Vera është periudha kur mirëpresim mijëra mërgimtarë, të cilët kthehen për pushime në vendin tonë. Andaj të gjithë bashkëkombasve tanë u dëshirojmë mirëseardhje dhe pushim të qetë në vendlindje, thuhet në kumtesën e Alternativës.
“Mërgimtarët janë pjesë e pandashme e trungut tonë kombëtar dhe kontribues të çmuar në të gjitha sferat. Ardhja e tyre vazhdon t’i ndihmojë bizneset e vogla lokale me injeksion të fuqishëm ekonomik. Prandaj, ne si Alternativë, në bazë të ndryshimeve të Ligjit për tregti dhe Ligjit për orarin e punës, i propozojmë Qeverisë që të marrë parasysh tregtarët dhe esnafin, si edhe krizën ekonomike e cila i ka kapluar ata. Kërkojmë që Qeveria të marrë vendim për të lejuar punën ditëve të diela dhe gjatë festave shtetërore përgjatë sezonit veror, respektivisht nga 1 korriku deri më 31 gusht”, thonë nga Alternativa.
Nga Alternativa theksojnë se besojmë se një hap i tillë do t’i ndihmonte jashtëzakonisht bizneset e vogla, por edhe mërgimtarët gjatë qëndrimit të tyre në vend.
“Alternativa gjithmonë ka qenë pranë mërgimtarëve, nevojave dhe kërkesave të tyre, ndërsa këtë e kemi dëshmuar edhe me shumë nisma e projekte gjatë menaxhimit të Ministrisë së Diasporës”, thonë nga Alternativa.
Siç thonë nga Alternativa besojnë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet të bëjë gjithçka në kompetencë të saj që të ndihmojë diasporën, por edhe të krijojë kushte që mërgimtarët ta ndihmojnë biznesin lokal.
Burimi: TV21