Elmi Aziri, deputet i Lidhues Shqiptare (LSH), në emisionin “Dialog te Lajmi” që drejtohet nga z.Sefer Tahiri, ka ngritur shqetësimin se mosrespektimi i vullnetit politik të shqiptarëve rrezikon ta zbrazë nga kuptimi vetë procesin zgjedhor dhe përfaqësimin politik të tyre në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Azirit, gara politike ka kuptim vetëm nëse respektohet legjitimiteti që del nga vota e qytetarëve. Në të kundërtën, shtrohet pyetja nëse shqiptarët kanë më nevojë për organizim politik përmes partive shqiptare.
Duke folur për funksionimin e institucioneve dhe Marrëveshjen e Ohrit, Aziri theksoi se modeli i demokracisë konsensuale është i domosdoshëm në një shtet multietnik, pikërisht për të parandaluar majorizimin.
Në këtë kuadër, ai iu referua edhe mekanizmit të Badinterit, të cilin e cilësoi si një nga mekanizmat kryesorë mbrojtës të shqiptarëve nga majorizimi.
Aziri tha se aktualisht në Kuvend janë bllokuar disa ligje që prekin drejtpërdrejt edhe shqiptarët, për shkak se shumica qeverisëse nuk e ka shumicën e nevojshme sipas Badinterit.
Mes ligjeve të përmendura prej tij janë ato për vetëqeverisjen lokale, arsimin e mesëm, arsimin e lartë dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.
“Demokracia konsensuale nuk nënkupton mosrespektimin e vullnetit politik të bashkësisë së dytë etnike, që në këtë rast janë shqiptarët”, theksoi deputeti Elmi Aziri, në emisionin “Dialog te Lajmi”.
Ai paralajmëroi se nëse ky parim vazhdon të mos respektohet, atëherë nuk vihet në pikëpyetje vetëm funksionimi i shumicës parlamentare, por edhe vetë kuptimi i përfaqësimit politik të shqiptarëve dhe i votës së tyre.
Burimi: lajmpress.org


