Shkup, 21 dhjetor – Do të bëjmë gjithçka është në kompetencën tonë të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë, ndërsa do të ketë ulje për konsumatorët e vegjël – për kompanitë mikro dhe të vogla, theksoi sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Zvogëlim të çmimit për konsumatorët e vegjël do të ketë për arsye se tashmë janë duke u stabilizuar çmimet e energjisë elektrike dhe të gazit natyror në bursat botërore. Kjo lejon ne të mund të intervenojmë që të jenë më konkurrues kompanitë tona mikro dhe të vogla jo vetëm në tregun tonë por edhe në rajon dhe më gjerë”, tha Bekteshi në përgjigjen e pyetjes para fillimit të shënimit të jubileut “90 vjet Oda e Zejtarëve Shkup”.
Potencoi se është e sigurt se do të ketë ulje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët e vegjël në tregun e rregulluar.
“Tashmë janë siguruar mjete për këtë, ndërsa dje kaloi edhe plani aksional me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Presim nga mesi i janarit t’i marrim mjetet nga BE-ja me të cilat do të mundemi drejtpërdrejtë t’u ndihmojmë kompanive mikro dhe të vogla. Në pjesën e amvisërive, qytetarët të cilët shpenzojnë më pak do të paguajnë më pak, ndërsa ata që shpenzojnë pa nevojë dhe kanë hapësirë të shpenzojnë, të paguajnë më shumë dhe të tilla do të jenë edhe çmimet”, precizoi Bekteshi.
Sjellja e vendimit final për çmimin e energjisë elektrike në tregun e rregulluar pas 1 janarit, siç tha, është punë e Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime Uji (KRRE) e cila tashmë është duke i bërë përllogaritjet.
“Nuk dëshiroj të them se nuk i di të dhënat, por dëshiroj para KRRE-së të dalë me të dhënat përfundimtare. Gjithsesi se i dimë edhe unë edhe kryeministri edhe anëtarë të tjerë të Qeverisë”, sqaroi Bekteshi.
Burimi: zhurnal.mk