Departamenti i Mjekësisë në Federatën Shqiptare të Futbollit organizoi këto dy ditë një kurs të rëndësishëm për ndihmën e shpejtë dhe reanimimin kardiopulmonar me fizioterapistë shqiptarë të angazhuar në botën e futbollit.
Veç drejtuesit të Departamentit të Mjekësisë në FSHF, Gianluca Stesina dhe Koordinatorit të këtij Departamenti, Ilvi Begollit, i pranishëm në këtë kurs ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj.
Koordinatori i Departamentit të Mjekësisë në FSHF, Ilvi Begolli zbuloi dy ditët intensive të kursit me fizioterapistët shqiptarë dhe rëndësinë e këtij kursi. “Dje ishte seminari i radhës në FSHF me temë reanimimi kardio-pulmonar.
Ky seminar nuk u bë nga lektorët e zakonshëm por kishim një bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Urgjencave Mjekësore, me Doktor Skënder Brataj, i cili solli të gjithë ekipin e tij për të trajnuar fizioterapistët dhe mjekët për ndihmën e shpejtë, arrestin kardiak. Fizioterapistët u trajnuan se si të japin ndihmën e parë dhe se si të përdorin defribilatorin, hambunë; detaje që janë të nevojshme për çdo fizioterapist dhe mjek, të cilët janë pjesë të futbollit” – tha doktor Ilvi Begolli, i cili zbuloi gjithashtu se duke nisur nga ky vit, të gjithë studentët, fizioterapistët e mjekët, të cilët duan të profilizohen në fushën e Mjekësisë Sportive, do të kenë mundësi të ndjekin një program Masteri në Universitetin e Sporteve të Tiranës, që vjen si bashkëpunim i UST-së dhe FSHF-së.
“Prej disa vitesh, përmes Presidentit të FSHF-së dhe Rektorit të Universitetit të Sporteve të Tiranës ka nisur një bashkëpunim dypalësh për krijimin e një masteri për Mjekësinë Sportive. Është për t’u vlerësuar sepse Universiteti i Sporteve tashmë ka iniciuar programin që do të nisë së shpejti, ku në fokus do të jetë vetëm sportisti.
Do të jetë një master që do të jetë i fokusuar vetëm në fushën e Mjekësisë Sportive, duke filluar që nga traumatologjia sportive, rehabilitimi, në fokus do të jetë nutricioni. Do të jenë një sërë profesionistësh të cilët do të jenë pjesë e këtij masteri pranë UST, një master që do të zhvillohet edhe përmes bashkëpunimit me FSHF-në, me stafet e FSHF-së. Ndihmë do të jenë pikërisht edhe kurset që FSHF zhvillon aktualisht, që do të vazhdojnë edhe vitin tjetër.
Por për të pasur një certifikim universitar, do të jetë më pas Universiteti i Sporteve që do të bëjë të gjithë suportin e stafeve mjekësore të cilët do të duan të jenë në një nivel më të ngritur dhe më të detajuar, për të përgatitur në mënyrë më të mirëfilltë në kurrikulat universitare të gjithë ata të cilët do të jenë të interesuar për të qenë pjesë e këtij programi master pranë UST”, – thotë dr. Begolli për fshf.org, ndërsa nënvizon se një master i tillë është në të mirë të FSHF-së dhe UST-së, ku qëllimi kryesor është përgatitja e sa më shumë profesionistëve në këtë fushë.
“Natyrisht, është në të mirë të dyanshme, si të FSHF-së, ashtu edhe të UST-së që të nxjerrin profesionistë të fushës, duke bërë të mundur që në një të ardhme ne të minimizojmë kohën e rikuperimit që duhet të jenë për sportistët dhe ne të jemi në një rang cilësor si të gjitha vendet e tjera europiane. Masteri nis nga ky vit. Për regjistrimet duhet të interesohen pranë Universitetit të Sporteve të Tiranës”, – përfundon për fshf.org Ilvi Begolli.
Në përfundim të kursit dyditor të fizioterapisë ishte i pranishëm edhe trajneri i Kombëtares, Sylvio Mendes Campos Junior, i cili i uroi pjesëmarrësit për këtë kualifikim dhe njëkohësisht vlerësoi kontributin e tyre në fushën e sportit. Gjithashtu, trajneri kuqezi mori pjesë edhe në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave përkatëse të kursantëve.