alarm ne poloni raketa ruse shkel hapesiren ajrore varshava e cileson provokim te moskes 6b00c59da9829

Alarm në Poloni, raketa ruse shkel hapësirën ajrore, Varshava e cilëson provokim të Moskës

November 21, 2026
min lexim

Tre objekte fluturuese, përfshirë një raketë lundruese Kh-101, kanë hyrë në territorin polak gjatë sulmeve masive ruse ndaj Ukrainës. NATO dënoi shkeljen dhe aktivizoi avionët luftarakë, ndërsa Polonia kërkon mbështetje shtesë nga aleanca.

Polonia ka njoftuar se një raketë lundruese ruse dhe dy objekte të tjera kanë shkelur hapësirën e saj ajrore të premten në orët e para të mëngjesit, gjatë një prej sulmeve më të mëdha ajrore të Rusisë ndaj Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të plotë në vitin 2022, shkruan BBC, transmeto “Bota sot”.

Kryeministri polak, Donald Tusk, e cilësoi incidentin si provokim nga Moska, duke thënë se hyrja e objekteve në territorin polak nuk dukej të ishte aksidentale, veçanërisht pasi në rajon po zhvilloheshin ushtrime ushtarake të vendeve perëndimore.

Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, bëri të ditur se raketa e tipit Kh-101 goditi një zonë rurale në Nowy Lipowiec, në juglindje të vendit, rreth 50 kilometra nga kufiri me Ukrainën. Ajo u rrëzua rreth orës 06:30 të mëngjesit.

Një banore e zonës, Natalie Szponar, tregoi se po përgatiste fëmijët për në shkollë kur dëgjoi një tingull fishkëllime dhe më pas një goditje të mbytur. Momenti i përplasjes është regjistruar edhe nga një kamerë në një fermë.

Sipas ministrit polak, një tjetër objekt i dyshuar si raketë u rrëzua pranë Rudnik nad Sanem, në perëndim të vendit, ndërsa një dron me motor reaktiv ra në jug, afër Mołodycz. Autoritetet konfirmuan se nga incidentet nuk pati të lënduar dhe nuk u raportuan dëme materiale.

Kosiniak-Kamysz e quajti shkeljen e hapësirës ajrore një provokim rus dhe paralajmëroi se do t’i kërkonte NATO-s mbështetje shtesë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dënoi shkeljet, duke i cilësuar ato si serioze dhe të rrezikshme. Ai konfirmoi se avionët luftarakë të aleancës ishin ngritur në ajër si përgjigje ndaj incidentit.

“Ky incident është qartësisht i rrezikshëm dhe është pasojë e luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës”, deklaroi Rutte, i cili pritet të vizitojë Varshavën të shtunën.

Dyshimet për një provokim të qëllimshëm u shtuan edhe për shkak të stërvitjeve ushtarake “Koalicja 2026”, të udhëhequra nga Britania e Madhe dhe Franca në juglindje të Polonisë. Në to po marrin pjesë 11 shtete të grupit perëndimor “Koalicioni i të Gatshmëve”, në kuadër të përgatitjeve për një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë.

“Nuk është rastësi që këto objekte ranë pranë vendit ku po zhvillohen manovrat ushtarake të Koalicionit të të Gatshmëve, të mbështetura nga trupat polake, në Nowa Dęba”, deklaroi Tusk.

Disa orë pas incidentit, pesë ministra të Mbrojtjes nga vendet pjesëmarrëse në koalicion, përkatësisht nga Britania e Madhe, Franca, Polonia, Estonia dhe Lituania, vizituan poligonin ku po zhvilloheshin stërvitjet.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, tha se ngjarja ishte një tjetër shembull i provokimeve ruse, të cilat, sipas tij, synojnë të përçajnë Evropën dhe të dekurajojnë aleatët e Ukrainës që të vazhdojnë mbështetjen për luftën e saj për liri dhe demokraci.

Edhe kryeministri britanik, Andy Burnham, e cilësoi incidentin si “krejtësisht të papranueshëm”, ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, shprehu solidaritetin e tij me popullin polak dhe kërkoi që Rusia të ulet në tryezën e negociatave për t’i dhënë fund luftës.

Shkelja e hapësirës ajrore polake ndodhi vetëm një ditë pas samitit të Koalicionit të të Gatshmëve në Berlin, ku morën pjesë 40 shtete dhe ku aleatët premtuan vazhdimin e mbështetjes për Kievin.

Ndërkohë, sulmet ruse ndaj Ukrainës vazhduan edhe të premten. Sipas raportimeve, të paktën tetë persona u vranë nga sulmet me raketa dhe dronë, të cilat shënjestruan tri ura të Kievit mbi lumin Dnipro dhe një stacion në Lviv.

Ky nuk është rasti i parë kur lufta në Ukrainë prek territorin polak. Në korrik, një raketë lundruese kishte rënë në Poloni, duke krijuar një krater rreth 10 metra të gjerë. Ndërsa në nëntor të vitit 2022, dy fermerë polakë u vranë nga një raketë që besohej se ishte e sistemit ukrainas të mbrojtjes ajrore, e lëshuar gjatë përgjigjes ndaj një sulmi rus.

Edhe Moldavia raportoi të premten shkelje të hapësirës së saj ajrore, pasi një dron kaloi për një kohë të shkurtër në territorin e saj gjatë sulmeve ruse ndaj Ukrainës. Ministria moldave e Mbrojtjes ka regjistruar 118 raste të tilla që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.

Deri më tani, Moska nuk ka komentuar incidentet e raportuara nga Polonia.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

per te mbajtur nje parti nen kontroll duhen me shume idiote alizoti me ironi mendjet kritike te bezdisin parlamenti eshte shkaterruar 6b00c55c5db3f
Lajmi i mëparshëm

“Për të mbajtur një parti nën kontroll duhen më shumë idiotë”, Alizoti me ironi: Mendjet kritike të bezdisin, parlamenti është shkatërruar

pushteti i ps operon si bande dashamir shehi nese nuk vjedh per ta behesh i dyshimte te kompromentojne ekonomikisht dhe te shantazhojne 6b00e182886c8
Lajmi i radhës

“Pushteti i PS operon si bandë”- Dashamir Shehi: Nëse nuk vjedh, për ta bëhesh i dyshimtë! Të kompromentojnë ekonomikisht dhe të shantazhojnë

Të fundit nga

ShkoLartë