Arsimi shqiptar në Maqedoni – shkalla tronditëse e degradimit

February 4, 2022
min lexim

Rezultatet e maturës shtetërore në Maqedoni nga lënda e gjuhës shqipe dhe e letërsisë, për shkak të mënyrës se si realizohet provimi, as prej së largu nuk janë tregues objektivë dhe të saktë të cilësisë së arsimit shqiptar në Maqedoni. Në disa shtete të rajonit, provimi i maturës shtetërore zbatohet nën mbikëqyrjen e kamerave dhe pa telefona celularë. Përqindja e nxënësve që nuk e kalojnë maturën shtetërore, p.sh. në Shqipëri dhe në Kosovë është tejet e madhe. Sikur edhe në Maqedoni të viheshin në përdorim kamerat dhe të eliminoheshin telefonat celularë, përqindja e nxënësve që nuk do ta jepnin këtë provim, do të kishte përmasa dramatike dhe tronditëse. Në vitin shkollor 2010-2011, në afatin e qershorit provimin nuk arritën ta japin vetëm 1 % e maturantëve. Pas dy muajve, pra në afatin e gushtit, kaluan të gjithë. Sivjet, provimin nuk arritën ta japin 3,6% e maturantëve.

* * *

Politizimi dhe partizimi i skajshëm i arsimit shqiptar në Maqedoni – Faktori politik shqiptar në Maqedoni, në lëmin e arsimit zbaton përzgjedhje negative. Për t’u punësuar si mësues, si arsimtar, si profesor në shkollë të mesme, apo edhe si asistent dhe ligjërues në universitet, medoemos të jesh anëtar partie, ose të jesh në shërbim të partisë. Përndryshe, s’ke gjasa të punësohesh as edhe si mësues në ndonjë shkollë katundi. Pa kaluar nëpër listat e strukturave të mesme partiake, nuk mund të punësohesh as edhe si shërbëtor shkolle.

Në këtë mes pra, nuk merren parasysh kriteret profesionale dhe morale të kandidatit i cili dëshiron të punësohet si edukatore në çerdhen e fëmijëve, si mësues, si arsimtar, si profesor shkolle të mesme, si asistent dhe si ligjërues. Kriter i vetëm është përkatësia partiake. Të jesh anëtar partie, veprimtar, d.m.th. aktivist partie, militant partie, emisar politik i partisë, vjedhës votash i partisë, mbushës kutish votimi, agjitprop i partisë; të kesh varur flamurë nëpër shtylla elektrike, të kesh ngjitur nëpër mure dhe ekspozitura parulla, pankarta, banderola, billborde; të kesh shpërndarë afishe dhe material propagandues partiak nëpër çajtore, byrektore, qebaptore, bastore dhe taverna; ta kesh sharë sa më shumë partinë oponente, të kesh shkruar dhe të kesh botuar shkrime denigruese për partinë oponente dhe ta kesh lëvduar partinë vetanake; të kesh marrë pjesë – bashkë me familjen (me nënën 80-vjeçare të marrë nga shtrati i lëngimit, me bashkëshorten dhe me fëmijët) – nëpër mitingje dhe tubime partiake, duke qëndruar shpeshherë në reshtin e parë të tubimit…

Partitë politike e politizojnë dhe e partizojnë arsimin edhe duke emëruar drejtorë shkollash. Më pas, prej drejtorëve të shkollave partitë kërkojnë të jenë të dëgjueshëm, të jenë instrumente të tyre, t’i zbatojnë urdhrat, kërkesat, dëshirat, nevojat dhe interesat meskine të tyre. Ndryshe, drejtorin, ose e ndërrojnë, ose nuk e rizgjedhin.

Partitë politike shqiptare në Maqedoni, në fund të vitit shkollor hartojnë lista me emra nxënësish të cilët kanë prej 7 deri në 12 nota të dobëta dhe të cilët, për interes të partisë, nuk u dashkan të përsërisin. Në këto lista përfshihen dhjetëra dhe qindra nxënës të dobët. Si rezultat i këtij angazhimi partiak, në shkollat që kanë mijëra nxënës, ndodh të përsërisin një numër simbolik i nxënësve, për të mos thënë asnjë.

Kur nxënësit e shohin se nuk ngel pothuajse askush dhe se kalon edhe ai me 12 nota të dobëta, shpeshherë edhe pa shkuar në riprovim, ata akoma më shumë i shpërfillin detyrimet shkollore.

Nuk përsërit nxënësi i cili katër vjet me radhë ka pasur 12 apo edhe 14 nota të dobëta, i cili çdo vit ka pasur nga 100 mungesa dhe ka munguar kur ka dashur, i cili kurrë s’ka marrë çantë në shkollë, i cili kurrë s’ka mbajtur uniformë shkollore, i cili kurrë s’ka pasur stilolaps gjatë orës së mësimit, i cili në një fletore të vetme “ka mbajtur” shënime për 12 lëndë të ndryshme, d.m.th. për të gjitha lëndët.

Po të jetë fjala për një, dy, apo tre nxënës, disi do t’i dilej në krye çështjes. Por fjala është për dhjetëra dhe qindra nxënës të tillë.

Nxënësit e tillë rijnë në të njëjtën klasë me nxënësit e dalluar.

Kjo ndikon që cilësia të ulet në mesatare, për të mos thënë të bjerrë edhe nën mesatare. Në të tilla rrethana, pesa e nxënësit të dalluar (tanimë “të dalluar”), të jetë relative dhe e diskutueshme.

Partitë politike shqiptare në Maqedoni, në kohën e regjistrimit të nxënësve, hartojnë lista dhe ua dorëzojnë drejtorëve të shkollave, duke kërkuar prej tyre që në shkolla elitare të regjistrohen pa kritere edhe nxënësit të cilët nuk i plotësojnë kriteret e regjistrimit, pra nxënësit të cilët do të duhej të orientoheshin nëpër shkolla profesionale. Që në tremujorin e parë, kjo kategori e nxënësve mbushen me nga shtatë nota të dobëta. Si “rezultat”, nxënësit me 12 nota të dobëta do të jenë katër vjet në të njëjtën klasë me nxënësit e dalluar.

Kjo përzgjedhje skajshmërish negative është në dëm të arsimit, në dëm të cilësisë në arsim, e sidomos në dëm të nxënësve të dalluar. Mirëpo, partive politike shqiptare në Maqedoni, kjo nuk u intereson fare. Atyre u interesojnë votat, u intereson marrja e pushtetit, qoftë në shkallë vendore, qoftë në atë qendrore.

Në sistemin monist drejtorët emëroheshin prej komitetit komunal të partisë komuniste. Sot emërohen prej degës së partisë – demokratike. Në thelb, midis emërimit të drejtorëve në kohën e monizmit dhe emërimit të të njëjtëve në kohën e pluralizmit, d.m.th. të demokracisë, nuk ka asnjë dallim. Madje, ka që thonë se në komunizëm disi i kushtohej rëndësi cilësisë së kuadrit arsimor dhe atij drejtues. Sot ndërkaq, përzgjedhja negative e kuadrit arsimor dhe atij drejtues, ka marrë përmasa dramatike. Partizimit dhe politizimit të arsimit sot, të zbatuar nga partitë politike shqiptare në Maqedoni, do t’ia kishin zili edhe emisarët e arsimit të JosipVisarionoviçXhugashvili Stalinit.

Shqiptarët nuk duhet të presin se cilësinë e arsimit në Maqedoni do t’ua përmirësojnë maqedonasit.

Partitë politike shqiptare në Maqedoni ndërhyjnë në punët e shkollave edhe për çështje të tjera, si: shëtitjet njëditëshe në natyre apo në ndonjë qytet tjetër; ekskursionet pesëditëshe në vitin e tretë të shkollës së mesme; kremtimi i mbrëmjes së maturës. Shpesh ndodh që agjencinë apo ndërmarrjen transportuese e cila e zbaton shëtitjen apo ekskursionin e nxënësve, ta caktojë partia, përkatësisht individë influentë të pushtetit vendor, d.m.th. komunal. Restorantin apo motelin ku do të drekojnë nxënësit apo arsimtarët me rastin e shëtitjes njëditëshe në natyrë apo në ndonjë qytet tjetër, ndodh ta caktojë partia apo individë influentë të pushtetit vendor. Hotelin ku do të vendosen nxënësit që shkojnë në ekskursion – po ashtu e cakton partia, përkatësisht individë influentë të pushtetit vendor, d.m.th. komunal. Kur është fjala për kremtimin e mbrëmjes së maturës, partia apo individë influentë të pushtetit vendor ndërhyjnë në caktimin: e studios që do ta kryejë fotografimin e nxënësve; të grupit muzikor; të restorantit apo të sallonit ku do të kremtohet mbrëmja e maturës. Në pikëpamje ligjore, çdo gjë duket në rregull, por, çdo lloj tenderi është i kotë. Tenderimi nuk përfillet fare, pothuajse në asnjë shkollë. Shkollat furnizohen edhe me material konsumues. Ka raste kur edhe furnizuesi i shkollës me material konsumues caktohet me kritere partiake.

Nga sa më sipër rezulton se partive politike shqiptare në Maqedoni nuk u intereson fare cilësia në arsim, por votat, ardhja në pushtet, vendor apo qendror.

Atëherë shtrohet pyetja: kush do ta rregullojë arsimin, si do ta rregullojë dhe kur?! Shoqëria civile në Maqedoni është në shkallë të ulët. Asaj as që i dëgjohet zëri. Prindërit kurrë nuk e kanë çelur gojën për dobësitë në arsim. Shumë shpesh qëllon të dëgjosh në çarshinë e qytezës apo të kasabasë refrenin: “Sot s’ka arsim. Arsimi është i shkatërruar…” Ndonjëri nga këta që ka ardhur në konstatime të këtilla, mbase është edhe prind. Prindërve ndërkaq, u intereson vetëm një gjë: Fëmija i tyre të kalojë shkëlqyeshëm, d.m.th. me pesë. A janë të merituara pesat dhe sa janë të merituara, kjo çështje, asnjë prindi fare nuk i intereson. Prindi ndërhyn që fëmija i tij të kalojë me pesë, apo, po qe se është i dobët dhe ka 12 nota të dobëta – të mos përsërisë. I njëjti prind, pas dy ditëve, të ndalë në rrugë dhe të thotë: “Sot s’ka arsim. Arsimi është i shpartalluar…” Ai harron se një prej rrënuesve të arsimit është edhe vetë ai, ngase kërkon që treshi i fëmijës së vet të bëhet pesë.

Partitë politike shqiptare në Maqedoni merren: me politikë kombëtare apo me kalimin e nxënësve që notojnë në nota të dobëta?! Preokupim e kanë: çështjen shqiptare në Maqedoni, apo mosngeljen e nxënësve që vlojnë nga mungesat?!

* * *

Cilësia në arsim varet nga politika e shtetit. Ky është thelbi i problemit. Kush orientohet sot në arsim? Në arsim orientohen sot kryesisht nxënësit e dobët. Nxënësi që kalon me mjaftueshëm, d.m.th. me dysh, ose me mirë, d.m.th. me tresh, shkon në arsim. Kuptohet, me përjashtime të caktuara. Duke qenë se universitetet tona funksionojnë me kritere të diskutueshme, i njëjti nxënës, pas katër vitesh, me ndërhyrjen e partisë, punësohet në shkolla të mesme elitare, siç janë gjimnazet. Mund të merret me mend se çfarë kuadri është ai ose ajo. Çfarë cilësie mund të presësh prej tij apo prej saj. Ky farë profesori partiak, kur e shkruan njësinë mësimore në regjistër apo kur shkruan vërejtje për ndonjë nxënës, brenda 4-5 rreshtave të shkurtër, bën tre gabime drejtshkrimore dhe një gabim sintaksor. E shkruan shqipen sikur të jetë kinez.

Po të testoheshin mësuesit, arsimtarët dhe profesorët me një ese 500 fjalësh, d.m.th. dyfaqëshe e gjysmë, me një temë të lirë të zgjedhur prej vetë atyre, do të rezultonin rezultate shqetësuese. Një përqindje e madhe e profesorëve, përfshi edhe ata të gjuhëve të huaja, në esenë prej dy faqe e gjysmë do të bënin mbi 20 gabime drejtshkrimore dhe tre-katër gabime sintaksore. Nëpër zyrat e arsimtarëve shpesh vihen njoftime apo lajmërime. Një njoftim përmban diku rreth katër-pesë rreshta. Në ato pak rreshta, rregullisht ka tre-katër gabime drejtshkrimore dhe të paktën një gabim sintaksor. Rrallë ndodh që të vihet ndonjë njoftim pa gabime gjuhësore.

Përse kjo gjendje?! Kjo determinohet nga një sindrom faktorësh. Ka mësues, arsimtarë dhe profesorë të cilët romanin e fundit e kanë lexuar si lektyrë shkollore para shumë vitesh kur kanë qenë nxënës. Që atëherë, s’kanë prekur përmbledhje poezish, roman apo dramë. Pjesë teatrore s’kanë parë kurrë, gazetë s’kanë blerë asnjëherë. Ç’pret shoqëria prej një mësuesi, arsimtari apo profesori të tillë?! Po ta lexosh një akt juridik të hartuar prej një numri të caktuar të avokatëve apo të noterëve shqiptarë në Maqedoni, do të habitesh me shkallën e ulët të njohjes së gjuhës amtare.

Nxënësit e dalluar nuk orientohen në arsim. Ata orientohen në degët që mendojnë se janë më të leverdishme, si mjekësia, stomatologjia…

Nga kjo që u tha më sipër, del se politika e shtetit mbi arsimin është shkurajuese. Shoqëria shqiptare duhet t’i nxitë në arsim, jo nxënësit mesatarë dhe të dobët, por të dalluarit. Në shkollat shqipe në Maqedoni ka shumë nxënës të talentuar, madje në lëmenj të ndryshëm. Me veprimet e papërgjegjshme të faktorëve vendimmarrës si dhe të institucioneve vendore dhe atyre qendrore, nxënësit e talentuar pësojnë. Çdo shoqëri e organizuar, nxënësit e talentuar i përgatit për ta zhvilluar shoqërinë dhe institucionet e tij. Shqiptarët në Maqedoni ndodhen larg këtij synimi. Nuk mund të jesh mësues, arsimtar apo profesor i mirë, po qe se arsimin s’e ke në zemër. Nuk mund të jesh punëtor i mirë i arsimit, po qe se nuk je idealist.

Fati i arsimit, kudo në botë, varet nga politika e shtetit mbi arsimin, d.m.th. nga politika arsimore e shtetit.

Prindi duhet të dijë se suksesi i fëmijës, përkatësisht i nxënësit ndërlidhet me faktorë të caktuar, si janë: ndërtimi gjenetik i nxënësit, baza materiale dhe harmonia në familje, shprehia për punë e nxënësit, mjedisi ku rritet nxënësi (po qe se fëmija rritet në një familje ose në një lagje me shumë fëmijë, mundësia e humbjes së kohës është më e madhe), kapaciteti profesional i mësuesit dhe i arsimtarit të shkollës fillore, kapaciteti profesional i profesorit të shkollës së mesme, kushtet në shkollë. Populli thotë: “Nuk është me të thënë, por të dhënëme”.

Nuk ka mësues, arsimtarë, profesorë, pedagogë, metoda pedagogjike, shkolla dhe institucione në rruzullin tokësor – as që do të ketë ndonjëherë – që mund të bëjnë mrekulli me nxënës. Druri i shtrembët nuk drejtohet lehtë Nxënësi i dobët kurrë nuk mund të marrë dituri të madhe. S’ka dyshim se me punë dhe me disiplinë edhe nxënësi me sukses të dobët mund të bëjë hapa para. Mirëpo ai, kurrë nuk mund të arrijë ndonjë shkallë të lartë diturie. Fëmija, mësimin fillon ta marrë dhe shprehinë e punës fillon ta krijojë qysh në moshën 5-6 vjeçare. Zbrazësitë e shkaktuara në shkollën fillore dhe në të mesmen njeriu nuk arrin t’i kompensojë gjatë tërë jetës. Natyrisht, nxënësi një ditë piqet, por jo paralelisht me gjeneratën e vet. Fatmirësisht, çdo nxënës, me aftësi mendore dhe trupore normale mund të jetë i suksesshëm në ndonjë degë të caktuar. Nuk është e thënë që secili të dijë matematikë. Shumë njerëz pa shkollë janë afaristë të suksesshëm. Nxënësi që ka qenë mesatar në shkollë fillore dhe të mesme kurrë nuk mund t’i arrijë majat e dijes. Tërë jetën ai do të jetë mesatar. Mbase mund të ketë përjashtime.

Prindi duhet të dijë: “Me para mund ta bësh edhe të pamundurën, por vetëm një gjë jo – të blesh dituri”.

Partizimi i arsimit – Partitë politike shqiptare në Maqedoni, në shumë raste ndjekin politikë kadrovike diletante dhe joprofesionale. Në sektorë të caktuar të arsimit, qoftë në shkallë vendore, qoftë në atë qendrore, caktojnë persona apo individë të cilët janë nën çdo nivel profesional. A mund të bëhet ministër i shëndetësisë profesori i gjuhës, për t’u bërë ministër i arsimit mjeku?! Në institucionet e arsimit, të shkallës vendore dhe asaj qendrore, partitë i caktojnë kuadrot, në kundërshti të plotë me kriterin profesional. Në vend të profesionalizmit, për to vlen interesi koniunktural brenda-partiak, interesi i grupeve, kriteri rajonal, i katundit dhe i mëhallës. Duke qenë se emërimet bëhen në mënyrë sharlatanike, askush nga ata të partisë nuk e përcjell punën e “kuadrit” të emëruar nëpër institucionet e arsimit, arritjet dhe dështimet e tyre. Për më tepër, partitë edhe nuk dinë se çfarë rezultatesh duhet të arrihen dhe mund të arrihen në lëmenj të caktuar të arsimit.

Në institucionet shtetërore të arsimit, si të shkallës vendore ashtu edhe asaj qendrore, numri i funksionarëve shqiptarë me njohuri në fushën e arsimit, është simbolik, për të mos thënë është inekzistent. Ka raste kur partitë politike shqiptare nëpër detyra dhe funksione të caktuara emërojnë persona jokompetentë. Personat jokompetentë që dinë fare pak për çështjet e arsimit, më kot prononcohen për problemet e sipërthëna. Të tillët, në pozitat që kanë, shërbejnë vetëm për të marrë rroga dhe për ndonjë privilegj tjetër që ofron çdo pushtet në botë.

Nën veprimin e partive politike, në arsimin shqiptar në Maqedoni – fillor, të mesëm dhe universitar – ka raste të shpeshta të diferencimit mbi baza partiake. Në disa shkolla, fillore dhe të mesme, pa vendim pune për kohë të pacaktuar, punon një numër i konsiderueshëm i kuadrit arsimor. Drejtorët e shkollave, në bazë të listave të hartuara nga partia politike shqiptare, përkatësisht nga individë influentë të pushtetit vendor, kanë për detyrë t’i largojnë nga puna, d.m.th. nga shkolla, të gjithë mësuesit, arsimtarët dhe profesorët të cilët janë apartiakë apo të cilët i përkasin partisë politike oponente. Me këto veprime të turpshme dhe absurde merren kryesisht strukturat e mesme të partive politike – degët partiake. Duke qenë se përjashtimet nga puna, të shqiptarëve nga vetë shqiptarët hasin në qëndresë, tendencat e sipërthëna nuk realizohen gjithaq. Largimi nga shkolla i arsimtarëve apo i profesorëve të partisë oponente bëhet pra me kritere partiake dhe jo me kritere morale apo profesionale.

Largimi nga shkolla i kuadrit arsimor apartiak apo i atyre që janë anëtarë ose ithtarë të partisë oponente, të përkujton të ashtuquajturin diferencim ideopolitik të boshtit antishqiptar të krimit Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë), të zbatuar ndaj mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve shqiptarë në Jugosllavi, në periudhën e viteve 1945-1991. Në komunizëm, shqiptarët diferencoheshin prej sllavëve. Sot ndërkaq, diferencohen prej vetvetes.

Po qe se nuk i takon tarafit të drejtorit të shkollës mund të ndodhë të ta marrin klasën e kujdestarisë, të ta çrregullojnë orarin e mësimeve, të ta ndërrojnë ndërresën e punës, të t’i japin klasat jopërkatëse, të ta ndërpresin përcjelljen e gjeneratës duke të dhënë klasa të reja, të ta ndërrojnë objektin shkollor, të të lënë jashtë komisioneve shkollore, mos të të japin angazhime të caktuara etj.

Partizimi i skajshëm i arsimit dhe përmasat tronditëse të shpërdorimeve nëpër shkolla, ndikojnë që arsimtarët dhe profesorët, para të keqes të rijnë indiferentë dhe të thonë: çdo gjë vendosin të tjerët, neve s’na pyet kush”. Sidoqoftë, shumë arsimtarë apo profesorë janë edhe oportunistë dhe konformistë. Si të tillë, ata i përshtaten gjendjes përplot abuzime dhe para keqpërdorimeve i mbyllin sytë. Si pasojë, abuzimet nëpër shkolla, shndërrohen në gjendje normale. Shoqëria duhet ta dijë se çelësi partiak në punët profesionale që kanë të bëjnë me arsimin është shkatërrues për të. Para parregullsive dhe padrejtësive nëpër shkolla, mësuesit, arsimtarët dhe profesorët i mbyllin sytë, për arsye të caktuara, si: janë oportunistë dhe konformistë; janë demagogë; janë me kapacitet moral dhe profesional të kufizuar; kanë shkallë të ulët të vetëdijes; kanë psikologji provinciale; janë poltronë dhe, për interesa personalë, gjithmonë e mbajnë anën e drejtorit, të cilitdo drejtor dhe nga cilado anë që të vijë ai; e mbështesin drejtorin abuzues, për shkak të përkatësisë partiake.

Në shoqërinë shqiptare në Maqedoni, si në asnjë vend tjetër të rajonit, mungon mendimi kritik publik. Mungesa e mendimit kritik është karakteristikë e shoqërive të prapambetura dhe provinciale. Në qytezë s’ka mendim kritik, ka thashetheme. Në shoqëritë e prapambetura mungon edhe gazetaria investiguese.

Abuzimet financiare – Arsimtarët dhe drejtorët e shkollave duhet ta dinë se çështje financiare të caktuara duhet të realizohen përjashtimisht nëpërmjet xhirollogarisë së shkollës ose të paktën në relacionin: nxënës – arkëtar i klasës – përgjegjës i ndërresës (ndihmësdrejtor). Çdo akt financiar midis nxënësit, në një anë, dhe arsimtarit, profesorit apo drejtorit të shkollës, në anën tjetër, është komprometues dhe diskreditues për arsimtarin, profesorin dhe drejtorin. Çfarëdo akti financiar në shkollë që bëhet jashtë xhirollogarisë së shkollës, ngjall dyshime për abuzime të mundshme.

Ka prindër, kryesisht mjekë, stomatologë … të cilët dy javë para mbarimit të vitit shkollor i vënë në veprim telefonat celularë për t’i përmirësuar notat e fëmijëve të tyre. Ata thonë: Djalin do ta çoj në mjekësi (në stomatologji). Për ta regjistruar më lehtë duhet t’i ketë notat 5.00”. Kur u hedh një sy notave të fëmijës së këtij farë pseudo-intelektuali do të vëresh një apo dy dysha dhe dy a tre tresha. Dhe ky fëmijë i këtij farë mjeku apo stomatologu më 10 qershor kalon me 5.00. Nga kjo mund të konstatohet se edhe vetë ai mbase ka dalë mjek apo stomatolog me ndërhyrje të ngjashme.

Institucionet qendrore të arsimit duhet të dinë se plan-programet mësimore janë të papërballueshme nga nxënësit. Në disa shkolla të mesme, në vitin e parë nxënësit kanë: 15 lëndë, 9 lektyra në gjuhën amtare dhe 6 lektyra në maqedonisht. Romani “Lumi i vdekur” i JakovXoxës ka 670 faqe. Vëllimore janë edhe poemat e Homerit, “Komedia hyjnore” e Dantes, “Fausti” i Gëtes, “Krim dhe ndëshkim” i Dostojevskit, “Njëqind vjet vetmi” i Markezit.

Si t’ia dalë në krye nxënësi?! A ka nxënës në rruzullin tokësor që për nëntë muaj gjithë këtë materie me përmasa oqeanike dhe dinozaurike mund ta realizojë për notën 5.00?! Kur këtij plan-programi mësimor t’i shtohen edhe orët të cilat një numër i madh i nxënësve, në mos të gjithë, e kalojnë në facebook, çështja atëbotë bëhet akoma më e ndërlikuar.

Ka nxënës që shtrojnë pyetjen: “Kujt i nevojitet sot Epi i Gilgameshit i shkruar para 4000 vjetësh”?! Gilgameshi, sot vërtetë s’i duhet kujt, por ëndrra e njeriut për përjetësi dhe pavdekësi është e përjetshme. Kohët e fundit plan-programeve të gjimnazeve iu shtuan edhe do lëndë të tjera, si: biznesi dhe menaxhmenti, ekonomia, fillet e së drejtës etj. Lëndët e sipërthëna për nxënësit e gjimnazeve paraqesin ngarkesë shtesë. Mbase është më mirë që lëndët e lartpërmendura të jenë pjesë vetëm e plan-programeve të shkollave profesionale.

Në plan-programet mësimore të gjimnazeve janë të përfshira pesë gjuhë, si: gjuha shqipe dhe letërsia, gjuha maqedonase, gjuha angleze, gjuha gjermane (apo frënge) dhe latinishtja. Pas katër vitesh mësimi, nxënësi asnjërin prej tyre nuk e përvetëson si duhet. Të komunikosh anglisht apo gjermanisht, nuk do të thotë se i di këto gjuhë. Gjuhë të huaja dinë edhe gastarbajterët.

Maqedonia me festa zë ndër vendet e para në botë. Për shkak të numrit të madh të festave, vihet në dyshim edhe realizimi i plan-programeve mësimore. Kur drejtuesi i mbledhjes së këshillit të klasave, nën pikën Të ndryshme i pyet arsimtarët apo profesorët: A e keni realizuar plan-programin mësimor, të gjithë njëzëri brohorisin: “Po, e kemi realizuar”. Askush nuk pyet: “Si u realizua plan-programi me gjithë ato ditë të humbura gjatë festave”!

Për të gjitha shkollat shqipe në Maqedoni, për lëndën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë, ka mbetur vetëm një këshilltar. Institucioni kompetent, d.m.th. Byroja për Zhvillimin e Arsimit, vendin e zbrazët të këshilltarit për gjuhë shqipe dhe letërsi duhej ta kishte plotësuar menjëherë. Ministrisë së Financave të RM-së duhej t’i bëhej me dije – me vendosmëri dhe persistencë – se plotësimi i këtij vendi pune nuk paraqet punësim të ri. Problemi qëndron në faktin se askujt nuk i ka interesuar kjo çështje. Se po t’i kishte interesuar, ajo do të ishte zgjidhur kaherë.

Problemi me Ministrinë e Financave ka të bëjë: me mungesën e kapacitetit profesional të kuadrit shqiptar në institucionet vendore dhe qendrore të arsimit; si dhe me mungesën e kapacitetit politik të faktorit politik shqiptar përballë ministrisë së sipërthënë.

Organet e shkollës – Shkollat i kanë edhe organizmat e vet, siç janë: i shkollës (pleqësia), i i prindërve etj. Këto organe shkollore formohen kryesisht me kritere partiake. Shumica e anëtarëve të këtyre organeve shkollore janë instrumente të verbëta të drejtorit të shkollës. Ka raste kur i tërë i i shkollës apo i i prindërve është instrument i verbët i drejtorit. Anëtarët e këtyre ave shërbejnë vetëm për të ngritur dy gishta për t’u miratuar ndonjë propozim i drejtorit. Këshillat e shkollave dhe at e prindërve, duke qenë instrumente të drejtorëve, me dëshirë apo pa të, bëhen pjesë e pandarë e shpërdorimeve në shkolla. Të tillë siç janë, at e shkollave apo at e prindërve, duke qenë se formohen me kritere partiake dhe janë instrumente të drejtorëve, është më mirë të suprimohen dhe të mos ekzistojnë fare.

Në raste të caktuara, shkollat krijojnë edhe . Komisionet, jo gjithmonë formohen sipas përkatësisë partiake. Por, kur është fjala për çështje të rëndësishme, atëherë anëtarë të komisionit “zgjidhen” vetëm njerëzit e besueshëm të drejtorit. Anëtarët e komisioneve të ndryshme të shkollës “zgjidhen” sipas mënyrës vijuese: Drejtori i shkollës, me “ekipin e vet” (d.m.th. me njerëzit e vet të besueshëm) ulet në ndonjë byrektore, qebaptore, çajtore apo tavernë të qytezës. Në atë farë ndeje, caktohen anëtarët e këshillave apo të komisioneve. Caktohen edhe detyrat e pseudo-profesorëve, kush kë do ta propozojë. Në mbledhjen-farsë të Këshillit të arsimtarëve, anëtarët e komisioneve “zgjidhen njëzëri” sipas skenarit të parapërgatitur. Edhe mbajtës procesverbali nuk mund të bëhet kushdo. Po qe se lind nevoja e rishkrimit të procesverbalit, këtë do ta kishte bërë vetëm personi që është i afërt me ekipin e drejtorit.

Ç’pret prej një kolektivi të tillë?! Të tillët do të edukojnë breza?! Dihet mirëfilli se kësi skenari të zgjedhjes së anëtarëve të komisioneve të ndryshme, zbatohet në shumë vende të botës, e sidomos në ato me shkallë të ulët të zhvillimit. Të ashtuquajturat të lira nëpër disa shkolla të mesme, nuk realizohen fare, apo realizohen jo më shumë se 1 %. Megjithëkëtë, në çdo regjistër figuron fjala: “u realizua”. Të ashtuquajturat orë plotësuese me nxënësit e dobët si dhe të ashtuquajturat orë shtuese me nxënësit e dalluar, realizohen vetëm në masën simbolike, për të mos thënë nuk realizohen fare. Megjithëkëtë, në të gjithë regjistrat figuron evidenca se orët plotësuese dhe ato shtuese janë realizuar pikë për pike. Për këto të ashtuquajtura , nuk ka kurrfarë kontrolli, as të brendshëm, as të jashtëm.

Inspektimet nëpër shkolla që zbatohen nga jashtë janë kryekëput formale dhe rutinore. Deri më tash, këto farë inspektimesh nuk kanë pasur ndonjë efekt të madh. Se po të kishin pasur ndonjë efekt të njëmendët, arsimi shqiptar në Maqedoni do të kishte qenë më cilësor. Pa këto inspektime, situata në arsimin shqiptar në Maqedoni mbase do të kishte qenë akoma më brengosëse. In ultimalinea, inspektorët që e zbatojnë inspektimin e shkollave, në pikëpamje profesionale duhet të jenë në një nivel me arsimtarët dhe me profesorët e inspektuar, në mos dhe mbi nivelin e tyre.

Në ngritjen e cilësisë në arsim, nuk kanë ndikuar gjithaq, për të mos thënë aspak, as të ashtuquajturat seminare apo trajnime që mbahen me arsimtarët apo me profesorët, kryesisht në ndonjë hotel të Ohrit. Jo rrallë, trajnuesit nëpër këto seminare, janë më pak të përgatitur se shumica e atyre që trajnohen.

Ç’mund të pritet prej këtyre seminareve me trajnues jokompetentë?!

Të ashtuquajturat provime shtetërore të cilave u nënshtrohen arsimtarët apo profesorët pa përvojë nuk janë veçse formalitet i kulluar. Numri i atyre që nuk arrijnë ta japin këtë karikaturë prej provimi, është simbolik. Ose më saktë, këtë provim nuk e ka dhënë vetëm ai që nuk e ka paraqitur atë.

Kandidati që i nënshtrohet këtij kuazi-provimi, komisionit të provimit është i detyruar t’i dorëzojë një punim me shkrim, në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe në atë maqedonase. Një numër i madh i kandidatëve këtë farë punimi me shkrim nuk e punojnë vetë, por e gjejnë të gatshëm në gjuhën shqipe, apo ua përkthen ndonjë përkthyes nga maqedonishtja ose nga serbishtja. Ka raste kur kandidati këtë “punim” e blen prej ndokujt për 1000 deri 2000 denarë, por ka edhe kolegë zemërgjerë që “punimin” e japin falas. Ka raste kur punimi i provimit shtetëror i dorëzohet komisionit me dhjetëra gabime gjuhësore. Kjo të lë të kuptosh se këto farë punime nuk i lexon askush. Atëherë shtrohet pyetja: Kujt i duhet ky i ashtuquajtur provim shtetëror?!

Edhe të ashtuquajturat provime interne të maturantëve, në të shumtën e rasteve, nuk janë veçse formalitet i kulluar. Nxënësit maturantë, para të ashtuquajturit testator, i nxjerrin librat dhe kopjojnë. Në fund del ky rezultat: nxënësi i cili dy-tri ditë para mbarimit të vitit të katërt ka pasur 12 nota të dobëta, në dy provimet interne merr notën 4 ose 5. Askush nuk pyet: Si mund të ndodhë kjo?!

Po kështu qëndron puna edhe me të ashtuquajturat projektdetyra të maturantëve. Ka nxënës që këto farë projekt detyra i blejnë prej maturantëve të viteve paraprake me çmim prej 1000 deri 2000 denarë. Legjenda thotë se ka edhe profesorë që i shesin me po këtë çmim.

Me “reforma” të këtilla të ndërmarra nga organet shtetërore të arsimit, cilësia e arsimimit në Maqedoni nuk do të përmirësohet sa duhet.

Ka raste kur në shkolla afatet, të caktuara sipas ligjit apo sipas agjendës së shkollës, nuk respektohen fare. Ka raste kur nxënësi nuk e di se ka ngelur në riprovim. Ka nxënës që nuk e dinë se në cilat lëndë kanë ngelur në riprovim. Ka nxënës që nuk e dinë afatin e paraqitjes së riprovimeve. Bëhet fjalë kryesisht për nxënës të dobët dhe me shkallë të ulët të përgjegjësisë dhe të interesimit. Disa prej tyre qëllon të jenë diku në kurbet: në Kroaci, në Itali, në Zvicër, në Gjermani. Ka raste kur në vend të tyre, provimet i paraqet vetë arsimtari apo profesori, madje duke shkelur edhe afatin e caktuar me ligj apo të caktuar në agjendën e shkollës. Në raste të tilla, arsimtari apo profesori shndërrohet në argat të nxënësve të pandërgjegjshëm, të shkollave të mesme elite (tashmë “elite”). Me kalimin e kohës, veprimet e këtilla bëhen normale dhe shndërrohen në dukuri dhe praktikë. Për këtë grup nxënësish, për arsye nga më të ndryshmet, shkelen rregullat, normat dhe ligjet, duke u lejuar atyre që provimet t’i paraqesin edhe pas afatit të caktuar. Dhe dëgjohen fjalët: “Sa mirë që drejtori është shqiptar…Në komunizëm drejtorët ishin maqedonas. Tani do punë i kryejmë më lehtë…” Drejtori shqiptar duhet të respektohet dhe jo të keqpërdoret afria e tij.

Nëpër shkollat shqipe në Maqedoni, ka raste kur nxënësit i shënohet në procesverbal nota e riprovimit, pa qenë ai i pranishëm në provim.

Nëpër shkolla të mesme shqipe, ka raste kur, për lëndë të caktuara dhe për interesa të caktuar, punësohen si profesorë edhe individë me tre vjet studim universitar (sipas parimit 3+2) dhe të refuzohen kandidatët që kanë të kryer studime universitare katërvjeçare. Në raste th tilla, punësimi është bërë ose me ndërhyrjen e partisë, ose ka luajtur mita, d.m.th. ryshfeti.

Abuzimet e sipërthëna dhe mosrespektimi i afateve dëshmojnë se shqiptarët në Maqedoni nuk manifestojnë kapacitet të duhur për t’i udhëhequr me përgjegjësi institucionet shkollore.

Nëpër shkolla të caktuara mbase ndodhin edhe abuzime që paraqesin shkelje të rëndë të ligjit. Abuzimet eventuale financiare apo dhënia e dëftesave ose e diplomave të dyshimta, që do të ishin bërë nga një rreth i ngushtë i personave të shkollës, nuk janë objekt interpretimi i këtij shkrimi.

Disiplina në shkolla – Në shkollat tona ora mësimore qëllon të zgjatë më pak se 45 minuta; arsimtarët rëndom shkojnë në klasë me 5 minuta vonesë; shpesh ndodh që të shkohet në orë edhe me 10 minuta vonesë; ka raste kur ziles i bihet 3 deri 5 minuta para kohe (Në vendet e zhvilluara zilet e llojit tonë ka kohë që janë hequr nga përdorimi. Në ato vende zilja është e programuar të funksionojë në mënyrë automatike); pushimi i gjatë që zgjat 20 minuta, ndodh të zgjatë 30 minuta. Ka shkolla në të cilat ora e fundit, d.m.th. e gjashta apo e shtata, sidomos ajo e ndërresës së dytë, mbahet jo më shumë se 20 minuta, për të mos thënë nuk mbahet fare. Ka shkolla fillore shqipe në të cilat në klasat e teta gjatë gjithë gjysmëvjetorit të dytë zhvillimi i njësive mësimore zëvendësohet me bisedat rreth kremtimit të mbrëmjes së gjysmëmaturantëve. E tmerrshme. Drejtoria e një shkolle të tillë, arsimtarët, këshilli i shkollës dhe ai i prindërve duhet të dënohen. Ka edhe shkolla të mesme shqipe në të cilat mësimi në gjysmëvjetorin e dytë, te paralelet e viteve të katërta, nuk mbahet sipas orarit. Nxënësit nuk hyjnë fare në orë. E po qe se ndodh të hyjnë, gjatë tërë orës flasin, ose për kremtimin e mbrëmjes së maturës, ose për degët që do t’i studiojnë. E tmerrshme. Edhe këto farë të ashtuquajtura shkolla të mesme duhet të ndëshkohen.

Dukuri jo e rrallë e disa shkollave të mesme është ikja nga ora e tërë klasës. Kjo ndodh për arsye të ndryshme, por më së shpeshti për shkak të testit. Asnjëherë nuk është kërkuar përgjegjësi prej askujt për këtë veprim kryekëput të paarsyeshëm. E vetmja masë që merret është thyerja e notës së sjelljes prej shembullore në mirë ose në pakënaqshëm. Në fund të vitit shkollor, nota e thyer e sjelljes e çdo nxënësi rikthehet në shembullore. Nxënësit e dinë mirë se arusha nuk trembet prej lodrës. Një shkollë e këtillë nuk meriton të quhet shkollë.

Ka raste kur në kafenetë që ndodhen në afërsi të shkollës profesorët ulen në një tavolinë me nxënësit dhe pinë cigare bashkërisht. Profesori dhe nxënësi nuk janë shokë dhe nuk duhet të jenë shokë. Midis tyre duhet të ekzistojë largësi e caktuar. Distanca midis profesorit dhe nxënësit duhet të jetë e tillë që bën të mundur ruajtjen e dinjitetit dhe të integritetit të nxënësit, por edhe të autoritetit të profesorit.

Në shkollat tona ka profesorë të cilët u mbajnë kurs nxënësve të tyre. Kurset mbahen kryesisht nga lëndët, si: matematika, gjuha angleze, gjermanishtja (dikur edhe maqedonishtja), informatika, fizika, kimia.

T’u mbash kurs nxënësve tu, do të thotë t’ua shesësh notën me para.

Ka profesorë të cilët u shesin nxënësve tekste të fotokopjuara dhe libra me vlerë të dyshimtë, e që nuk janë në përputhje me plan-programet mësimore. Nxënësi i cili e blen tekstin e fotokopjuar apo librin prej profesorit merr edhe notë të parapëlqyer. Ka raste kur nxënësit detyrohen ta blejnë tekstin që ua shet profesori. Me nxënësit nuk duhet bërë tregti. Komercializimi i arsimit dhe shndërrimi i tij në biznes fitimprurës është rrënues për të. Ka raste kur arsimtari apo profesori – për çështje private – komunikon me nxënësit nëpërmjet facebook-ut. Arsimtari apo profesori që komunikon me nxënësit për çështje private nëpërmjet facebook-ut, vë në dyshim vlerat morale të tij. Të tillët nuk meritojnë të jenë punëtorë arsimi. Ka mësimdhënës që nuk duan të dinë se ora mësimore nuk shërben për shpëlarjen e trurit të nxënësve mbi baza ideologjike, politike, kuazi-nacionaliste, ksenofobike, partiake apo fetare. Ora e mësimit nuk shërben për të debatuar për partitë politike. Ora e mësimit nuk shërben për të diskutuar për Barcelonën, Realin e Madridit, Lionel Mesin, KristianoRonaldon dhe për dashnoren ruse të tij. Ora e mësimit nuk shërben për të festuar me tortë ditëlindjen e nxënësit, të mësuesit, të arsimtarit apo të profesorit. Ka pasur raste kur arsimtari ka vajtur – me çizme – prej fushe drejt në shkollë, pa u përgatitur fare për njësinë mësimore.

Një numër i nxënësve, kryesisht të shkollave të mesme, një javë para se të përfundojë viti shkollor, me lejen e drejtorëve të shkollave, “për letra” ose për të punuar, shkojnë në Itali, në Zvicër, në Gjermani apo në Kroaci. Me fjalë të tjera, kjo kategori e nxënësve e ndërpret shkollimin me lejen e drejtorit të shkollës, një javë para mbarimit të vitit shkollor. Ka raste kur disa nxënës, për arsye të sipërthëna, shkollimin e ndërpresin edhe dhjetë ditë apo dy javë para mbarimit të vitit shkollor. Nxënësit të cilët pothuajse çdo vit e ndërpresin shkollimin një deri dy javë para përfundimit të vitit shkollor, e privojnë veten nga mundësia e përvetësimit të plan-programit mësimor. Asgjë nuk e arsyeton mungesën njëjavëshe, për të mos thënë dyjavëshe të nxënësit.

Ka shkolla të mesme ku numri i mungesave arrin në dhjetëra mijë. Ka paralele me mbi dymijë mungesa për një vit shkollor. Ka nxënës me 182 mungesa. Përkundër këtij numri astronomik të mungesave, asnjë nxënës nuk është përjashtuar nga shkolla, ose të paktën të jetë udhëzuar dhe orientuar në ndonjë shkollë tjetër profesionale.

Një numër nxënësish, kryesisht me sukses të dobët, krahas shkollimit, janë të angazhuar edhe me futboll. Duke ushtruar dhe duke luajtur për klube të ndryshme futbolli, këta nxënës, një pjesë të konsiderueshme të kohës e kalojnë jashtë bankave shkollore. Edhe këta, si pasojë e mungesave të shpeshta, e privojnë veten nga përvetësimi i një pjese të njësive mësimore. Nxënësit me ambicie sportive, mbase do të kishte qenë më mirë të ndiqnin shkollat e mesme të edukatës fizike.

Një kategori e nxënësve ndërkaq, kryesisht të viteve të katërta të shkollave të mesme, për të marrë patentë ngasësi regjistrohen në auto-shkollë. Bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm nxënësish. Askush nuk e shtron pyetjen: Përse auto-shkollat, për nxënësit që duan të marrin patentë ngasësi, nuk organizojnë ligjërata dhe provime ditëve të shtuna apo të dielave, kur ata janë të lirë?!

Nëpër disa shkolla, kryesisht shkolla të mesme, ka nxënës apo grupe nxënësish, sidomos të viteve të treta apo të katërta, të cilët pothuajse çdo ditë i drejtohen arsimtarit, përkatësisht profesorit me fjalët: “Profesor, a bën të na lëshoni këtë orë, ngase kemi një punë…” Arsimtari, përkatësisht profesori, duke qenë se nuk posedojnë autoritet të duhur për ta mbajtur në klasë këtë kategori nxënësish problematikë, të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, zbatojnë strategjinë e vijës së rezistencës së ulët dhe u thonë nxënësve: “Shkoni…”. Kjo sjellje e kësaj kategorie të nxënësve, një ditë shndërrohet në dukuri shqetësuese. Në shkollat e mëdha, numri i nxënësve që nuk hyjnë në orë të mësimit është shqetësues. Me këtë dukuri nuk ballafaqohen vetëm shkollat profesionale, por edhe gjimnazet që në shoqëri konsiderohen si shkolla elite.

Ka nxënës që gjatë orës së mësimit, nëpërmjet telefonit celular merr mesazh prej ndonjë nxënës tjetër. Sapo e lexon mesazhin, i drejtohen profesorit: “A bën të dal pak…” Kjo është bërë dukuri. Prindi e di se fëmijën e ka në klasë, nxënësi ndërkaq ri në oborrin e shkollës apo në ndonjë kafeteri.

Në një shkollë të mesme profesionale, brenda vitit shkollor nxënësit kishin thyer një numër të caktuar bankash dhe karrigesh. Në mbledhjen e Këshillit të arsimtarëve, midis tjerash, drejtori kishte thënë: “Çfarë shkolle është kjo…?! Një profesor i ishte përgjigjur: “Kjo s’është shkollë, kjo është shtëpi ndëshkimore-përmirësuese.

nëpër shkolla janë problem në vete. Ato shkruhen në dyert dhe në muret e klasave dhe të korridoreve si dhe në muret e jashtme të ndërtesës shkollore. Ato janë me përmbajtje të ndryshme. Ka raste kur vizatohet edhe simboli nazist – kryqi me katër rremba. Për përlyerjen e mureve dhe të dyerve me shkrime dhe vizatime, në të shumtën e rasteve askush nuk përgjigjet.

Ka raste kur të gjithë djemtë e gjeneratës (qindra sish) merren vesh ndër vete për t’i lënë orët dhe për të vajtur në stadium, për arsye se ekipi i qytezës luajtka ndeshje të rëndësishme. Gjysma e tyre fare nuk shkojnë në stadium, por hyjnë në ndonjë kafeteri. Ka pasur raste kur partitë politike i kanë dërguar veprimtarët dhe militantët e vet nëpër shkolla për ta organizuar nxjerrjen e nxënësve në mitingje dhe në tubime partiake. Faktori politik shqiptar në Maqedoni duhet të dijë se nxënësi është i dobishëm kur është në mësim dhe jo kur është në tubim. Përveç kësaj ata janë edhe të moshës së mitur.

Detyra e organeve profesionale të shkollës siç janë psikologu, sociologu, sekretari nuk është të merren vetëm me përmasën statistikore të mungesave. Detyrë parësore e pedagogut apo e psikologut të shkollës është të bisedojnë me nxënësin “problematik” në funksion të përmirësimit të tij. Mungesat nuk janë çështje statistikore. Rreth tyre duhet të sensibilizohen të gjitha hallkat që e përbëjnë procesin arsimor.

Puna e personelit profesional në shkolla zgjatë tetë orë: prej orës 7 deri në orën 15. Në shumë shkolla shqipe ky orar nuk respektohet fare. Ka raste kur pedagogu, sekretari, psikologu, kontabilisti, përgjegjësi i ndërresës etj. vite me radhë vijnë e shkojnë kur t’u kujtohet. Para këtij mosrespektimi të orarit të punës, këshilli i arsimtarëve, përfshi dhe drejtorin e shkollës i mbyllin sytë.

Ka raste kur ditët e festave bashkohen me ato të fundjavës duke marrë vendim që e premtja të zëvendësohet me ndonjë të shtune. Zëvendësimi realizohet vetëm formalisht. Ka raste kur në ditën zëvendësimit mbahen këshillat e klasave. Me fjalë të thera, atë ditë nuk mbahen orët. Po qe se ditën e zëvendësimit mbahet mësim, atëherë ky “mësim” nuk është veçse formalitet. Efekti i këtij “mësimi“ është diku rreth 50%.

Nëpër shkollat shqipe në Maqedoni, brenda vitit shkollor, dhjetëra apo edhe qindra orë nuk mbahen. Mësuesit, arsimtarët apo profesorët mungojnë për arsye nga më të ndryshmet. Me atë rast, nxënësit, ose dalin jashtë, ose ora zëvendësohet me bashkimin e dy klasave. Ora zëvendësohet sa për sy e faqe. Në 99% të rasteve mësuesit, arsimtarët dhe profesorët të cilët nuk i kanë mbajtur orët, gjatë këtyre 20 viteve të pluralizmit, janë paguar sikur i kanë mbajtur ato. Askund në botën e qytetëruar nuk ndodh të paguhesh për punën që s’e ke bërë.

Ka shkolla fillore të qytezave të cilat një javë para se të fillojë viti shkollor i drejtohen me një kërkesë shkollës së mesme që nxënësit e asaj shkolle të përfshihen në një klasë, d.m.th. të mos ndahen dhe shpërndahen. Kërkesa e sipërthënë e shkollës tetëvjeçare është plotësisht e paarsyeshme dhe jopedagogjike. Po qe se shkolla e mesme e pranon një kërkesë të tillë, qoftë edhe pjesërisht, gabon akoma më shumë.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

OBRM-PDUKM me deklaratë në Kuvend, kërkon përkrahje për mbrojtjen e veprës së Goce Dellçevit

Story i radhës

Uashingtoni jep detaje mbi operacionin që eleminoi një nga terroristët më të kërkuar në botë

Të fundit nga

ShkoLartë