Tregu i pasurive të paluajtshme në Korçë po njeh një dinamikë të re.
Megjithëse volumi i shitjeve mbetet konstant, çmimet kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit, duke prekur shifra rekord për qytetin juglindor. Në zonat më të lakmuara, metri katror i një apartamenti të ri varion nga 1050 deri në 1250 euro, ndërsa në pikat më të preferuara çmimi arrin deri në 1350 euro. Edhe në lagjet periferike dhe apartamentet e vjetra rritja është e pranishme me rreth 50 euro për metër katror.
Por kush janë blerësit? Përtej emigrantëve që dominojnë sezonin turistik, tregu mbahet gjallë nga banorët e zonave rurale dhe rretheve të tjera që zgjedhin Korçën për jetesë apo turizëm. Ndërkohë, çiftet e reja e kanë gjithmonë e më të vështirë, duke u varur plotësisht nga kreditë bankare.
Shtrenjtimi i shitblerjes ka dhënë efekt domino edhe te qiratë, të cilat janë rritur me rreth 40%. Një apartament që dikur kushtonte 20 mijë lekë, sot nuk jepet nën 35 mijë lekë në muaj. Kjo ka bërë që 80% e kërkesës në treg të fokusohet te qiradhënia, si opsioni i vetëm i përballueshëm.
Me çmime që rriten çdo ditë e më shumë, ëndrra për një shtëpi të re në Korçë po bëhet e pamundur për shumëkënd. Kur edhe qiraja u merr pjesën më të madhe të rrogës, banorëve u mbetet vetëm të shohin sesi qyteti i tyre po shtrenjtohet përtej mundësive të tyre.
Burimi: botasot.info


