Në Intervistë për DW ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock u kundërvihet kërcënimeve ruse për shtrirjen e aksionit ushtarak në Ukrainë dhe deklaron një komportim të ri ndaj Kinës.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, reagoi ashpër ndaj deklarimeve ruse, se do të sulmojnë territore të tjera në Ukrainë. “Rusia çdo herë përdor një argument tjetër. Kësaj here ata thonë, se kjo bëhet për shkak të mbështetjes ushtarake. Por ato kanë sulmuar Kievin dhe të tjera pjesë të Ukrainës edhe në të kaluarën. Pra kemi të bëjmë vetëm me një propagandë të re të palës ruse.”, tha ministrja në një intervistë ekskluzive për DW.
Mbështetja gjermane për Ukrainën
Ministri i Rusisë, Sergej Lavror, sipas mediave ruse është shprehur, se aksioni ushtarak rus në të ardhmen do të shtrihet edhe ndaj objektivave në perëndim të Ukrainës. Objektivat gjeografike do të largohen tepër nga fronti aktual, në rast se Perëndimi vazhdon ta „pompojë” Ukrainën me armë, parlajmëroi Lavrovi. Bisedimet për paqen ai i përjashtoi për një të ardhme të afërt.
Richard Walker në bisedë për DW me ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock
Ministrja e Jashtme Baerbock i premton Ukrainës në të kundërt ndihma të mëtejshme gjermane: „Ne po shqyrtojmë mbështje në forma të ndryshme. Ajo që ne mund të bëjmë, është të japim mbështetje në hulumtimet për çminimin e shumë qyteteve. Ne japim ndihmë mjekësore, mbështesim refugjatët. E nëse ka gjëra ku ne mund të bëjmë më shumë, edhe me mbështetje financiare, atëherë ne do ta shqyrtojmë edhe këtë”, tha ajo.
Baerbock ndërkohë ndodhet në një udhëtim veror dhjetëditor në Gjermani. Hashtag: #SicherLeben. (hashtag:#të jetosh i sigurt) nën këtë titull ajo do të diskutojë me qytetarët strategjinë kombëtare të sigurisë. Në mars ministrja zyrtarisht filloi të zhvillojë një strategji të tillë.
Politikë e re ndaj Kinës
Në këtë kontekst qeveria synon një orientim të ri edhe në politikën ndaj Kinës. Qëllimi është, që të rimendohet varësia ekonomie në disa sektorë, tha Baerbock në intervistë për DW – p.sh. lidhur me temën e elektromobilitetit: „Nëse ne tani u kushtojmë rëndësi automobilëve me elektricitet, për të realizuar objektivat tona ndaj klimës, atëherë kuptohet që na nevojitet prodhimi i baterive. Ne tani i prodhojmë ato, por të gjitha materialet që përmbajnë bateritë, i kemi në varësi 98 përqind, e kjo prek të gjitha automjetet në Europë.”
Ndaj Gjermania do të koordinohet ngushtë me partnerët europianë dhe Komisionin e BE-së. Komisioni ka bërë të qartë, se Kina në disa çështje ekonomike është një konkurrente dhe në luftën kundër krizës së klimës është një partnere, por edhe relevante për sistemin. “E përderisa ajo është relevante për sistemin, ne duhet të bëjmë të qartë, që askush nuk mund të na ushtrojë presion si në rastin e varësisë nga Rusia”, thotë ministrja. Kjo është baza e strategjisë së qeverisë gjermane për Kinën. “Ne bashkëpunojmë aty ku mund të bashkëpunojmë, por ne kemi edhe strategjinë europiane për pavarësinë në infrastrukturën kritike, që i përshtatet politikës sonë të jashtme”, thotë Baerbock.