Arrestohet pas tetë muajsh në arrati Eno Agasi, kushëriri i Ergys Agasit, i akuzuar si kreu i një grupi kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Eno Agasi është ndaluar në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet.
Ndaj tij, Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa ai po hetohet për pastrim parash dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.
Sipas hetimeve, Eno Agasi dyshohet se ka zhdukur shishet e shtrenjta të verës, të cilat ishin sekuestruar nga SPAK në dhjetor të vitit 2025, në kuadër të procedimit ndaj kushëririt të tij, Ergys Agasi.
Pas sekuestrimit, ishte bërë inventari i verës dhe ajo ishte lënë në një kantinë, pasi nuk mund të transportohej gjatë natës për shkak të procedurave doganore. Të nesërmen, kur autoritetet janë kthyer për ta marrë, shishet nuk janë gjetur më.
Kushëriri i tij, Ergys Agasi, ka përfunduar gjithashtu në pranga pak javë më parë. Ai akuzohet për krime të rënda të kryera në kuadër të një grupi kriminal që, sipas hetimeve, vepronte brenda AKSHI-t.
Hetimet për çështjen janë ndjekur nga prokurori Bledar Valikaj, i cili më herët ia kishte kaluar SPAK-ut hetimet për Ergys Agasin, ndërsa vijonte procedimi ndaj kushëririt të tij.
Burimi: botasot.info


