Sigal Prishtina ka shënuar fitore ndaj Rahovecit me rezultat 79:85 (19:27, 20:22, 21:19, 19:17), në xhiron e 26-të të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.
Në gjashtë minutat e para të ndeshjes u zhvillua një ndeshje e barabartë, e më pas prishtinasit ishin më të mirë, duke e fituar çerekun e parë me rezultat 19:27. Kryeqytetasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, duke krijuar epërsinë më të lartë në ndeshje, 23:42, por vendasit nuk u dorëzuan, për të afruar rezultatin, kurse pjesa e parë përfundoi 39:49.
Vreshtarët nuk u ndalën as në periudhën e tretë, për të afruar shifrat në vetëm dy pikë, 52:54, e më pas zhvillohet lojë interesante, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 60:68.
Dhjetë minutat e fundit ishin shumë interesant, ku rahovecasit rikthyen rezultatin në favor të tyre 79:75, megjithatë, prishtinasit me një seri vendimtare prej 0:10, arritën të triumfojnë 75:85.
Te Rahoveci u dalluan Makol Mawien me 25 pikë e 12 kërcime dhe TJ Dunans me 20 pikë e shtatë asistime, kurse te Sigal Prishtina u dalluan Jan Palokaj me 19 pikë e gjashtë kërcime dhe Wendell Mitchell me 18 pikë e gjashtë kërcime.
Rahoveci ka 11 fitore e 15 humbje, kurse Sigal Prishtina ka 13 fitore e 13 humbje.