BE dhe SHBA për situatën në veri të Kosovës: Po punohet me Kurtin e Vuçiqin për të gjetur një zgjidhje

Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa për të ulur tensionet dhe po ashtu të frenohen nga provokimet, kërcënimet dhe frikësimet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të përbashkët të BE-së dhe Departamentit të Shtetit të ShBA-së, thuhet se po punohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike për të ulur tensionet.

“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuar për situatën e tensionuar që po vazhdon të mbizotërojë në veri të Kosovës. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve për përmbajtje maksimale, të mos marrin masa të menjëhershme dhe të pakusht për të ulur tensionet, dhe të frenohen nga provokimet, kërcënimet e frikësimet. Ne po punojmë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për të gjetur një zgjidhje politike në mënyrë që të ulen tensionet dhe të arrihet pajtim për një rrugë para në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies të gjitha komuniteteve lokale”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu në këtë deklaratë është thënë se janë të mirëpritura garancitë nga Kosova që konfirmojnë se nuk ekziston një listë me serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për shkak të pjesëmarrjes në protesta apo vendosjes së barrikadave.

SHBA-ja ka thënë se do ta përkrahë punën e BE-së nëpërmjet Misionit të EULEX-it në Kosovë dhe se EULEX-i, në përputhje me mandatin që ka, do të vazhdojë të monitorojë nga afër gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për ta promovuar respektimin e të drejtave të njeriut.

“Kjo përfshirë, në veçanti, garantimin e një gjykimi të drejtë, si dhe mbrojtjen e trajtimin e barabartë për anëtarët e komuniteteve jo shumicë në Kosovë”, thuhet tutje në deklaratë.

Po ashtu është thënë që pritet që Kosova dhe Serbia të kthehen në bisedime për të nxitur një “mjedis të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve”. Ndërkaq, është bërë thirrje edhe të respektohen gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun Kosovë-Serbi.

Nga 10 dhjetori në disa rrugë në veri të Kosovës janë vendosur nga serbët lokalë barrikada ku është bllokuar lëvizja e lirë si reagim pas arrestimit nga autoritetet policore kosovare të ish-policit të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiq.

Ish-policit Pantiq së fundmi iu ndryshua masa nga ajo e paraburgimit në arrest shtëpiak nga autoritetet e drejtësisë në vend.





Story i mëparshëm

“Türkiye pengoi përpjekjen e Greqisë për të zhdukur varrezën e periudhës osmane në Thrakinë Perëndimore”

Story i radhës

​Notari rumun David Popovici shpallet atleti ballkanik i vitit 2022 në sondazhin e BTA

Të fundit nga