#. Asociacioni jo vetëm që është i dëmshëm dhe si i tillë edhe i papranueshëm, por ai është edhe i panevojshëm sepse, si Plani i ashtuquajtur i Ahtisarit, po ashtu edhe Kushtetuta dhe Ligjet e Kosovës (sidomos ato që rregullojnë fushat gjegjëse në nivel të pushtetit dhe vetëqeverisjes lokale), të drejtat dhe liritë e komuniteteve, rrjedhimisht edhe pozitën e tyre kushtetuese e ligjore e kanë rregulluar dhe sot e kësaj dite kjo pozitë e tyre, si e tillë zbatohet – në përputhje me standardet më të larta demokratike, se sa kudo tjetër në Botë.
Ky pra është realiteti dhe e vërteta e jonë e pakontestueshme, ndaj krahas kësaj pozite mbistandardizuese e të hipëravancuar kushtetuese-juridike që vlen posaçërisht dhe ekskluzivisht për vetëm pjesëtarët e një komuniteti minoritar, po u dashka që për nevojat morbide dhe ekspansioniste e patologjike te një regjimi autarkik dhe nacionalshovenist të Beogradit u dashka , që me çdo kusht dhe padrejtësisht të formohet një surrogat destabilizues dhe dubioz për nga qëllimet dhe mjetet, të formohet vetëm dhe specifikisht për një minoritet (konkretisht atë serb) në Kosovë , aniqe në bazë të Kushtetutës së Kosovës një asociacion për të gjitha komunat – pa dallim etnie, tashmë, që shumë vite suksesshëm ekziston dhe vepron në Republikën tonë.
Është për të ardhur keq kur në platforma të ndryshme, reale ose virtuale has shkrime pretencioze, si për shembull ai i : “Europian Centre for Minority Issues Kosovo”, me titull Asociacioni/bashkësia e komunave me shumicë serbe – kalimi i udhëkryqit i disa koautorëve i qershorit të vitit 2016, studim i mbështetur nga PAX e ndonjë tjetër, të cilat, nën rreze të Diellit e të dritës, mjegullojnë me kinse hulumtimet e tyre – realitetin , si dhe kornizën tashmë të shkruar në këto dy marrë -veshjet e elaboruara edhe në këtë shkrim; ku pa ndonjë akribi të mirëfilltë e të mjaftueshme faktesh dhe rezultate shkencore-profesionale, si dhe pa ndonjë pike -mbështetje të mjaftueshme kushtetuese-juridike dhe as logjike e empirike, trumbetojnë shlirshëm, sikur duke ngrenë havëll, se kanë zbuluar modelin a zgjidhjen më të mirë të pranueshme, duke u pajtuar me formimin e një surrogati fantom, kuazi shtetëror – brenda shtetit të Kosovës; një asociacion mbi një tjetër asociacion – tash -me ekzistues dhe funksional në Kosovë apo edhe asociacion për çdo fushëveprimtari jete e pune te ne; kuptohet në baza krejtësisht antikushtetuese dhe antiligjore; madje edhe njëetnike, por në dobi ekskluzivisht të një minoriteti etnik e në dëm kolosal dhe mbase edhe të pakompensueshëm të gjithë shoqërisë kosovare.
#.Meqë, bazuar në dispozitat e që të dy marrëveshjeve të Brukselit për asociacionin, duke ngërthyer në vete kompetenca dhe ingerenca jo vetëm ekzekutive, por edhe shtetvepruese e shtetfunksionuese, po këto marrëveshje, në fakt, paraqesin një biçim modeli më shumë se kuazishtetëror të paprecedan, po ky model asociacioni, nuk duhet të themelohet, sepse ndër të tjera bie drejtpërsëdrejti në kolizion me vetë idenë dhe procesin e themelimit dhe zhvillimit të Bashkimit Evropian, si një organizëm specifik regjional mbinacional par exellence, që don të thotë se po ky model, që nga fillimet e tij është ideuar e zhvilluar jashtë kornizave dhe premisave etnike, e parësisht në vlerat e përbashkëta evropiane qytetare ose të qytetarisë evropiane. Pra pikërisht në premise të njëjta me parimet, në të cilat është përpiluar dhe miratuar edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. (shih sidomos nenin 7 të kësaj Kushtetute).
#Për fund, pa marr parasysh se si janë sjellur dhe si kanë vepruar qeverisjet e më hershme, përndryshe gjithsesi përgjegjëse moralisht, politikisht dhe materialisht, për koncesionet dhe gabimet fatale, siç janë nënshkrimi i këtyre dy marrëveshjeve me Serbinë – për asociacionin, INSTITCIONEVE TË TANISHME, QEVERISË SË KOSOVËS dhe as QYTETARËVE TË SAJ, në asnjë mënyrë, nuk iu lejohet që të bëjnë gabimet e njëjta me qeveritë e mëparshme. Pra, nuk kanë asnjë bazë kushtetuese dhe as ligjore, që të pranojnë të themelojnë asociacionin e komunave me popullsi njëetnike serbe në Kosovë.
#Nuk bën që Kosova dhe populli i saj, të shndërrohen në mysafirë në shtëpinë e tyre.
#.Nuk bën Kosova, siç thoshte Susan Henders: “që brenda territorit të saj të lejojë ganglione asimetrike dhe surrogate autonome – në dëm të integritetit territorial, të sovranitetit dhe unitaritetit të saj, sepse kështu do të shkelte me të dyja këmbët, kushtetutën dhe ligjet e vendit”.
#.Kosova ka dhënë gjithçka më të shtrenjtë dhe më me vlerë, që ka pasur, për ta fituar lirinë, pavarësinë dhe për ta gëzuar koekzistencën paqësore. Tani ajo nuk ka më shumë se çka të jap, përveç se të ofroj dakordim për një marrëveshje të dyanshme; gjithëpërfshirëse dhe të pakushte me Serbinë – për normalizim dhe për njohje të ndërsjellët, si dhe për fqinjësi normale me Serbinë dhe me të gjitha shtetet e tjera në Siujdhesën Ilirike.
#.Dikush dikund – dikund, për shkaqe dhe interesa të qarqeve të caktuara, fliste më herët e po flet e shkruan edhe tani, se dialogu Kosovë-Serbi, duhet të përmbyllet me kompromis. Kompromisin kryesor, Kosova e ka bërë që në kushtetutën e saj, kur e ka shkruar dhe pranuar që Kosova të mos i bashkohet Shqipërisë. Hap ky i një kompromisi tipik, i cili procesin e natyrshëm, legjitim dhe historik të bashkimit kombëtar për momentin e pikërishëm e ka lënë në gjysmë të rrugës. Ajo që mbase Kosova do të mund të bënte kompromis eventual, bazuar në premisat e parimit të mirënjohur ndërkombëtar – çdo ditë i aplikueshëm në marrëdhëniet dhe marrëveshjet a traktatet bilaterale e multilaterale – në mes të shteteve sovrane – parimit të reciprocitetit, mund të jetë rregullimi i pozitës Kushtetuese-juridike – jo vetëm të shqiptarëve etnik – në Kosovën Lindore, por edhe të shqiptarëve dhe boshnjakëve në Sanxhak[1] dhe në të gjithë territorin e Republikës së Serbisë – në nivel të njëjtë me pozitën dhe të drejtat, që serbët lokal i gëzojnë në Kosovë.
#.Duke e përmbyllur këtë shkrim, mu kujtua një maksimë e njohur e së Drejtës Romake, me këtë përmbajtje:
”NEMO PLUS IURIS AD ALIUM TRANSFERE POTEST QUAM IPSE HABET”, që në shqip i bie: “ASKUSH NUK I JEP MË TEPËR TË DREJTË TË TJERËVE SE SA VETË QË KA”.
Në këtë kuptim, si mendon dikush në Bruksel, në Beograd apo kudoqoftë se, Kosova dhe institucionet e saj, një qeveri e përgjegjshme e saj, çfarë në esencë, do të duhej domosdoshmërisht të jetë secila syresh – duke përfshirë edhe qeverinë dhe institucionet e tanishme në qeverisje, do të duhej, siç thonë dhe insistojnë ata pa asnjë të drejtë, që të pranonte asociacionin ani që ai, pa asnjë mëdyshje është në dëm të Kosovës dhe në dobi të Serbisë, Rusisë dhe satelitëve të tyre, për ta destabilizuar dhe për ta ngujuar në vetveten e saj dhe nga vetvetja Kosovën – në një rrjetë merimange, nga e cila nuk do të mund të dilte mbase kurrë.
Si është e mundur, që bashkësia ndërkombëtare e din që Serbia në kushtetutën e saj e ka Kosovën pjesë përbërëse – territorialisht, kushtetutshmërisht dhe adminstrativisht dhe përkundër këtij fakti notor, nga ajo pra nga Serbia, nuk kërkohet që ta heq atë zgjidhje – sa absurde dhe utopike, po aq edhe gangrenoze dhe malinje nga kushtetuta e saj, për të kërkuar paqe e normalizim me Kosovën dhe të tjerët – që po i bezdisë me shekuj të tërë – në Siujdhesën Ilirike, ndërsa nga Kosova, përkundrazi kërkohet në mënyrë herë – herë edhe ultimative edhe pa asnjë bazë dhe asnjë të drejtë, QË AJO TA KURTHUROJË DHE GJYMTOJË VETËVETËN; diçka që edhe ata vetë, në vendet dhe për vendet e tyre – kurrë nuk do ta bënin, për interesa eventualisht ose edhe potencialisht destruktive dhe shkatërrimtare të të tjerëve – siç vepron serbo-rusia – në relacion me Kosovën. / FUND
( EX SCRIBERE ) ET SALVAVI SPIRITUM MEUM – E THASH ( NË TË SHKRUAR OSE ME SHKRIM ) DHE E SHLIROVA SHPIRTIN TIM.
REFERENCAT
KSENOFON KRISTAFI: “Lufta e Kosovës në labirintet diplomatike (Gjenevë, 1998-2002), UMSH Press dhe Onufri, Tiranë, 2018.
SFIDAT E SHTETNDËRTIMIT DHE ARDHMJA E KOSOVËS, Kollokuiumi shkencor, 15 qershor 2011., Akademia e shkencave dhe e arteve e Kosovës –Seksioni i shkencave shoqërore, Prishtinë, 2012.
AGIM A. KRASNIQI.,: “Qeverisja Lokale dhe Politika, Kolegji Universum, Sh.a. : “Lena”, Prishtinë, 2020.
PAVARËSIA E KOSOVËS DHE SFIDAT E SHTETNDËRTIMIT, Simpozium shkencor ndërkombëtar (17 maj 2018) , Akademia e Shkencave dhe e
Arteve e Kosovës, Seksioni i shkencave shoqërore, Prishtinë, 2019.
ROBERT COOPER: “Shpërbërja e Kombeve –Rend dhe Kaos në Shekullin e njëzet e një, Botimet Dudaj, Tiranë, 2011.
Dr. GURAKUQ KUÇI; “Doktrinat Pacta Sunt Servanda dhe Reebus Sic Stan -tibus si balanca ndaj Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, Kumtesë në dorëshkrim e autorit
ASOCIACIONI/BASHKËSIA I KOMUNAVE ME SHUMICË SERBE NË KOSOVË – PARIMET E PËRGJITHSHME/ELEMENTËT KRYESORE (Marrëveshja e parë e datës 19 prill të vitit 2013., në BRUKSEL
LIGJI NR.04/L-052 PËR MARRËVESHJET NDËRKOMBËTARE I KOSOVËS, Gazeta zyrtare e Republikës së Kosovës/Nr.28/16 DHJETOR 2011, PRISHTINË.
ASSOCIATION/COMMUNITY OF SERB MAJORITY MUNICIPALITIES IN KOSOVO – GENERAL PRINCIPLES/MAIN ELEMENTS.
AKTGJYKIMI I GJYKATËS SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS në rastin nr.KO 130/15., Prishtinë, 23 dhjetor 2015., Nr. Ref. AGJB 77/15.
HENDERS,SUSAN .,2013.,Territoriality, Asymmetry and Autonomy:”catalonia, Corsika, Hong Kong and Tibet., Neë York: Palgrave MacMillan., Google Scholar.
Peci,Edona.2013.,:”Marrëveshja e 19 prillit neutrale ndaj statusit”,
Gazeta :”jeta në Kosovë”. 27 maj 2013..,httç://gazetajnk.com…
UNGA (United Nations General Assembly)., 2010.,:”Resolution Adopted by the General Assembly: Request for an Advisory Opinion on the International Court of Justice on ëether the Unilateral Deklaration of Independence of Kosova is in Accordance ëith International Laë.,”Sixty-fourth session, A/RES/64/298.,
Goog -le Scholar.
AHTISAARI MARTTI:”Comprehensive Proposal for the Kosovo Status Settlement”., UN doc S/2007/168., Retrieved December 15., 2013., http://ëëë.unos -ec.org…
JURGEN HABERMAS; “Kriza e unionit evropian në dritën e një konstitucionalizmi të së drejtës ndërkombëtare (Një ese mbi Kushtetutën Evropiane), Asdreni, Shkup, 2013.
ALBERT VERDOODT: “La protection des droits de l/ home dans les Etats plurilingues, Fernand NATHAN,1973,PARIS; Editions LABOR. BRUXELLES. 1973.
REPUBLIKA E KOSOVËS-QEVERIA -KOSOVO IN INTERNATIONAL CO -URT OF JUSTICE—KOSOVA NË GJYKATËN NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, 2010.
THE AMBIGUOUS NATION –CASE STUDIES FROM SOUTHEASTERN EUROPE IN THE 20th CENTURY, Edited by Ulf Bruunbauer and Hannes Grandits, Oldenbourg Verlag,Munchen.2013.
[1] Sepse edhe Serbia në Kosovë – me të drejtë ose jo, por në vazhdimsi, përveç për minoritetin serb e ka ngritur çështjen e pozitës kushtetuese – juridike dhe të përgjithshme edhe për minoritetet e tjera në Kosovë.