Berisha, Kosova po “vlon” nga lajmet për presionin ndërkombëtar për çështje të mëdha si targat dhe Asociacioni. Cili është komenti juaj lidhur me zhvillimet aktuale politike në vend?
Anton Berisha: Nuk ndaj mendimin se është fjala për presion ndërkombëtar. Shqiptarët e Kosovës duhet të jenë mirënjohës për ndihmën euro-amerikane për lirinë dhe shtetin, e në të njëjtën kohë të kuptojnë modelin evropian të zgjidhjeve të çështjeve të hapura. Për momentin, Kosova ka një qeveri arrogante dhe të papërfillshme ndaj vet historisë së shtetit të vet dhe është duke krijuar situata të panevojshme konfliktuoze.
“Bota sot”: Si e shihni vendimin e Kurtit për çështjen e targave të makinave?
Anton Berisha: E shoh si një kotësi, ashtu sikurse e gjithë veprimtaria e Kurtit është një kotësi që të vetmin aktivitet e ka fjalamanin, demagogjinë dhe propagandën.
“Bota sot”: Autoritetet amerikane janë shprehur të zhgënjyera me përgjigjen e Kurtit për mos shtyrjen e afatit për ndërrimin e targave ilegale për serbët në Kosovë për 10 muaj. A po rrezikohen marrëdhëniet me miqtë e Kosovës?
Anton Berisha: Natyrisht se arroganca në sjellje dhe veprime krijon rezerva tek partnerët. Joserioziteti i Kurtit vë në pikëpyetje besueshmërinë dhe paparashikueshmëria e sjelljeve të tij e bën partner joserioz që më së paku i duhet Kosovës.
“Bota sot”: Serbia nuk po i ndalë kërcënimet luftarake ndaj Kosovës, a ka gjasa që ndodhë ndonjë eskalim situate në veri të vendit, apo kjo është vetëm një retorikë serbe?
Anton Berisha: Retorikë serbe, me të cilën së tepërmi merremi ne shqiptarët. Parametrat e sigurisë varen nga partnerët dhe s’kemi pse t’i fryjmë zjarrit. Kurti e Osmani e aktualizojnë këtë temë duke treguar papërgjegjshmëri ekstreme.
“Bota sot”: Po materialin “franko-gjerman” të publikuar në media, që lidhet me dialogun Kosovë-Serbi si e komentoni? A po i kërkohen Kosovës kompromise të rënda për marrëveshjen me Serbinë?
Anton Berisha: Nuk ka kompromise të rënda kur është në pyetje zhbllokimi dhe integrimi euroatlantik. Standardet qytetare sipas modelit evropian duhet të jenë model edhe për Kosovën e jo të imitojmë jotolerancën çfarë e kishte aplikuar Serbia millosheviçiane.
“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e opozitës në Kosovë?
Anton Berisha: Nuk kisha bërë ndonjë koment të veçantë për veprimet politike të opozitës, pasi që nuk jam pjesë e strukturës së LDK-së, por kam angazhim profesional në politikën e jashtme.
“Bota sot”: Kryetari i Nismës Fatmir Limaj ka kërkuar front të përbashkët politik kundër Qeverisë Kurti? Sipas jush, a ka gjasa që Kurti të “shkojë në shtëpi”?
Anton Berisha: Nuk jam në dijeni të kësaj kërkese të z. Limaj.
“Bota sot”: Në rast të zgjedhjeve të reja, a do të bëjë LDK-ja koalicion me ndonjë parti, apo e vetme?
Anton Berisha: Besoj që kjo është një përgjegjësi e kryetarit dhe kryesisë së LDK-së për të gjykuar se cili opsion politik është më i dobishëm.
“Bota sot”: Franca sërish doli kundër liberalizimit të vizave për Kosovën dhe vendit po i kërkohet plotësimi i kushteve të reja pse mendoni se po ndodhë kjo? Sa janë gjasat që Kosova të fitojë liberalizimin në nëntor të këtij viti?
Anton Berisha: Franca nuk është pozicionuar kundër, por meqë kemi humbur trenin e liberalizimit në vitin 2016 falë dyshes Kurti-Osmani, tash duhet pritur momentin e volitshëm politik, por edhe teknik për të ndodhur.
“Bota sot”: Serbia po pretendon dhe paralajmëron tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga disa vende, a njeh politika ndërkombëtare praktika të tillë të tërheqjeve?
Anton Berisha: Ne duhet më pak të merremi me lojërat e diplomacisë serbe e më shumë të jemi aktivë e prezent nëpër vende të ndryshme të botës.
“Bota sot”: Një delegacion amerikan me 25 kompani biznesi, i kanë shkuar në zyre presidentit serb Aleksandar Vuçiq, si e shihni lobimin e institucioneve të Kosovës?
Anton Berisha: Lobimin e Kosovës e shoh ashtu sikur vepron kryeministri Kurti, vizita e shëtitje tri javore pa asnjë efekt për Kosovën, por efekte individuale për përmbushjen e dëshirave të Kurtit.