“Aleanca e Agjencive të Lajmeve në Ballkan dhe Evropën Juglindore, ka afruar Ballkanin me njëri-tjetrin”

Kryetari i Bordit Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm i AA-së, Serdar Karagöz dhe Zv.drejtori i përgjithshëm dhe kryeredaktori i AA-së, Yusuf Özhan, morën pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Aleancës së Agjencive të Lajmeve në Ballkan dhe Evropën Juglindore (ABNA-SE) që u mbajt në qytetin Selanik të Greqisë, raporton Anadolu.

Karagöz tërhoqi vëmendjen se ABNA-SE afron Ballkanin me njëri-tjetrin dhe rëndësinë e organizimeve të tilla në luftën kundër dezinformimit. Ai njoftoi se AA në vitin 2024 do të marrë përsipër kryesimin e radhës me ABNA-SE.

Në një vlerësim për Anadolu, Karagöz tha se Selaniku është një qytet i rëndësishëm për ta, duke rikujtuar se themeluesi i Türkiye-s është lindur në Selanik.

“Anadolu është në dialog të vazhdueshëm me agjencitë e lajmeve në Ballkan”

Sipas tij, ky organizim i themeluar mes agjencive të lajmeve të vendeve të Ballkanit ka rëndësi të madhe dhe se afron Ballkanin njëri me tjetrin.

Karagöz tha se Anadolu është në dialog të vazhdueshëm me agjencitë e lajmeve në Ballkan për shkëmbim të lajmeve dhe përmbajtjeve vizuale.

“Vendet e Ballkanit janë në gjendje të flasin mes tyre shumë tema. Fakti që Türkiye do të marrë kryesimin e radhës në vitin 2024 është një situatë tjetër e këndshme”, theksoi ai.

“Në mbledhje u morën gjithashtu disa vendime lidhur me luftën kundër dezinformimit”

Karagöz bëri të ditur se në kuadër të mbledhjes janë marrë gjithashtu disa vendime lidhur me luftën kundër dezinformimit ndërsa potencoi se agjencitë e lajmeve bartin përgjegjësi në luftën me dezinformimin që përhapet veçanërisht në rrjetet sociale.

“Nëse në një shtet ka dezinformim do të arrijmë tek agjencitë e lajmeve brenda organizatës sonë si burimi më i besueshëm i lajmeve të atij vendi. Kështu që do të përpiqemi të konfirmojmë saktësinë e lajmit. Nëse është i saktë edhe ne do ta përdorim këtë lajm. Nëse është gabim, do të japim lajmin e saktë”, shtoi ai.

Karagöz mirëpriti që në kuadër të kësaj organizate u formua njësia e “kontrollit të fakteve” dhe njësia e luftës kundër dezinformimit me pjesëmarrjen e vendeve të Ballkanit dhe së fundmi të Italisë.

Ai tregoi se Anadolu në Türkiye lufton kundër dezinformimit me njësinë “Linja e verifikimit të fakteve”, për të cilën ua ka shpjeguar pjesëmarrësve të ABNA-SE-së.

Sipas tij, problemi i dezinformimit është shfaqur me aksesin e shpejtë të mjeteve të komunikimit nga gjithkush, ndërsa vuri në dukje se në Türkiye dhe botë dalëngadalë po rriten burime të lajmeve që luftojnë në mënyrë të rrënjosur dhe serioz kundër dezinformimit.

Duke theksuar se agjencitë e lajmeve mbajnë përgjegjësi për çdo lajm që publikojnë, krahasuar me ata që bëjnë postime personale, Karagöz tha se kjo përgjegjësi i është deklaruar opinionit publik botëror përmes organizatave si ABNA-SE.

Për parandalimin e prodhimit të lajmeve të rreme, Karagöz thotë se burimet e lajmeve duhet të tregojnë kujdes maksimal.

Ai theksoi se lufta kundër lajmit të rremë nuk është vetëm problemi i një vendi por i gjithë botës, duke deklaruar se rruga për luftimin me këtë është përforcimi i burimeve të lajmeve të sakta. “Prandaj këtu, si aleancë e agjencive të lajmeve, kemi marrë përsipër këtë mision. Ky është një lajm i mirë që mund të japim nga Selaniku”, u shpreh ai.

“Anadolu u kushton rëndësi të veçantë linjave të saj të verifikimit të fakteve, diskriminimit dhe mjedisit”

Më tej, Karagöz duke nënvizuar se Anadolu u kushton rëndësi të veçantë linjave të saj të verifikimit të fakteve, diskriminimit dhe mjedisit tha se “Në drejtim të synimeve të AA-së në vitin 2024 do të sjellim në rend dite këto tri tema. Do të përfshijmë agjencitë e lajmeve të Evropës dhe Ballkanit në këto punime. Do të përpiqemi të sigurojmë që edhe ata të jenë të ndjeshëm ndaj këtyre çështjeve”.

Lidhur me vlerësimet e kreut të Bordit Drejtues dhe Drejtorit të Përgjithshëm të agjencisë së lajmeve të Greqisë, AMNA, Emilios Perdikaris, “Bashkëpunimi nën ombrellën e ABNA-SE mund të jetë urë lidhëse midis popujve dhe vendeve”, Karagöz tha se:

“Kohëve të fundit në diplomacinë mes Türkiye-s dhe Greqisë, veçanërisht pas fatkeqësisë së tërmetit po vëzhgojmë një zbutje. Edhe Greqisë i ndodhi një aksident hekurudhor tragjik. Këto dy fatkeqësi në fakt i afruan të dy vendet”.





Story i mëparshëm

Tentativa e tretë për përdhunim, arrestohet ylli i Premier League

Story i radhës

Telefonët dhe pajisjet Android rrezikojnë rritje të çmimeve

Të fundit nga