Vetëm dy javë pas zgjedhjeve në Saksoni-Anhalt, gjermanët në lindje të vendit përballen me një provë të re zgjedhore: më 20 shtator 2026, qytetarët e Berlinitdhe Mecklenburg-Vorpommern do të zgjedhin parlamente të reja në lande, me një mandat pesëvjeçar.
Në të dy landet, qytetarët që kanë mbushur moshën 16 vjeç kanë të drejtë vote. Në Berlin kjo ndodh për herë të parë në zgjedhjet e landit. Sondazhet tregojnë se situata politike në të dy landet është shumë e ndryshme. Por ato kanë një të përbashkët – formimi i qeverive të ardhshme në asnjërin prej tyre nuk do të jetë i lehtë.
CDU ka mbështetjen më të madhe në Berlin, megjithëse shumica dërrmuese e qytetarëve janë të pakënaqur me koalicionin aktual CDU/SPD.
Në Mecklenburg-Vorpommern, AfD-ja kryeson në sondazhe, por shumica e qytetarëve besojnë se qeveria e ardhshme duhet të udhëhiqet nga SPD-ja.
Berlin: Cila është renditja?
Në Berlin, kryeqytetin gjerman që ka edhe statusin e landit, zgjedhjet do të mbahen më 20 shtator. Rreth 2.5 milionë votues kanë të drejtë vote në zgjedhjet për parlamentin e landit.
Sipas sondazhit të fundit të opinionit të BerlinTrend, më shumë se tre të katërtat e të anketuarve (77 përqind) janë të pakënaqur me punën e qeverisë aktuale në land, e cila përbëhet nga CDU dhe SPD, dhe drejtohet nga (CDU).
Sipas të njëjtit sondazh, CDU është partia më e fortë me 21 përqind mbështetje, e ndjekur nga e Majta me 19 përqind. Ndërsa të Gjelbrit dhe AfD-ja janë të barabartë në vendin e tretë me nga 18 përqind secila. SPD ka 11 përqind të votuesve dhe BSW ka katër përqind.
Krahasuar me sondazhin e mëparshëm, AfD është forcuar me dy pikë përqindjeje, ndërsa CDU, të Gjelbrit dhe BSW kanë fituar secila nga një pikë. Në të njëjtën kohë, e Majta ka humbur tre pikë përqindjeje ndërsa SPD-ja ka rënë me një përqind, duke arritur një nivel të ri të ulët midis votuesve.
Çështja kryesore – strehimi
Çështja më e rëndësishme politike për berlinezët mbetet strehimi dhe qiratë e larta, të cilat pothuajse një e treta e të anketuarve i përmendin si një problem kyç. Shqetësimet në lidhje me migracionin, sigurinë dhe krimin po rriten gjithashtu.
Më 20 shtator, berlinezët do të zgjedhin edhe anëtarët e asambleve të 12 komunave të Berlinit. Qytetarët e Bashkimit Evropian gjithashtu kanë të drejtë vote në këto zgjedhje, kështu që numri i votuesve është më i madh, duke arritur në rreth 2.75 milionë.
Mecklenburg-Vorpommern
Më 20 shtator, qytetarët e Mecklenburg-Vorpommern do të zgjedhin një parlament të ri të landit me seli në Schwerin. Rreth 1.3 milionë qytetarë të këtij shteti në Gjermaninë lindore kanë të drejtë vote.
Që nga viti 2021, landi është qeverisur nga një qeveri koalicioni e SPD-së dhe Partisë së Majtë, e udhëhequr nga Kryeministrja Manuela Schwezig (SPD).
Schwezig, e cila konsiderohet si një nga politikanet më të njohura në Gjermani, drejtoi edhe qeverinë e mëparshme në Schwerin nga viti 2017 deri në vitin 2021 në një koalicion me CDU-në.
AfD më e forta, por SPD ende favorite për qeverisje
Sipas sondazhit të fundit, AfD gëzon mbështetjen e 35 përqind të votuesve, ndërsa Partia Social-Demmokrate SPD mund të llogarisë me 32 përqind të votave. E Majta mbështetet nga 11 përqind e të anketuarve, CDU tetë përqind, të Gjelbrit pesë përqind dhe BSW katër përqind. Për CDU-në, ky është rezultati më i ulët në sondazhe në historinë e këtij landi.
Sondazhet tregojnë se krahasuar me zgjedhjet e mëparshme në vitin 2021, AfD shënoi rritjen më të madhe. Në të njëjtën kohë, SPD humbi një pjesë të konsiderueshme të mbështetjes së votuesve të saj krahasuar me rekordin prej pothuajse 40 përqind, të fituar pesë vjet më parë.
Pavarësisht kësaj, sipas një sondazhi të fundit, më shumë se gjysma e të anketuarve (56 përqind) besojnë se SPD duhet të udhëheqë prapë qeverinë e ardhshme të landit, ndërsa 31 përqind e mbështesin AfD-në.
Sipas sondazhit aktual, Manuela Schwezig mund të udhëheqë qeverinë edhe për një mandat të tretë, deri në vitin 2031. Kur u pyetën se për kë do të votonin nëse kryeministri do të zgjidhej drejtpërdrejt, 60 përqind e të anketuarve do të votonin Schwezig.
Tema kryesore e fushatës: arsimi
Sipas sondazhit, qytetarët veçojnë arsimin si problemin më të rëndësishëm në land. Ekonomia dhe migrimi janë në vendin e dytë dhe të tretë, ndërsa çështja e papunësisë po fiton gjithashtu rëndësi dhe tani është në vendin e katërt në listën e problemeve. Ruajtja e kopshteve falas, e cila është një nga politikat e njohura të qeverisë së landit, zë gjithashtu një vend të rëndësishëm në debatet politike. Këto sondazhe janë kryer para zgjedhjeve në landin Saksoni-Anhalt. Ndaj me interes priten edhe sondazhe të tjera ku do të shihet nëse këto zgjedhje kanë ndikuar në ndryshimin e renditjeve. / DW
Burimi: botasot.info


