Një 34-vjeçar, i dyshuar për përfshirjen në disa vjedhje në Tiranë dhe Vlorë, është arrestuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në kryeqytet.
Në pranga ka rënë Ivi Profka, banues në Vlorë, i cili ishte shpallur në kërkim nga disa komisariate policie për vepra të ndryshme penale të vjedhjes.
Sipas të dhënave paraprake, 34-vjeçari dyshohet se më 24 tetor ka vjedhur një motor në Rrugën e Dibrës, në Tiranë.
Por kjo nuk është e vetmja vjedhje për të cilën ai kërkohej nga policia. Komisariati Nr. 2 në Tiranë e kishte shpallur në kërkim për dy raste të tjera, konkretisht për vjedhjen e një tabakinoje më 30 tetor dhe të një marketi më 5 tetor.
Gjithashtu, Profka kërkohej edhe nga Komisariati Nr. 1 në Tiranë, për vjedhjen e një tjetër marketi.
Ndërkohë, edhe Komisariati i Policisë në Vlorë kishte lëshuar kërkim për 34-vjeçarin, i dyshuar për vjedhjen e një motori në këtë qytet.
Pas arrestimit, pritet që ndaj tij të vijojnë procedurat ligjore për rastet e vjedhjeve për të cilat dyshohet.
Burimi: botasot.info


