Albini n’Shtëpinë e Bardhë thoshte ka thika përmbi harta e tash sillet rreth saj!

min lexim

E diele ishte edhe atëherë. Maj ishte e qërshitë ishin para skuqjes. Ato t’Prizrenit kishin nisë mu ba t’kuqrremta e këto t’Janjevës t’shapueme. Qërshori po zbriste fushnajave e maji po ikte përtej Lubotenit. Sharrit po shkriheshin edhe larcat e fundit të borës e karajfilat po mugullonin kërshinave.

Edhe ne, artistët, po zhurmonim kodrinave, si bletët n’koshere. Nji trohë filmi po e varnim n’shirit, si bletët, mjaltin n’hoje! E pra maj ishte, si sot, kur Ylli, Blerta e Yllka, (por edhe ky Çuni), po banin art filmi, kodrave t’Janjevës! Ai ishte “Zgjoi”!

Mu kujtuan varret, mbi kishën e vjetër, e shtëpitë e rrenueme. Aty kishte shumë qërrshi, e kacavaresha si cjapi plak, degëve me kokërra t’shapueme!

Eja se po xhirojmë, thëriste Yll producenti!

E diele sot, por e diele ishte edhe atëherë, kur poeti i “Lirikës me shi” Azemi, me thërriste për kafe tek Qafa!

Jo atje, i thosha, jo! Po ulemi të teatri!

Atje na pret avokati, Bajram Kelmendi, rugovasi, me thoshte, eja! E baheshim bashkë të kafe “Gurra”!

S’pata me shkrua, po, Riza Krasniqi, ai veprimtari i “Pajtimeve” m’u afrua sot në Kafen Corner, e kur me pau vetëm me tha: Edhe ty, si Azemin, po të duen ma shumë Tetova e Tirana, se Prishtina!

Çka po ndodhë me ket milet, m’tha!

Cilët janë shqiptarë; ata apo ne, se njena palë e gjykoi masakrën n’Srebernicë e tjetra jo! Ne këtu s’te duem, ata andej ti blejnë veprat!

Riza, i thashë. Ti ke qenë pajtimtarë me bac Antonin e t’ka ra me pa tyrli ujemi, por si ket ujemin e Edit, Alisë e Albinit, tybe n’ke me pa! Edi ik prej Salihut si prej dreqit, e afrohet të Dodiku nongrata e ja jep dorën tue i buzëqeshë!

Aliu e ven themelin e Shtatores se Haradin Pashës, e kangët ia këndojnë “Haradin Pasha o more hajvan”!

Hajt, bjeri n’fije miletit andej e këndej!

Albini n’Shtëpinë e Bardhë thoshte ka thika përmbi harta e tash sillet rreth saj, tue lutë Zotin me thirrë Bideni e me hi mu përkulë!

Abazoviqi, thoshte s’ban Open Ballkan, tash që u ba Kryeministër thotë po, ai asht i mirë, duhet me hi!

Imeri i Martinajve, kishte me thanë “hyqmyrylah”!

Riza shkoi dhe u ul me tre shokë por unë prap mbeta vetëm. Njiherë deshta me i thanë: E sheh? S’bane ballë mu ulë, as ti me mua, e pra mirë pleqnove!

Thojshin do t’pa shkollë, po me nji kapuç mend, duhesh me i kalua tri katunde, me pa se kush je! Unë, tash që u plaka, rrallë po dal deri të shkallët e teatrit, por as aty s’po i gjejë gjurmët e mia, me m’kallxua se kush jam.

I kanë la natën pastruesit e qytetit e qent e kastruem i kanë pëshurrë!

Kurrizi i Dardaniseë, maj 2022

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​Raportuesi i PE-së, Kubilius: Putin po e humb luftën, s’është mirë që Serbia ta mbështesë

Story i radhës

​Zviceranët votuan në referendum për dhurimin automatik të organeve

Të fundit nga