azizi per here te pare perfaqesimi i drejte dhe adekuat po vendoset ne ligj kerkojme miratim me badenter 6a214e607e2f8

Azizi: Për herë të parë përfaqësimi i drejtë dhe adekuat po vendoset në ligj, kërkojmë miratim me Badenter

June 4, 2026
min lexim

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, në një konferencë për media të mbajtur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ka prezantuar qëndrimet e VLEN-it si parti politike lidhur me Propozim-Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke e cilësuar atë si një hap historik në avancimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe në garantimin e karakterit multietnik të shtetit.

Azizi theksoi se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është parim kushtetues dhe jo një privilegj politik, duke rikujtuar se për më shumë se dy dekada kjo çështje nuk ishte e rregulluar me ligj të veçantë.

“Për gati 23 vite kjo çështje mbeti pa ligj të veçantë. Kishim arnime, mekanizma të përkohshëm dhe interpretime të ndryshme, por asnjëherë ligj”, deklaroi Azizi.

Sipas tij, pas shfuqizimit të balancuesit nga Gjykata Kushtetuese u bë e qartë se nevojitej një zgjidhje e re ligjore që do të garantonte zbatimin e këtij parimi kushtetues.

“Balancuesi ishte vetëm vegël, ndërsa përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është parim kushtetues. Vegla mund të zëvendësohet, por parimi nuk mund të hiqet”, tha deputeti i VLEN-it.

Ai nënvizoi se VLEN e kishte vendosur këtë çështje ndër prioritetet kryesore gjatë negociatave për formimin e Qeverisë dhe se tani, për herë të parë, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat po merr formë ligjore.

Azizi shpjegoi se ligji parasheh disa mekanizma të rinj, përfshirë detyrimin ligjor të institucioneve për të respektuar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, krijimin e një trupi koordinues qeveritar për monitorimin e zbatimit të ligjit, si dhe mbështetjen në të dhëna reale nga regjistrimi i popullsisë dhe nevojat konkrete të institucioneve.

Një nga risitë, sipas tij, është edhe parandalimi i keqpërdorimit të vetëdeklarimit etnik gjatë procedurave të punësimit.

“Ligji e mbron vetëdeklarimin e lirë, por e ndalon keqpërdorimin e tij. Askush nuk mund ta përdorë identitetin etnik si manovër për të fituar vend pune”, tha Azizi.

Deputeti i VLEN-it bëri të ditur se ka thirrur seancën e Komitetit për Marrëdhënie mes Bashkësive me kërkesë që Propozim-Ligji të përfshihet në grupin e ligjeve që miratohen me shumicë Badenter, duke theksuar se kjo çështje prek të gjitha bashkësitë etnike në vend.

“Ky ligj nuk është vetëm ligj i VLEN-it. Ai prek karakterin multietnik të shtetit dhe të gjitha bashkësitë që duhet të ndihen të përfaqësuara në institucionet e vendit”, deklaroi ai.

Po ashtu Azizi u bëri thirrje të gjitha partive politike dhe deputetëve që ta mbështesin propozimin, duke vlerësuar se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është vlerë themelore e rendit kushtetues dhe interes shtetëror.

Burimi: alfax.mk

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

michael jackson behet artisti i pare qe ka nje hit ne listat e billboard ne gjashte dekada te ndryshme 6a214bc7b8d04
Lajmi i mëparshëm

Michael Jackson bëhet artisti i parë që ka një hit në listat e Billboard në gjashtë dekada të ndryshme

lsdm costa konfirmoi se mickoski genjen waitz konfirmoi se reforma nuk ka 6a214faea910c
Lajmi i radhës

LSDM: Costa konfirmoi se Mickoski gënjen, Waitz konfirmoi se reforma nuk ka

Të fundit nga

ShkoLartë