Bashkimi Evropian përshëndeti sot hapin e ndërmarrë nga presidenti Hakainde Hichilema për heqjen e dënimit me vdekje në Zambia.
“Kjo arritje dërgon një sinjal të fortë për vendet në rajon dhe në mbarë botën, duke kontribuar në heqjen graduale të dënimit me vdekje në Afrikë dhe më gjerë. Dënimi me vdekje është një dënim mizor, çnjerëzor dhe poshtërues. Bashkimi Evropian e kundërshton fuqishëm dënimin me vdekje në të gjitha rrethanat dhe do të vazhdojë të punojë për heqjen e tij në mbarë botën”, thuhet në reagimin e BE-së.
Bashkimi Evropian mirëpret gjithashtu heqjen e veprës penale të shpifjes së presidentit, e cila për BE-në është “një sinjal i qartë i angazhimit të Zambias në rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vend”.
Zambia ka pasur një moratorium mbi dënimin me vdekje që nga ekzekutimi i fundit në 1997, dhe projektligji për ndryshimin e Kodit Penal ka marrë miratimin e presidentit, duke shfuqizuar të gjitha dispozitat e Kodit Penal që parashikojnë dënimin me vdekje.