Në disa lagje të Prishtinës ka filluar të rregullohet çështja e parkingjeve për banorët rezidentë.
Mirëpo pavarësisht kësaj, ka banorë që jo gjithmonë gjejnë vend për parkim në lagjen “Dardania” apo te vendi i njohur si “Te Santea”.
Ahmet Grajqevci thotë se paguan 7 euro në muaj për vend parkim, por thotë se shpesh i ndodh që vend të mos gjejë.
“E paguajmë 7 euro në muaj por vend për parkim nuk ka. Edhe pse paguajmë rregullisht dhe jemi banorë të lagjes ndodh shumë herë që vend nuk ka. Në një rast jam detyruar ta thërras merimangën për ta nxjerrë veturën se ndryshe do të vonohesha për punë…Pas orës 20:00 në mbrëmje është shumë problem për një vend parkim”, deklaroi Grajqevci.
Mirëpo kryeshefi ekzekutiv i kompanisë publike “Prishtina parking” thotë se në atë zonë ka vende parkimi të mjaftueshme për banorët e zonës.
“E them me përgjegjësi të plotë se “Te Santea” ka vend të bollshëm për parkim për banorët vendas dhe çdo ditë po punohet për të funksionuar sa më mirë si parkim për banorët rezidentë të asaj lagjeje”, deklaroi Liridon Restelica.
Ai thotë se nga e hëna banorët rezidentë të lagjes Dardania të regjistrohen dhe të marrin stikersat në mënyrë që të mos kenë problem me parkimin.
Ai ka lutur banorët tjerë që të mos parkojnë aty nga e hëna pasi iu konfiskohen veturat e tyre.