Brenda dy muajve pritet të hapet segmenti më kompleks i autostradës Kërçovë–Ohër, mes Izvorit dhe Vërbjanit, duke bërë të mundur shmangien e plotë të qafës së Presekës.
Sipas ministrit të Transportit, Aleksandar Nikoloski, bëhet fjalë për rreth 10 kilometra me viadukte, ura, katër galeri dhe dy tunele të gjata 1.990 dhe 2.100 metra.
Deri tani janë përfunduar 37 kilometra, ndërsa 34 prej tyre janë tashmë në qarkullim. Pas hapjes së segmentit të Presekës, punimet do të përqendrohen te pjesët mbi Kërçovë dhe te Botuni, ku po kryhen ndërhyrje të veçanta për stabilizimin e terrenit.
Në Botun po vendosen mbi 5.000 pilotë të betonuar deri në 24 metra thellësi, ndërsa janë angazhuar edhe makineri speciale nga jashtë vendit.
Autostrada e plotë, me gjatësi 57 kilometra, sipas paralajmërimeve pritet të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm.
Burimi: lajmpress.org


