Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj, të njohur si OPEC+, konfirmuan të dielën se do të mbanin të pandryshuara shkurtimet aktuale të prodhimit deri në fund të vitit, pas shkurtimit shtesë vullnetare të prodhimit nga Arabia Saudite prej rreth 1 milion fuçi në ditë (bpd) në korrik, raporton Anadolu.
Vendimi erdhi gjatë takimit të 35-të ministror të OPEC-ut dhe vendeve jashtë OPEC-ut e cila u mbajt në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë.
Sipas një deklarate të lëshuar pas takimit, OPEC+ miratoi vendimet e tyre të mëparshme për shkurtimin e prodhimit në mënyrë që “të mbahet një treg i qëndrueshëm i naftës”.
Duke folur gjatë takimit, ministri saudit i Energjisë, Abdulaziz bin Salman tha se përveç shkurtimeve vullnetare prej rreth 1.6 milionë fuçi në ditë në prill, Arabia Saudite do të shkurtojë edhe 1 milion fuçi shtesë në ditë në korrik, e cila, siç shtoi ai “gjithashtu mund të ketë shkurtim tjetër”.
Tetorin e kaluar, OPEC+ ra dakord të ul prodhimin e naftës së papërpunuar me 2 milionë fuçi në ditë deri në fund të vitit 2023, por grupi shkoi me një shkurtim të mëtejshëm prej rreth 1.6 milion fuçi në ditë në prill me shkurtime vullnetare të disa vendeve anëtare. Arabia Saudite kryesoi me 500 mijë fuçi në ditë duke filluar nga maji.
OPEC+ tha se do të kufizojë prodhimin total të naftës në 40.463 milionë fuçi në ditë nga janari deri në dhjetor 2024. Deri në fund të qershorit 2024, kjo sasi do të rivlerësohet nga tre burime të pavarura, përfshirë IHS, Wood Mackenzie dhe Rystad Energy, për të identifikuar kapacitetet prodhuese të vendeve.