Një legjislacion, dy realitete në kompensimin e viktimave të luftës

Nga dhjetëra gjykime për krime lufte deri më tani janë kompensuar vetëm 11 viktima, dhe në dispozicion ka vetëm një buxhet prej 200 mijë eurosh në vit. Ndryshe nga gjykatësit në Kosovë, që nuk urdhërojnë kompensim, gjykatësit e Gjykatës Speciale kanë filluar të lëshojnë urdhëresa për kompensim.

Bajram Zylifiu është një nga 4 të mbijetuarit e masakrës së Krushës së Vogël të Prizrenit, ku më 26 mars 1999, vranë113 civilë. Zylfiu ishte në mesin e dëshmitarëve dhe viktimave që dëshmuan në gjykimin për krime lufte ndaj Darko Tasiq, një pjesëtar rezervist i policisë serbe, që në vitin 2020 u dënua me 11 vite burg, për bashkëpunim në vrasjet në Krushë të Vogël.

Zylfiu nuk ishte pyetur nëse kërkonte kompensim, një e drejtë ligjore në Kosovë që nga viti 2015. Ai thotë për Radio Kosovën se për të drejtën në kompensim as nuk u pyet asnjëherë dhe as nuk kishte kush ta këshillonte.

“Nuk është përmendur fjala kompensim kurrë deri sot. Që nga 2012-ta, kur kemi dhënë dëshmi në EULEX, e deri tash, nuk na ka pyet askush për dëmshpërblim. Kam trokitur disa herë në disa zyra, por kanë thënë ju nuk keni status dhe për këtë ne kemi ngelur mbrapa”, tha ai. 

Si i mbijetuar i masakrës, me probleme të rënduara shëndetësore të stresit post-traumatik dhe probleme të tjera shëndetësore që përbëjnë 40 të shkallës së invaliditetit, Zylfiu tregon se asnjëherë nuk pati ndonjë përkrahje në aspektin shëndetësor apo financiar.

“Te mjeku pagesat i bëjmë vetë. Na kushtojnë. Unë tash që e mora pensionin, gjëja e parë që e bëra i ndava 100 euro veç për barna. Prej shtetit s’marr asnjë kompensim. As për traumat, as për vuajtjet e as për asgjë hiq”, tha Zylfiu. 

Prokurorja Drita Hajdari, ish-shefe e Departamentit të Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale, thotë se viktimat e krimeve të luftës janë të pa informuara ose pak të informuar për të drejtën në kompensim.

Viktimat në shumicën e rasteve merren në pyetje si dëshmitarë. Zakonisht gjyqtarët i udhëzojnë për obligimet që kanë si dëshmitarë, por jo edhe me këtë pjesën për të drejtat që ata i kanë si viktima, siç është kompensimi”, tha ajo.

Ligjërish, kompensimi nga shteti mund të kërkohet kur të pandehurit nuk mund të paguajnë për dëmshpërblim të viktimave dhe kërkesat realizohen përmes Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, nga dhjetëra gjykime për krime lufte deri më tani është kompensuar një numër i vogël i viktimave.

“Gjatë vitit 2023 janë pranuar 11 kërkesa për kompensim për veprat penale krime lufte. Këto kërkesa janë aprovuar nga Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë, për Radio Kosovën.

Ndryshe nga gjykatat në Kosovë, Dhomat e Specializuara, që gjithashtu ligjërisht janë gjykatë e Kosovës e zhvendosur në Hagë, kanë filluar të lëshojnë urdhëresa për kompensim të viktimave. Në rastin e të dënuarit Salih Mustafa, vitin e kaluar, gjykata urdhëroi kompensim për tetë viktima në vlerë gjithsej prej  207,000 euro, kompensim për vuajtjet e pësuara.

Gjykata ka vlerësuar se Mustafa ka vetëm pjesërisht mundësi të kompensojë viktimat dhe ka kërkuar që kjo të bëhet përmes Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, një gjë që është refuzuar nga Ministria e Drejtësisë.

Nora Ahmetaj, një hulumtuese e drejtësisë tranzicionale, thotë se është një realitet i dyfishtë në legjislacionin kosovar për sa i përket kompensimit të viktimave. “Duhet të krijohet një fond për kompensimin e viktimave që sërish do të jetë barrë e buxhetit”, thotë Ahmetaj.

Ministria e Drejtësisë gjithashtu ka thënë se nuk ka buxhet të veçantë për kompensimin e viktimave. “Për vitin 2024 ka buxhet në shumë 200 mijë euro për kompensimin e viktimave të krimit”.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Zelensky thotë se ushtria ukrainase rrëzoi një aeroplan luftarak rus Su-25

Story i radhës

Sot në Tetovë, tubim madhështor i Frontit Europian

Të fundit nga